Vdekja e 4 rusëve në hotelin me 5 yje në Qerret! Bie poshtë pista e asfiksisë

Me kalimin e orëve duket se po shtohet misteri në lidhje me ngjarjen e ndodhur pak pas mesnate në Qerret, ku 4 turistë rus u gjetën të vdekur në një hotel me 5 yje që operon prej disa vitesh në zonë.

Në fillim ngjarja u raportua se kishte ndodhur për shkak të asfiksisë, por më vonë burime i thanë Fax News se trupat e pajetë nuk ishin gjetur në sauna, por në pishinën e brendshme të hotelit, ku nuk ka pasur aq shumë avuj sa të shkaktonin vdekjen e 4 anëtarëve të së njëjtës familje. (lexo edhe ketu lajmin)

Viktimat u identifikuan: si Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, Nikita Belousov, 37 vjeç dhe Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe, prindërit, vajza dhe bashkëshorti i saj. Nuk ka të dhëna mbi punët që kanë kryer këta persona, apo mbi statusin e tyre në Rusi.

Ata kishin mbërritur në vendin tonë ditën e dielë, ndërkohë që dje kishin pasur dhe një udhëtim drejt Maqedonisë, ku kishin drekuar në një restorant në Ohër.

Ata janë rikthyer në hotelin luksoz rreth orës 20:30, të mbrëmjes së djeshme, dhe menjëherë më pas kanë shkuar në pishinën e brendshme të hotelit, ndërkohë që nuk kanë kërkuar asgjë nga stafi.

Drejt pishinës dimërore ato kanë zbritur rreth orës 21:00, moment që është kapur edhe nga kamerat e sigurisë së hotelit, ndërkohë që rezervimin e kishin kryer më herët.

Recepsionistja që gjeti dhe trupat e pajetë, deklaron se ka shkuar dy herë për ti pyetur nëse kishin nevojë për diçka, dhe 4 rusët i ishin përgjigjur që jo. Ajo ka mbërritur për tiu komunikuar atyre mbylljen e pishinës rreth orës 22:20 minuta, por në ato momente ka konstatuar se ata kanë qenë të vdekur.

Sipas raportimeve paraprake, vajza ka tentuar që të kërkojë ndihmë, dhe trupi i saj është gjetur në afërsi të derës, ndërkohë që 3 viktimat e tjera janë gjetur të pajetë në shezlong.

Ndërsa është ende e paqartë çfarë solli vdekjen e viktimave, ambasada ruse është angazhuar në procesin hetimor të kësaj ngjarjeje të rëndë. Përfaqësues të kësaj ambasade janë njoftuar nga autoritetet shqiptare, dhe kanë ndjekur procesin e dërgimit të trupave drejt morgut, ku pritet të bëhet edhe ekspertiza. (Lexo lajmin)

Burime i thanë Fax News se në dhomën e hotelit të tyre është gjetur alkool, por nuk dihet nëse është konsumuar prej tyre, dhe as nëse viktimat kanë qenë përdorues të lëndëve narkotike. Për ngjarjen janë marrë në pyetje punonjës të hotelit, të cilët duket se nuk kanë ndihmuar shumë në zbardhjen e ngjarjes, ndërsa me interes pritet raporti i ekspertizës.