VISAR ZHITI: POEZIA DREJT BURGUT

LIVIU ANTONESEI (1953)
shkrimtar, studiues, publicist, politikan demokrat, profesor pranë Universitetit të Iasi-it. Autor i dhjetra librave me poezi, prozë, ese dhe studime shkencore. Personalitet i shquar publik i Rumanisë së sotme.

VISAR ZHITI: POEZIA DREJT BURGUT

Nga Liviu Antonesei

Pas botimime së fundmi në Rumani të dy librave të shkrimtarit Visar Zhitit, atë me poezi “Flatra e mundur (“Aripa Franta”) dhe romanit “Funerali i pafundmë” (“Cortegiul de sfarsit”), përkthime të shkëlqyera të Dr. Luan Topçiut, sipas kritikës rumune, vazhdon jehona e tyre në median e shkruar dhe atë elektroike të Rumanisë.
Sapo ka dalë një artikull nga Liviu Antonesei, i cila ka patur dhe shumë komente vlerësuesi në Rumani .

 

 

Befasi? Një poet shumë i madh nga Shqipëria, i cili vuajti jashtëzakonisht shumë për shkak të poezisë së tij. Apo ndoshta është më mirë të thuash për poezinë e tij dhe për poezinë në përgjithësi.
Falë një dhurate me libra që më bëri kritiku, historiani i letërsisë dhe përkthyesi Luan Topciu, fillova të hyj në kontakt me veprën e shkrimtarit të madh bashkëkohor shqiptar Visar Zhiti, poet, tregimtar, romancier dhe eseist.
Kam lexuar deri më tani një antologji të shkëlqyeshme poetike, “Flatra e Thyer”, përkthyer nga Luani, dhe romanin mahnitës, botuar së fundmi, “Funerali i pafundmë”, me të njëjtin përkthyes.
Ndërsa shkrimtarët rumunë kanë tendencë të kenë komplekse epërsie ndaj letërsive që i konsiderojnë më të vogla, unë i këshilloj ata të bëjnë një kurë modestie duke lexuar së bashku me Kadarenë dhe Thanas Medin, këtë shkrimtar të madh, emrin e të cilit ndoshta nuk e kanë dëgjuar akoma.
Para se të bëhej shkrimtar i madh i sotëm, autor i rreth 30 vëllimeve, i përkthyer në shumë vende, fitues i çmimeve të shumta letrare shqiptare dhe ndërkombëtare, Visar Zhiti kaloi nëpër disa sprova për të cilat cilësori kafkian është shumë i butë. Ai kishte botuar poezi në revista që kur ishte student, kështu që në vitin 1979 ai paraqiti në shtëpinë botuese atë që do të ishte vëllimi i tij debutues. Thjesht redaktorëve nuk u pëlqen libri dhe bëjnë një raport refuzimi për shkak të zymtësisë në to, poezive pesimiste.
Gjërat mund të ishin ndalur këtu, por ato nuk u ndalën, sepse redaktorët “vigjilentë” dërguan raportin në Komitetin Qendror të Partisë së vetme, dhe poeti u arrestua, u gjykua në vitin 1980 dhe u dënua me dhjetë vjet burg politik. Vërejtjet në letër u shndërruan në “poet dekadent dhe armik i popullit”. Nga dy poezitë që po botoj, njëra shoqërohet në dosjen e çështjes me nënvizimin: “një metaforë kundër diktatorit Enver Hoxha”, mendoj se është hera e parë që konstatoj se gjykatat mund të merren, të paktën në Shqipëri, me analiza poetiko-stilistike ! Pas tetë vjet burgimi, Visar Zhiti lirohet dhe punon gati tre vjet si një punëtor fabrike.
Pothuajse çdokënd një përvojë e tillë, aq më keq e gjatë, pa marrë parasysh sa e vështirë, do ta kishte shtypur, por jo Visar Zhitin, i cili duket se ka dalë i fuqizuar, duke i dhënë Nietzsche-s të drejtë – ajo e cila nuk të vret, të bën më të fortë.
Menjëherë pas rënies së regjimit komunist, punoi në shtypin opozitar, drejtoi një shtëpi botuese, ishte parlamentar, Ministër i Kulturës dhe diplomat i vendit të tij në Itali, Vatikan dhe Shtetet e Bashkuara. Dhe mbi të gjitha, ai ka botuar rreth 30 libra, siç thashë më parë.
Ja, dy nga poezitë, njër që e çoi në burg dhe tjetra poezi nga burgu, por do të kthehem, në botimet e ardhshme dhe me poezi të tjera nga burgu, për dashurinë ose për tema të tjera. Do të shihni që koha dhe përvoja nuk kanë ndryshuar asgjë thelbësore në krijimin e tij, formula është zbuluar që nga koha e poezive të para.

 

Visar Zhiti

SFINKSI

I tmerrshmi sfinks me krifa muzgu
qëndron i zymtë mbi shkretëtirën.
Madhështia e tij e rëndë prej guri
e bëri, ah, të palëvizshëm!

Luanët bredhin nëpër pyje
në shpella ere dhe në shira,
por sfinksin nën rërë yjesh
e torturon madhështia.

Mishin pa fund të skllevërve
e bënë kthetra sfinksash pompozë.
Shkretëtira tund në apogje
të tmerrshmen madhështinë e kotë.

MOLLA E DËNIMIT

Nën këmbë
më hapet dita si një humnerë e madhe.
Me se ta mbush që të dal në ditën tjetër?
Me qindra herë hedh veten time
dhe shkel mbi veten.
Oh, si po shkretohem!
Mbeta pa ngrohtësinë e fjalëve njerëzore
si pa zjarrin.
Gjithë ditën e ditës i zbathur
eci, eci unë
dhe s’shkoj asgjëkund.
Nën këmbët e mia s’ka fare rrugë.
Askush këtu s’më thotë “mirëmëngjesi”,
por më përplasin një fshesë
që të fshij dyshemenë
e fatkeqësisë sime.
Kurse unë si i marrë ulërij në heshtje:
tungjatjeta, Botë!
Dhe në më ke harruar,
s’të kam harruar.
Ballë për ballë u gjenda me një Mollë
e si të mos jem i gëzuar?
Molla,
Molla,
Molla
që e zbriti në tokë dashurinë e Adamit
dhe Evës nga marramendthi qiellor
prej parajse.
Ra nga dega
dhe na tregoi tërheqjen universale.
Molla,
e kuqe si buzët e puthura,
ç’enigma ka brenda, ç’joshje
që s’i mposht dot
as lufta?
Molla –
ëndërr e kapshme mbi kokat e njerëzve.
Edhe Mollët i arrestojnë!…

Kur të marrin në dhomat e hetue… zisë,
bërtet hetuesi (hutuesi): Ti, ti, t-i-i-i,
ke lexuar librin “Molla” nga Jevtushenko.
– Jo, – them unë.
– Ne kemi prova
që i ke përkthyer ca vjersha,
– Jo! – gënjej unë.
Gjithë natën më lënë në këmbë në një qoshe.
Mbi fytyrë më përplasin tymin e cigareve
që e vjellin nga goja –
Tym i luftës civile,
nga ç ‘shpirt del kështu
apo nga gërmadhat tona?
Ç’të bëj? Mblidhem në vetvete
si Molla që fshihet pas gjetheve.
Se do ruajtur fara
që është brenda.
Duhet shpëtuar fjala
duhet shpëtuar kënga
deri sa gropat e ditëve të mbillen me mollë.
Le të na i pushkatojnë ballet,
gjaku ynë do të hedhë rrënjë
dhe do të lulëzojë…

* * *
Shkrimi është përkthyer nga Dr. Luan Topçiu. Arritjet dhe sukseset e shkrimtarit Visar Zhiti janë dhe sukses i letërsisë së sotme shqipe, tani e lirë, e pasuruar me atë letërsi martire që erdhi nga burgjet dhe internimet, që solli të vërteta të mëdha dhe atë moral që i duhet çdo letërsie.