Vajza me hemodializë

Nga Alma Liço
Autobuzi i linjës u ndal në afërsi të spitalit ku duhej të kryeja një kontroll kardiologjik. Si asnjë herë tjetër, atë ditë, trafiku në atë segment rrugor të Tiranës, nuk ishte aspak i rënduar. Trotuari përbri stacionit gumëzhinte nga kalimtarët e shumtë që nxitonin për problemet e tyre. Madje, kishte dhe nga ata që vraponin për të mbërritur dyert e autobuzit para se ato mbylleshin me kërkëllimë. Vështirësisht çava përmes asaj turme, për të arritur në kangjellat hyrëse të godinave spitalore. Në të vërtetë, me kot ndjehesha e paduruar, pasi më ndanin njëzet minuta nga orari i vizitës. Ishte ditë e bukur dhe preferova të ulem në njërin prej stolave të vendosur në lulishtet e gjelbëruara. Një fllad i freskët pranveror më valëzonte e përkëdhelte flokët. Gjithsesi, qëndrimi në ato ambiente dhimbjeje dhe fatkeqësish njerëzore, nuk ishte aspak i këndshëm. Ashtu pa kuptuar, ai më përfshinte në një atmosferë paqartësie të mundimshme. Sirenat acaruese të autoambulancave që shkonin e vinin me shpejtësi, më kujtonin se për shumë të pafat, ekzistenca në mes të aparaturave që pulsonin, shndërrohej në një realitet mjaft të brishtë. Jeta dhe vdekja pas atyre dyerve hermetike ishin kaq pranë, sa që dukej sikur harmonizoheshin në një të vetme. Ajo mpleksje aspak e natyrshme, ngjasonte me një ndeshje armiqësore që nuk njihte kompromis.
Ndërkohë që po kontrolloja minutat që më ndanin nga takimi me mjekun, një vajzë rreth të njëzetave, u ul në stolin ku po qëndroja. Sytë e akullt, nuk e fshihnin dot dhimbjen dhe pasigurinë që ajo përjetonte. Dukej kaq e vetmuar. Instiktivisht, ktheu disa herë kokën në drejtimin tim. Pastaj sërish përhumbej. Në vështrimin e lodhur lexohej qartasi refuzimi dhe indinjata për botën që e rrethonte. Lëvizjet pa orientim të atyre syve të kaltër, reflektonin një reagim të zemëruar. Ajo vajzë ngjasonte me një sorkadhe vetmitare të zënë në çark, që ishte dorëzuar tërësisht në kthetrat e luftës së pabarabartë e bllokuese të pamundësisë.
Unë nuk e njihja atë. Nuk dija asgjë për luftën e saj. Nuk njihja përpjekjet, dilemat, dështimet, që dukej të kishin qënë bashkëudhëtare në ato pak vite jete të asaj vajze aq të re. Nuk dija kurrgjë për gjëndjen në të cilën ajo ndodhej..nga se vuante… Fundja, nuk kisha nga ta dija.
Disi e rezervuar, e pyeta si ndjehej dhe nëse mund të bëja diçka për të. Ajo, nuk reagoi aspak, aq sa m’u duk se nuk më kishte dëgjuar. Gjithsesi, nuk e konsiderova të arsyeshme të insistoja. Mbase, nuk dëshironte të përgjigjej. Sërish ngrita mëngën e xhaketës për të kontrolluar orën. Në atë lloj pritjeje, minutat dukeshin pafundësisht të gjata. Sërish, një sirenë shurdhuese me ngacmoi mendimet duke më mbështjellë me një mjegull padurimi.
Atëhere, kur nuk e shpresoja më komunikimin e vajzës, ajo u kthye drejt meje. Përmes një psherëtime, me zë të mekur, mezi arriti të thotë:
– Po pres orën e dializës……jam shumë rëndë…… Askush nuk mundet të më ndihmojë……ndoshta dhe pak muaj më kanë mbetur….
Shqiptoi këto fjalë dhe mori frymë thellë. Vura re se ishte vajzë e bukur, por sëmundja kishte lënë gjurmë dramatike në pamjen e saj. Dukej si një gonxhe që po fishkej, ende pa lulëzuar. Supet e kërrusura dhe fytyra e zbehtë në të cilën kishin filluar të vijëzoheshin rrudhat e para, përcillnin një situatë të pashpresë. E tërë qenia e saj dukej të ishte vendosur në honin e një kambane të heshtur, e cila, ndonëse lëkundej, nuk arrinte të nxirrte tinguj.
Kisha njohur dhe më parë të sëmurë me këtë lloj patologjie, por kurrë një vajzë kaq të re. Pasi u mundova të gëlltisja keqardhjen e ta trajtoja qetësisht gjëndjen e saj, e inkurajova të më konfidonte më tej.
Vallë, i kishin dhënë shpresë se mund të trajtohej suksesshëm me anën e një trapianti? Ishte në kërkim të ndonjë donatori…..familjari mbase….???.
Ajo u vrejt dhe heshti. Fytyra e saj mori një pamje të përvajshme. Ndoshta, pa dashje e kisha prekur aty ku nuk duhej, aty ku lëndohej më shumë. Shtanga për një moment. Teksa, gati gati po pendohesha për pyetjet e mia, ajo u drejtua sërish nga unë.
– Nuk kam para……kushton shumë trapianti…..pastaj jam vetëm, krejtësisht vetëm.
Tha këto fjalë dhe ngriti sytë në boshllëk. Ndjeva një lloj hezitimi të ndërhyja më tej, ndërkohë që mundohesha të kontrolloja keqardhjen që mund të rezultonte lënduese, pse jo edhe fyese për atë të gjorë. Me sa dukej, edhe ajo nuk priste asgjë nga unë. Pas disa çastesh zhytjeje në kotësi, vështrimi i saj u përqëndrua tek dy trumcakë që tundnin krahët e vegjël, për t’u ndalur më pas në degët e një plepi aty pranë. Cicërima e tyre mbytej nga zhurmat e shumëllojshme rreth e rrotull. Sërish heshtje. Ndërsa më ndanin edhe pak minuta nga orari i vizitës, dëshiroja me gjithë shpirt t’i shqiptoja asaj vajze disa fjalë inkurajuese. Por nuk po arrija të artikuloja asnjë rrokje. Ato, frazat e magjishme “çudibërëse” që më vinin ndërmend, më dukeshin tërësisht të pakuptimta për situatën e saj pothuajse të pashpresë.
Kur nuk prisja më të vazhdonte rrëfimin e saj të dhimbshëm, me gjysëm zëri vijoi:
– Jam rritur në jetimore. Nëna ime nuk kishte para të më mbante, as në punë nuk ishte. Im atë e kishte braktisur atë para se të lindja unë…. Ajo vinte herë pas here të më takonte.….U largua nga kjo botë kur unë isha vetëm pesë vjeç….Shumë pak e mbaj mend….Ndoshta kujtoj vetëm sytë e saj me lot teksa më kthente krahët…..vërtet…ato nuk do mundem t’i harroj kurrë…….Nuk njoh asnjë tjetër nga familja. Asnjë të afërm, gjysh apo gjyshe. Kupton??? Jam vetëm. Fati im është i parashkruar…… Mbase do bashkohem me nënën time. Kurrë nuk e kam gjykuar atë. Sikurse unë, ajo ishte veçse një fatkeqe. Kam nevojë të kem dikë pranë…..nuk ka më rëndësi se në cilën botë…..
Shqiptoi këto fjalë dhe sërish ktheu kokën në krahun tjetër. Më ishte mbledhur një lëmsh në grykë. Teksa po përpiqesha të mblidhja copëzat e rrëfimit të saj të përvajshëm e tragjik , ajo u ngrit nga stoli, tundi lehtas njërën dorë në formë përshëndetjeje. Sytë e saj të drobitur përcillnin mesazhet e një lamtumire të ndrojtur, të ndërthurur padukshëm me një dashuri të fshehur. Ndoshta ishte dashuria për jetën që përpiqej të triumfonte mbi sëmundjen e saj. Ashtu, instiktivisht dhe pakuptuar. E si të mos e donte atë? …..Ishte veçse njëzet vjeç.
Mesa duket kishte afruar ora e dializës. Disa sekonda më pas, ajo humbi në një zvarritje mes njerësve që nxitonin drejt ambulatorëve spitalorë. U zhduk, e vetme në dhimbjen e saj.
E tronditur nga gjendja e dëshpëruar e asaj vajze, mezi u kujtova që më duhej të nxitoja për të arritur orarin e vizitës kardiologjike. Shpejtova hapat. Vonesa e ashensorit më detyroi t’i ngjisja pothuajse me vrap shkallët deri në katin e tretë, ndërkohë që isha përfshirë e tëra nga situata dramatike e asaj vajze të gjorë, të braktisur në fatkeqësinë e saj.
E ngecur në spiralen e indiferencës dhe pandjeshmërisë së një shteti mizor e një shoqërie si kjo e jona, mezi arrita të dëgjoja të më shqiptohej emri nga një zonjushë me uniformë infermiereje. Pas asaj që kisha përjetuar pak çaste më parë, ajo vizitë rutinë nuk më ngjallte asnjë emocion. Nuk më shqitej nga mendja fytyra e mjeruar e asaj vajze jetime që nuk kishte të holla të operohej. Jeta e saj po shuhej tragjikisht. Në mënyrë cinike, pamja e saj ndërthurej me imazhin e dhjetra vajzave të llastuara, të zhytura në kotësinë milionere të botës sipërfaqësore të silikoneve e ndërhyrjeve estetike. Për fat të keq, ky është realiteti i hidhur i epokës që po jetojmë.