Vështrim i afërt për largësinë…

Nga Raimonda MOISIU

(Esse analizë rreth librit me tregime “Përtej kësaj jete” të prozatorit Muç Xhepa.)

“Të vjen të rrëqethesh kur mendon se sa kërkime duhen për të gjetur të vërtetën e një hollësie sado të parëndësishme”,-thoshtë shkrimtari i njohur francez Henri Beyle, i njohur me pseudonimin Stendal.
Kjo thënje më erdhi ndërmend teksa lexoja “Përtej kësaj jete”, librin e tretë që prozatori dhe diplomati Muç Xhepa prezantohet në pak vite, libër i sapo dalë nga shtëpia botuese Made in the USA, Middletoën, DE. Libri mbart në vetvete rrëfenja të ndërveprimit kompleks dhe misterioz, analogjitë brenda fateve njerëzore dhe kalimit në botën e egër të realitetit ku jetonin që sollën pasoja dramatike dhe tragjedi njerëzore. Nëse rrëfenjat brilante letrare të Muç Xhepës konstatojnë tragjeditë, sarkazmën, dhe ironinë a asaj kohe të pakohë, autori vetë konstaton gjithashtu peshën e pafajsisë dhe të kujtimeve, të viteve dhe të vuajtjeve, të dashurisë, ndjenjën e bukur të miqësisë dhe filozofinë e lirisë individuale. Rrëfenja letrare të shkurtëra, porse të rrëfyera “Përtej kësaj jete” në një vështrim të afërt për largësinë dhe reflektojnë kontrastin me sistemin politik autokratik të letërsisë të realizmit socialist dhe letërsisë bashkëkohore në perëndim dhe mërgim. Në rrëfenjat e Muç Xhepës ndjehet grishja dhe frymëmarrja, ndërsa autori tregohet tejet elokuent në trajtimin e temave dhe prekja që ai kërkon t’u bëjë fenomeneve të ndryshme të shoqërisë, duke i ironizuar përmes jetës reale, përvojave jetësore dhe botës internale të personazheve që Muç Xhepa sjell në libër.
Rrëfime origjinale mes emocioneve të rralla: “…Kostumi kafe i rrinte i gjerë dhe kishte filluar të zbehej. M’u mblodh lëmsh në grykë. Po shihja babanë kur doli nga burgu. I rrëgjuar vrarë nga jeta në ferr. Mësuese Kozarës iu lagën fjalët. Ndaloi. Ledhatoi miken e ngushtë, që u ngjit lart dhe filloi t’ia fshijë lotët me gjuhë.”(Tregimi “Përkthyesi”, f.2… rrëfime që nxjerrin në pah vuajtjet e përbashkëta dhe fatet njerëzore mes frikës, dëshirës, zhgënjimit dhe përbuzjes, dijes dhe mënçurisë, forcës dhe kurajos, mungesës së shtëpisë, jetës në burgje dhe mbi të gjitha dashurisë që mbizotëron te këta personazhe.
Nëpërmjet 34 tregimeve historiko- letrare, (sepse mua më pëlqen t’i etiketoj “rrëfime”) janë të shkruara me përkushtim dhe vëmendje bashkëkohore historike dhe me mjeshtërinë e konceptit artistik-filozofik, ku secili tregim mbart në vetvete histori të veçanta portrete realë të mrekullueshëm, të pathënat e udhëtimit të dukshëm dhe shpirtëror të vetëdijes. Rrëfime që nëpërmjet satirës sociale jo vetëm evidentojnë shkaqet e vërteta porse nxjerrin zbuluar rënien morale dhe politike të sistemit diktatorial. Duke lexuar secilin prej tyre ndjehesh i impresionuar nga përshkrimi në detaje që autori u bën dramave dhe fateve njerëzore të personazheve me gjendjen e tyre të brendëshme shpirtërore dhe emocionet e personazheve të detyruar t’i japin kuptim botës së tyre. Në secilin rrëfim autori Xhepa mbart brenda vetes përjetimin e portretit të dyfishtë të tij, në rini dhe më pas, dhe ndjenjën e heronjve të rrëfenjës me harmoninë e idesë dhe lidhjen reale mes tyre, në revoltë të përhershme nën buzë kundër braktisjes, izolimit, dhe papërshtatshmërisë, i zhytur në dhimbje dhe sfidat për kapërcimin e saj në netët vetmitare humbur rrugëve pafund, plagët e një jete, që autori na i ka rrëfyer me pasion, dhimbje, dashuri dhe ironi delikate.
Personazhet e fragmentuar dhe të kufizuar të tij janë figura të spikatura dhe të njohura të shoqërisë, dhe për të arritur në brendësi të shpirtit të tyre autori përpiqet të depërtojë përtej karaktereve unike, vitalë, të fortë dhe të paepur të tyre në atë ambientin e zymtë të situatave të paqëndrueshm dhe tërësinë e konceptit të moralit social e politik; “Lexoj në internet se gazetar Kaloshi D. ka gjetur një dokument tjetër ku hidhet dritë rreth hetuesisë së Visar Zhitit, por edhe për të tjerët. Një ndjenjë krenarie më pushton të tërin. Miku im Visar Zhiti nuk kishte implikuar askënd gjatë hetuesisë së rëndë. Për kundrazi i kishte mbrojtur. E kishin dokumente. Kishte qëndruar. Dhe mendja më shkon të oficeri i “Neronit”-presidient, që s’lë vend pa u shfaqur në ekranet televizive sot, si një demokrat i flaktë.” Përballja me një realitet të tillë sikundër; “Oficeri i Neronit”etj., përfaqësojnë pushtetarët mediokër dhe besnikë të verbër të shoqërisë që i shërbenin, porse përpiqen të privojnë të mirën në kuptimin unik personal, me qëllim për të mbetur jashtë vëmendjes të rolit historik.
Me një modesti në të rrëfyer Muç Xhepa synon të na përshkruajë botën, çdo personazh, çdo fjalë, çdo ngjarje në vendin dhe kohën e vet, ka arritur të shkrijë me mjeshtëri filozofike në një të vërtetë letraro-artistike, ndjenjat dhe mendimet e miqëve dhe njerezve të tij të afërt e të largët, dhe ngërthen një arkitekturë komplekse ngjarjesh, motivesh e dramash njerëzore, duke bërë edhe rolin e historianit dhe sociologut në rrëfimin e fateve njerëzore dhe aktin sublim shpirtëror të një nëne, për të mbrojtur birin e saj: “Nëna e Visarit u bë copë ta shpëtonte. I fshehu shkrimet e tij dhe fletoren, sigurisht. I futën nën tokë”.(“Fletorja”,f.137)
Rrjedhshmëria në të rrëfyer, pjekuria në “artin e të shkruarit” dhe mjeshtëri në përdorimin e ironisë dhe sarkazmës së hollë, na lë të kuptojmë se Prozatori dhe Diplomati Muç Xhepa, është një shkrimtar profilik që aktualisht po lëvron një stil të ri, unik dhe tejet jetësor në letrat shqipe. Në secilën prej 34-r rrëfimet e tij, autori Xhepa paraqet sfondin e gjerë jetësor dhe problemet ekonomike, politike dhe shoqërore, që lexuesi të kuptojë protagonistët dhe karakterin e tyre me veçoritë, tiparet dhe dëshirat jetësore në një kuptim të dyfishtë; “i përballjes së diçkaje” me ndjenjën e mallit, brengës, dashurisë e trishtimit, dhe nostalgjisë së përvojave dhe ngjarjeve jetësore e historike me njerëzit, shokët dhe bashkëatdhetarët e tij: “Fillim i viteve ’80. Dilaver Haka, ish shok klase në tetëvjecare, i gjatë, biond, sykaltër, statujë ilire m’u afrua me ndrojtje: “Destan Doda, më vjen rëndë, port të më kuptosh”, u përtyp sikur ta kishin zënë në grykë. “Të kam mik dhe dua të më ndihmosh”. Uli sytë. Bëri një hap në anë, sikur t’i ruhej dikujt që e përgjonte. “Fëmijët e mitur nuk po e hanë dot bukën e misrit”, ngriti sytë. “Ti, nga qyteti ke mundësi të më marrësh bukë gruri. Sikur gjysmë… Do t’më bësh nder të madh”. U pikëllova” (Bukë Gruri, f.11”
Autori Xhepa analizon deri në detaje të hollësishme jetën e përditëshme të shtresës shoqërore dhe nëpërmjet fatit dhe shqetësimit të brendëshëm madh të Destan Dodës, ai ka arritur të na japë mjeshtërisht simbolikën e lidhjes së fortë e njerëzve të thjeshtë dhe rrënjëve shoqërore me lirinë e shpirtit.
I shtyrë nga motivet e përvojave jetësore që e kapërcejnë kufirin e ngushtë të një shqetësimi personal, autori Muç Xhepa me pjekuri të mendimit filozofik dhe artistik, vë gishtin mbi plagë, autori gjykon dhe mban qëndrim kritik ndaj konceptit të moralit social-politik-kulturor, depërton në identifikimin origjinal të qëndrimit dhe sjelljes së personazheve.
Autor na tregon lidhjen e tij shpirtërore mes dhimbjes e dashurisë njerëzore, mes ngjarjeve dhe ndryshimeve historike, mes realitetit dhe ëndrrave, ballafaqimin e të shkuarës me të tashmen, egoizmit dhe optimizmit, të moralshmes e të pamoralshmes, mashtrimit e urrejtjes, xhelozisë e smirës, vlerës dhe antivlerës, gënjeshtrës e së vërtetës, të keqes e së mirës, duke e parë në vështrimin harmonizues të emocioneve dhe problemeve që shtrohen në rrëfimet e tij, falë përkujtimit të ndjenjave dhe mendimeve që autori mundohet t’i ruajë thellë brenda vetes. Rrëfimtari Xhepa pranon që në nisje të tregimit; lidhjen e tij me njeriun dhe gjithcka që gjendet rreth tij, dhe ende vazhdon të eksplorojë të njohurën e të panjohurën e përvojave jetësore, rrugën e vuajtjeve, të dhimbjes dhe dashurisë, me pavarësinë e botës shpirtërore dhe lirinë e shprehjes. Autori paraqet në mënyrë realiste ngjarjet e rëndësishme të historisë shoqërore, ekonomike, kulturore, të letërsisë së realizmit duke e shëndrruar atë në një të vërtetë pa kufizime dhe të ndjeshme e konceptit ideor dhe bashkëkohor.
“Përtej kësaj jete”, është një libër me vlera të rëndësishme shoqërore dhe artistike, dhe me vështrimin e afërt për largësinë na ofron rrugët ku morali është krijuar e zhvilluar nga shoqëria dhe të gjithë personazhet e tregimeve realë e jetësorë, disa prej tyre prehen në paqen e amëshuar, ndërsa disa jetojnë dhe janë ende në kërkim të së bukurës dhe shpirtit të lirë për t’u ndjerë të lumtur e në harmoni me veten dhe njerëzit, duke përfshirë këtu edhe vetë autorin Muç Xhepa, i cili vazhdon ende të hedhë në letër kujtimet e përvojat jetësore të jetës që mbartin mall e dashuri njerëzore.
Raimonda MOISIU
Author/Freelancer
Jacksonville, Florida USA
February 2nd, 2022