VËLLAI I GRUAS…

 

Nga Agim Xhafka

(Tregimi i së dielës.)

Nusreti bëri familjarisht 36 vite burg dhe internime nga që Qerimi,vëllai i gruas ,natën para se të arratisej qëndroi tek shtëpia e tij. Më pas kunati jetoi ca vite në Greqi,pastaj u vendos në USA,u martua atje,u bë qytetar amerikan,ndërsa Nusreti në Tepelenë e Grabian të Lushnjës. Në internim u bë me djem,por nuk i lanë të mbarojnë as shkollën e mesme. Punuan fëmijët fushave në diell e shi e jetuan në kasolle ngritur me thupra e suvatuar me bajga nga shkaku i Qerimit.
Por u qeshi fati,kur komunizmi theu zverkun. Vrapuan në Tiranë dhe nisën të djersijnë për vete. Fëmijët u shkolluan dhe ndërtuan një shtëpi në periferi. Ndërkohë Nusretin e kapi pensioni me 12 mijë në muaj,por gruaja mbeti pa të ardhura e shyqyr fëmijët i ndihmuan se u punësuan.
Por ja që erdhën në qeveri bijtë e qeverisë që internoi Nusretin. Gjëja e parë i hoqi nga puna djemtë. Më tej ata shesin shtëpinë,i blejnë të atit një hyrje në Laprakë dhe emigrojnë në Greqi bashkë me fëmijët e tyre. Nusreti tani nuk paguan dot ilaçet dhe i heq fare nga përdorimi. Nuk paguan dot as dritat. Këto ia heqin,e lenë në errësirë. Ndaj i propozon gruas të shkojnë sërish tek ajo kasollja e internimit. Vendosin dhe në një dumdum ngarkojnë dy plaçkat,hipin vetë e nisen. Në një kafe,në qendër të qytetit,shohin dikë që u ngjet me Qerimin,kunatin,ai që u shkaktoi internimin. Ua,sa ngjan,fiks ai.Nusreti shqeu sytë. E shoqja e qetëson:
-Qerimi është,Qerimi,,ka tre muaj që ka erdhur nga USA. Më tha Jorgjia se e kishte takuar. Ka bërë pasuri të madhe. Do ndërtojë dy hidrocentrale në vendlindje,ka blerë dhe një restorant pranë sheshit “Skënderbej”. Do gjej kohë të shoh dhe motrën,i kishte thënë. Do na takojë patjetër,por puna e madhe të le dhe pamartuar,foli ajo. Më shumë jo aq për të zbutur zemërimin e Nusretit,por të ulte gulçet e inatit të saj.
-Kur ka erdhur,kur?-pyeti Nusreti.
-Ka tre muaj.
-Atëhere të ishim nisur. Jo tani. Se deri sa të vdes do më ngelet në sy pamja e sotme,jo nata që e fshehmë në shtëpi kur u arratis.
Dumdumi për çudi e shtoi zhurmën dhe tymin e zi. Po largoheshin si atëhere,50 vjet përpara. Bile ishte ku e ku më mirë në ato mote. Se iknin me makinë të madhe,mbuluar me mushama të zezë. Sot me dum dum mbuluar me tym të zi. Nafte dhe mosmirënjohje…