Zgjedhjet në botë në kohën e pandemisë së koronavirusit

 

Kufizimet që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, kanë bërë që zgjedhjet në shumë vende të shtyhen – nga Rusia, Irani e Ballkani deri te zgjedhjet paraprake në 16 shtete të SHBA-së.

Derisa masat e izolimit janë duke u lehtësuar tani në shumë vende, shtrohet pyetja se si dhe kur do të mund të rihapen kutitë e votimit?

Që nga fundi i shkurtit, mbi 50 vende kanë shtyrë datat për zgjedhjet mbarëkombëtare, rajonale ose lokale.

Në mesin e tyre është Maqedonia e Veriut, e cila i ka shtyrë zgjedhjet parlamentare të 12 prillit; Serbia ka shtyrë zgjedhjet e përgjithshme të parapara më 26 prill, ndërsa Irani rrethin e dytë të zgjedhjeve parlamentare, të paraparë për 17 prill.

Izolimet në Evropë kanë qenë të nisura më 17 mars, kur presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar dekretin, me të cilin 22 prilli është caktuar si datë për mbajtjen e votimeve kombëtare për ndryshimin e kushtetutës.

Megjithatë, Putin i ka shtyrë këto votime më 25 mars dhe nuk ka caktuar datë të re.

Disa analistë thonë se ato mund të mos mbahen derisa Rusia të jetë duke luftuar koronavirusin.

Rusia po ashtu ka shtyrë të gjitha zgjedhjet lokale dhe rajonale, që ishin planifikuar nga 5 prilli deri më 23 qershor.

Zgjedhjet plotësuese në Pakistan janë shtyrë gjithashtu, së bashku me një referendum të Armenisë për ndryshimet në Gjykatën Kushtetuese.

Datat për zgjedhjet lokale janë shtyrë edhe në Kosovë, Mal të Zi, Rumani dhe Kirgizi.

Shtyrjet dhe debatet në Beograd
Në Serbi, presidenti Alekdandar Vuçiq po përballet me një bojkot të mundshëm të opozitës për zgjedhjet parlamentare dhe lokale, që mund ta thellojë tutje krizën politike atje.

Më 15 mars, kur Beogradi ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë, Serbia ka qenë në mes të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të 26 prillit.

Më 16 mars, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i Serbisë i ka ndaluar të gjitha aktivitetet zgjedhore.

Por, Vuçiq, udhëheqës i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, është akuzuar për shfrytëzimin e paraqitjeve të tij të përditshme zyrtare për vetë-promovim dhe për mbështetje të aleatëve të tij politikë.

Pasi ka udhëtuar personalisht në Novi Pazar për të çuar pajisje mjekësore dhe për të mbajtur një konferencë për media, një nga pesë ndihmësit e kryetarëve të qytetit, Emir Ashqeriq, e ka akuzuar presidentin për fushatë të fshehtë zgjedhore.