Urrejtja e falangave majtiste kundër “armikut të klasës”

Nga Av. Xhafer Sadiku

Shpallja e z. Adriatik Llalla dhe e familjes së tij, person non grata në SHBA, ka bërë që të shpërthejnë te detashmentet majtiste instiktet e urrejtjes kundër “armikut të klasës”. Pedagogë, gazetarë, lakenj të politikës dhe falangat e tyre, që nuk kanë shkruajtur asnjë rresht dhe nuk kanë thënë asnjë fjalë për krimet e diktaturës komuniste, përdorin tërë arsenalin propagandistik për të na mbushur mendjen se Adriatik Llalla na qenka i korruptuar, se është ai pengues i reformës në drejtësi, etj.

Urrejtja për “armikun e klasës” i ka verbuar dhe nuk njohin as ligj dhe as moral; që do të thotë se nuk ka asnjë akuzë apo vendim gjyqësor të formës së prerë kundër tij; se reformat nuk i pengon dot asnjë njeri, kushdo qoftë ai, për arsye se janë kompetencë e disa organeve kushtetuese. Këto falanga barbare, që mezi presin të shikojnë “armiqtë” në Burrel e Spaç, nuk lënë pa përgojuar fëmijët e tij, të drejtat e të cilëve, për shkak të moshës, mbrohen me ligj.

Për të mos e zgjatur, duhet kujtuar i ndjeri Dom Simon Jubani, që në librin “Burgjet e mia”, duket sikur ka shkruajtur enkas për rastin në fjalë dhe ditët që jetojmë.
“Në këtë vend, që e mban vedin si simbol i lirisë”, – shkruan ai për SHBA -ë, “janë strehue e strehohen shi njata që kanë vu nën thembër luftëtarët e vërtetë të lirisë”.
Pasi përmend disa emra, Dom Smon Jubani ndalet tek emri i një prifti, i cili kishte tradhëtuar dhe shitur tek Sigurimi priftërinjtë e tjerë. -Ky kriminel, frat-surrat, s’u kënaq vetëm me trathtinë. Shkoi edhe ma ndej: torturoi mizonisht fretënit ndër burgje”. Ai e quante përbindësh bregabuenas që gjeti strehë në Amerikë, “ e u vu nën mbrojtjen e FBI-së”.

Shumë njerëz të vuajtur çuditen se me sa lehtësi kjo kategori emigron në SHBA, ndërsa bijtë e “armiqve të klasës” e kanë të vështirë, për të mos thënë të pamundur. Për këtë, Dom Simon Jubani shkruante: “E na mandej çuditemi, kur i shohim tek ikin e rahatohen menjëherë në Amerikë tanë njata surretën, që i kemi njoftë prej kohe si trathtarë e spijuj. E atje mandej na dalin disidentë me namë, marrin shpërblime e nishana e fillojnë, natyrisht, me shkrue libra, për me mbulue trathtitë e tyne, tue vijue me e falsifikue historinë”.

Dhe, ndryshe nga servilët e kohës sonë, Dom Simon Jubani theksonte: “Të ishte Amerika vendi i lirive për mbarë popujt, si e ka simbolin, e jo vetëm për vedi, nuk do të kishte pasë vend për Juda, kur filloi tragjedia jonë, e nuk do të ishim djegë e pjekë edhe tash vonë, për të mos harrue përcëllimin prej diktaturës…Mallkimi i popujve randon mbi të gjithë, e pikë ma së parit, mbi burrat e Uashingtonit, sepse fillojnë atje shkeljet e të drejtave të njeriut, për me mbërrijtë së mbramit edhe në Tiranë”.

Mbase është koha të kujtojmë e të mos i harrojmë fjalët e Dom Simon Jubanit:
“Të gjithë të burgosunit politikë, edhe ma qyqarët, që me politikën s’kishin asgja të përbashkët, veç akuzës, e dijshin se komunizmin e solli në Europë Jalta më 1945, e solli U.S.A., tue ia falë këtë copë tokë të mbjellun me eshtën, prej të cilave mbin veç deka, demokracisë së lashtë e të re “të Tiranës”, e cila edhe sot e kësaj dite orkestrohet nga këshilltarët amerikanë, që banojnë “nën hijen e hurmave”, në kodrat romantike të Tiranës”.
_____________
Dom Simon Jubani, “Burgjet e mia” (kujtime), Shkodër 2001, f. 150-152.