ZOTNI MËSUES!

ZEF ZEFI

Si ish mësues mendoj se nëse sot ka ankesa të vërejtshme e të dukshme për shoqërinë shqiptare në tërësi, vetë shoqëria si “lëndë e parë” nuk del në jetën e përditshme pa kaluar nëpër duart e dy “fabrikantëve”; familja dhe shkolla.

Nëse vetë familja tani mbas shumë brezash të shkëputur prej analfabetizmit ka dhe “markën” e shkollës dhe shkollimit, përgjegjësitë dhe meritat në shumicë të cilësuar i bien shkollës si institucion në gjithë vertikalitetin e saj institucional, po sidomos atë horizontal, vetë mesuesit dhe aparatura e tij pedagogjike.

Sipas një klasifikimi që e kam lexuar tek një filozof kontemporan, ka dy palë mësues; mësues për pasion dhe mësues për profesion.
Dhe përballë kësaj paradigme qëndron paradigma tjetër; mësuesi për pasion edukon dhe instrukton, mësuesi për profesion bën vetëm të dytën.

Mua nuk më ka qëlluar të jem edukuar nga breznia e mesuesve për pasion, eruditë, të shkolluar vetëm për mësimdhënje të para Luftës së Dytë botërore të cilët i përgatiti, investoi “regjimi” i Mbretit.
Kjo “racë elitë” mësuesish, mbas “revolucionarizimeve” ultrakineze të mesviteve 60 u nxor në periferi dhe u zhduk, si për arsye biologjike, po sidomos për ato klasore e ideologjike.

Sipas përcaktimit Hegelian “shkenca e logjikës” nuk ka mësues proletar, mësuesi është intelektual dhe borgjez për vetë natyrën e fiziologjinë e vet klasore i cili merret me punë intelektive, ashtu si çdokush merret me punë intelektuale. Perfshirë të gjithë mendimtarët dhe kolosët e të menduarit, në shumicën e rasteve për arsye dialektike ata janë ose bëhen edhe konshienca e palumtur e vetë borgjezisë. Spinoza, Gëte, Marks, Fichte, Shiler…Moxart etj,etj.

Regjimi neofeudal e kriminal i Hoxhës ushtroi një trysni, shtypje dhe presion të fuqishëm propagandistik dhepersekucion klasor ndaj klasës menduese, duke e konsideruar edhe mësuesin instruktor partie, por duke e mbajtur gjithmonë në objektivin e qitjes së saj propagandistike. Krahas kësaj se nga shkollat e pedagogëve, e mësuesve dilnin përherë e më pak mesues për pasion, duke e zëvendësuar atë me mësues për profesion, për diplomë, për rrogë, që vinin kryesisht nga familjet me teser partie.
Ndonëse nuk u ç’rrënjëzua tërësisht raca e mësuesit për pasion, pra atij edukues dhe instruktues njëkohësisht.

Mësues për diplomë e rrogë fatkeqësisht prodhoi me shumicë edhe post-enverizmi dhe vazhdon të prodhojë me shumicë edhe sot.
Mjafton të shohësh çfarë bën mesuesi mbas mësimit ose ndërmjet orëve të mësimit, në orët e pushimit, çfarë diskuton me kolegët në minutazhin ndermjetës midis orëve.
Cila është figura e tij që luan bingo a biliardo llotari e deri tek perversitetet që evidenton shtypi brenda apo jashtë shkollës, për të identifikuar shoqërinë e nesërme në duart e së cilës do të dorëzohet atdheu dhe fati i tij.

Sigurisht mësuesi për profesion, rrogë a grazhd, do të vazhdojë të punojë me njeriun si në një ndermarje ku nxënësit apo studentët janë agregate të punës, si mistria për muratorin, apo llaqi e tulla, kompiuteri etj.
Sigurisht ky borgjez “i lumtur”, me sintaksen hegaliane, edhe kuvendarët injorantë të Parlamentit të sotëm apo idiotizmi bërtitës nëpër administrata publike, janë çeshtje indiferente sepse nuk lidhen me portofolin e tij, por asnjëherë vonë nuk është që vetë shoqëria të orjentohet nga mësuesi për pasion.
Mesuesi që instrukton e pasionon për të vet-menduar, elaboruar njohuri dhe sintetizuar mbi të gjitha me të parën, fjalën. Dhe sidomos me shembullin. Ah shembulli!
S’ka mësim e këshillë më efikase sesa shembulli sidomos për dy krye intelektualët që ka përcaktuar Hygo, prindi dhe mësuesi.