Video / Borshi destinacioni i verës, lihet pa investime për pushuesit

Nga Faxweb
Fshati bregtar i Rivierës shqiptare është jo vetëm kufiri midis Vlorës edhe Sarandës por edhe kufi është një fshat i thjeshtë ku bukuria ndërthuret me rehatinë.
Gjiri i mrekullueshëm 7 km i gjatë mahnit çdo vizitor shqiptar apo të huaj. I vendosur përsosmërisht poshtë malit të lartë e të gjelbëruar nga ullinjtë, me zajet e bardhë e ujin thellësisht të kaltër Borshi është një nga destinacionet më të preferuara të turistëve.
Vizitorëve u pëlqen të ndalen e të vizitojnë lokalin e këndshëm buzë rrugës, poshtë këmbëve të të cilit zbret me zhurmë një burim i fuqishëm me rrugë të shumta. Ky burim quhet ‘Ixuari i Borshit’ dhe është një nga 697 monumentet natyrore të Shqipërisë. Burimi zbret nga ujëvara e fshatit e cila përveç bukurisë e freskisë që u fal vizitorëve, dhe u shërben banorëve për ujin e kulluar që ka.
Rruga që të çon direkt në vijën bregdetare është e mbuluar nga të dyja anët e saj me gjelbërimin e rrapeve shekullore.
Sapo futën në vijën bregdetare, fillon edhe zhgënjimi i pushuesve… Rruga hyrëse ështëe parregulluar, gjithë gropa dhe vazhdimisht ngre pluhur në rastin e parë që automjetet lëvizin për të ardhur apo për të dale nga plazhi.
Mbeturinat nëpër rrugë janë një pamje e cila lë për të dëshiruar. Koshat e mbushur, jo vetëm që shëmtojnë ambientin por krijojnë edhe një imazh të shëmtuar për pushuesit dhe kalimtarët. Makina e pastrimit të plehrave nxiton për të kryer sherbimet e saj, por kjo ka edhe anët e veta negative duke krijuar rrëmujë dhe bllokim të kalimit të automjeteve.
Një kanal i ujërave të zeza i hapur anës rrugës edhe prej kohesh i papastruar është ana tjetër e medaljes ajo negative, e krijuar edhe lënë pas dore nga personat përgjegjës.
Në Borsh, një nga vendet më të vizituata të bregdetit të jugut shërbimi shëndetësor për turistët , por edhe për banorët e zonës jo vetëm që ofrohet në ambiente tejet të amortizuara , por është i kufizuar në orar edhe në ditë. Kamera e Fax Neës ishte në qendrën shëndetësore të Borshit, ku shihet qartë se mungon ekipi mjekësor që tiu vijë në ndihmë turistëve.
Megjithëse shërbimi, ambienti dhe infrastruktura lënë shumë për të deshiruar Borshi mbetet një nga destinacionet e shumë kërkuara të turistëve të huaj apo shqiptarë. Të shumtë janë ata që e zgjedhin si destinacion, por nuk mungojnë ata pushues të cilet i rezervojnë Borshit një fundjavë nëse gjenden në Sarandë ose Vlorë.

Borshi, destinacioni i veres, pa investime

Posted by Fax Web on Sunday, 11 August 2019