Voltana Ademi: Unë do të jem në datën 11, 18 nuk e kam qartësuar.

Kryebashkiakja demokrate e Shkodrës Voltana Ademi ka konfirmuar se do të jetë në Kuvendin e datës 11 Dhjetor të ish-kryeministrit Sali Berisha, thirrur nga firmat e delegatëve. Në një intervistë për Radar Informativ, Ademi theksoi se Partia Demokratike ka probleme me demokracinë e brendshme.

“Unë e kam thënë edhe në studio që mbledhja është e vlefshme dhe e domosdoshme. Ne po vijmë mbi heshtjen e dakordësuar. Duke qenë kryetare e bashkisë datoj në PD që në vitin 1996. Nuk më kanë shteruar forcat për një demokraci të brendshme.

Unë e di çfarë do të bëhet me 11 dhe në 18 do të presim. Unë do të jem në datën 11, 18 nuk e kam qartësuar. Mendoj se kemi probleme me demokracinë e brendshme. Kemi probleme me përfaqësimin dhe të ndërtojmë një diskutim ku të gjithë ne duhet të flasim. Nuk di nëse do ta arrij 11 apo 18”, tha Ademi.

E pyetur nëse do t’i bashkohet mocionit për të shkarkuar Lulzim Bashën si kryetar, kryebashkiakja tha: “Do t’ja lëmë diskutimit në datën 11.”