Zgjedhjet e Presidentin të ri / OSBE: Procesi të jetë përfshirës, të sjellë një personalitet që përfaqëson unitetin e popullit

Ditën e sotme mazhoranca dhe opozita do të takohen për çështjen e presidentit të ri të vendit. Mësohet se në këtë takim nuk do të shkojë Enkelejd Alibeaj, i cili më vonë pritet që të ketë edhe një komunikim me mediat, për të sqaruar arsyet e këtij vendimi.

Ndërkohë ka reaguar edhe prezenca e OSBE në vendin tonë ku e vë theksin te një proces përfshirës, që do të sjellë në postin më të lartë një personalitet që përfaqëson unitetin e popullit, sikurse përcaktohet në Kushtetutën e Shqipërisë.

Deri të dielën është dhe afati i fundit për të dorëzuar kandidaturat e mundshme për presidentin e ri të vendit, të cilin Edi Rama kërkon që ta ketë jashtë Partisë Socialiste.

Të hënën e 16 Majit do të jetë dhe raundi i parë për votimin e presidentit të ri të vendit, i cili kërkon një shumicë të cilësuar, që nënkupton marrëveshje me bazë të gjerë PS-PD.