Zgjatja e mandatit të Vetting-ut apo zgjatja e mandatit të motrës

 

Nga Marash LOGU

Në seancën dëgjimore të mbledhjes së përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve me shoqërinë civile të datës 12.11.2021 lidhur me amendamentin kushtetues për zgjatjen e mandatit të organeve të vetting-ut të propozuar nga PS-ja, drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi deklaroi se “Duke lexuar listën e deputetëve pashë që ka individë, sipas mendimit tonë, janë në konflikt interesi dhe do të duhet që struktura përkatëse të evidentojë këtë gjë.” Lidhur me këtë çështje, deputeti socialist Eduard Shalsi ngriti pyetjen “për çfarë lloj konflikti interesi bëhet fjalë” dhe mori si përgjigje se “kur një prej 14 individëve është anëtar i familjes, ne mendojmë se ka konflikt interesi”.

Por, për kë deputet dhe komisioner të KPK-së bëhet fjalë? Në listën e depozituar me 39 nënshkrime nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, me nr. 31 është edhe emri i deputetes Belinda Balluku, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë (shih foton 1). Kjo e fundit rezulton të jetë motra e Pamela Qirkos, e cila ushtron detyrën e komisioneres dhe kryetares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (shih foton 2). Pra, motra deputete/ministre kërkon zgjatjen e mandatit për motrën komisionere/kryetare. Analiza e konfliktit të interesit do të ishte e tepërt në këtë rast, por si jurist kam detyrimin që ta bëj me shpresë që organet kompetente do të vihen në lëvizje.

Neni 119/1 i Rregullores së Kuvendit parashikon se “Deputeti merr të gjitha masat për të shmangur çdo situatë papajtueshmërie ose konflikti interesi, që mund të lindë në momentin e fillimit të mandatit parlamentar dhe gjatë gjithë kohës që ai vazhdon.” Ndërsa, neni 13 i Kodit të Sjelljes së Deputetit parashikon se deputeti nuk propozon, shqyrton apo miraton një projektligj kur ka konflikt interesi. Madje, deputeti ka detyrimin që në rast konflikti të plotësojë një deklaratë me shkrim, e cila publikohet në faqen zyrtare të Kuvendit. Rasti i motrës deputete që kërkon zgjatjen e mandatit të motrës komisionere përbën një konflikt faktit interesi sipas kuptimit që i jep neni 3, pika 4 e ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Kjo shkelje flagrante e ligjit duhet shqyrtuar me përparësi nga Byroja e Kuvendit, si autoriteti përgjegjës për zbatimin e Kodit të Sjelljes së Deputetit dhe ILDKPKI, si autoriteti më i lartë përgjegjës për parandalimin e konfliktit të interesave.

Një ndër qëllimet themelore të Reformës në Drejtësi ka qenë edhe shkëputja e lidhjeve të politikës me sistemin e drejtësisë. Se sa i realizuar është ky qëllim, flet qartë rasti i mësipërm.