Veliaj i shmanget përballjes me Bashën, nuk shkon në GJKKO, kreu i PD-së refuzon pajtimin

Është zhvilluar sot në Gjykatën e Posaçme seanca e radhës për gjyqin Basha-Veliaj, ku kryebashkiaku i Tiranës nuk ka qenë i pranishëm, duke shmangur përballjen me kreun e PD.

Vetë Basha ka qenë i pranishëm në GJKKO, ndërsa Veliaj përfaqësohej përmes avokatëve të tij.

Në këtë seancë kreu i PD-së Lulzim Basha refuzoi që të pajtohej me Veliajn, dhe kërkon që ai të hetohet për shpifje, në lidhje me deklaratat që ka bërë në fushatën e zgjedhjeve të 25 Prillit.

Pas ndryshimit të gjyqtares që kishte në dorë padinë penale të Bashës ndaj Veliaj, kreu i PD ka shkuar në seancë për të shmangur pezullimin e çështjes pas ndryshimit të gjyqtares, duke treguar kështu vullnetin për ta çuar deri në fund përballjen me Erion Veliaj, të cilin e akuzon për shpifje. 4 muaj më parë, Gjykata e Lartë njoftoi se GJKKO është kompetente për shqyrtimin e të gjitha akuzave penale të ngritura ndaj një zyrtarëve të lartë.

Në padinë penale argumentohet se Veliaj, si drejtues i fushatës së PS për Tiranën, ka bërë 3 akuza konkrete ndaj Bashës, të cilat demokratët i konsiderojnë shpifje.

Padia konsideron si shpifje të Erion Veliajt akuzat se 1) kryedemokrati është bërë me katër shtëpi pas tërmetit të 26 nëntorit; 2) se Basha ka përfituar gjatë periudhës së fatkeqësisë së tërmetit dhe 3), se ka ndërtuar pa leje.