Urdhëri egzekutiv i Biden dhe strategjia e tij për përmbysjen e autokratëve të Ballkanit

Nga RedI Varaku

Që SHBA-të janë rikthyer seriozisht në Ballkanin Perëndimor kjo nuk ka më asnjë dyshim. Kjo u pa qartë gjatë Presidencës së Trump , por duket qartë edhe tani me Presidentin Biden, i cili duket i vendosur për të mbyllur agoninë dhe plagët tridhjetë vjeçare të Ballkanit, plagë që akoma rrjedhin gjak dhe janë kryesisht pasojë konflikteve të ish-Jugosllavisë.
Administrata amerikane gjykon se arsyet kryesore që kanë prodhuar këtë status quo ballkanike që vazhdon prej tridhjetë vjetësh janë politikanët e korruptuar. Këta po shfrytëzojnë interesat e armiqve të Perëndimit si Rusia apo Kina për të destabilizuar këtë rajon, ndaj dhe Presidenti Amerikan e shikon eliminimin përfundimtar të këtyre katalizatorëve si prioritet dhe duket i prerë në lidhje me ndalimin të influencave të tyre në këtë rajon.
Posaçërisht për përmbushjen e këtij objektivi ai ka firmosur një urdhër egzekutiv, i cili e konsideron korrupsionin si pengesë kryesore për arritjen e marrëveshjeve që sjellin paqe në rajon, si pengesë për avancimin e proceseve demokratike dhe si pengesë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Biden është një njohës perfekt i rajonit, për shkak se ai ka qenë promotori kryesor i ndërhyrjeve të SHBA-ve në rajon gjatë kohës që shërbente si senator dhe gjatë kohës që ishte zv/president për pasojë ai e di mirë se çfarë pasojash prodhon injorimi i kësaj situate në Ballkanin Perëndimor.
Ai e ka kuptuar që hapi i parë për të mbyllur e plagët e hapura në BP për shkak të ndarjes së ish-Jugosllavisë është fillimisht asgjësimi i individëve të korruptuar që përfaqësojnë influencën malinje të Rusisë dhe Kinës në BP, përmbysja e elitave të korruptuara që prej tridhjetë vitesh sundojnë rajonin.
Në këtë kontekst Serbia dhe Aleksandër Vuçiç përbëjnë dhe shqetësimin më të madh për SHBA, sepse është pikërisht Aleksandër Vuçiç, i cili ka një formë shumë të sofistifikuar korrupsioni përmes të cilit kontrollon sistemin gjë që ka sjellë dhe asgjësimin e demokracisë.
Ai e ka kthyer Serbinë në një autokraci të korruptuar që prodhon destabilitet dhe përbën një shembull shumë të keq, të cilin po e ndjekin edhe vendet e tjera të rajonit veçanërisht Shqipëria. Është Aleksandër Vuçiç i cili përmes projektit të tij të Serbisë së Madhe dhe satelitëve të tij si Dodik apo vasalëve besnikë si Edi Rama në rajon është kthyer në arsyen kryesore të destabilitetit.
Vetëm se para disa muajsh vullneti zyrtar i SHBA-ve nuk kishte gjetur reflektim të paktën tek zyrtarët e vegjël që përfaqësojnë qëndrimet amerikane në Beograd dhe veçanërisht.
Fjala vjen për daljen e këtij urdhëri egzekutiv ambasada amerikane në Beograd nuk pati asnjë reagim ndryshe nga ambasada amerikane në Tiranë e cila e publikoi këtë urdhër në faqen e saj. Gjithashtu letra e Presidentit Biden drejtuar Vuçiç në shkurt të këtij viti ku i kërkonte atij të bënte reforma dhe të njihte Kosovën, nuk u trajtua si një ndryshim kursi amerikan kundrejt Beogradit nga ambasada amerikane, por u trajtua si një letër e thjeshtë që nuk përfaqësonte qëndrimin zyrtar të Presidentit. Edhe në prill Departmenti i Shtetit hodhi poshtë spekulimet “për ndryshim kufijsh mbi baza etnike”, por sërish një zyrtaruc amerikan në rajon e mbajti hapur këtë tezë.
Ishte emërimi i Christopher Hill si ambasador fuqiplotë i SHBA në Beograd, njeriut që ka qenë pjesë e delegacionit për çarmatimin e Koresë , largimi i Palmer dhe emërimi i Escobar për të prodhuar një ndryshim kursi të raporteve të SHBA me regjimin e Aleksandër Vuçiç, gjë që ka prodhuar menjëherë dhe kërkesën e disa kongresmenëve amerikanë për shpalljen e Aleksandër Vuçiçit nongrata siç ka prodhuar dhe vendosmërinë e Escobar për ta konsideruar të papranueshme iniciativën e Open Balkan pa pjesëmarrjen e të gjitha shteteve.
Ky qëndrim i administratës amerikane është në fakt dhe qëndrimi që reflekton një qëndrim korrekt të bazuar mbi vlerat e vërteta perëndimore ashtu siç në fakt duhet të ishin prej fillimit dhe në këtë qëndrim ka ftuar edhe BE, e cila të paktën deri tani ka patur një qëndrim të ndryshëm nga SHBA në lidhje me zgjidhjen e problemeve në rajon.
Kjo sepse ky qëndrim e nis ndryshimin e kërkuar pikërisht atje ku buron çdo e keqe e këtij rajoni, në përmbysjen e regjimit autokratik të Aleksandër Vuçiç, i cili duke e kërcënuar rajonin me fantazmat e të shkuarës, me shkrirjen e konfliktit me Kosovën dhe Bosnjë është toleruar qoftë nga BE, qoftë nga SHBA dhe ia ka dalë të instalojë një regjim të korruptuar dhe antidemokratik , modeli i të cilit ka futur në kurth dhe po ndiqet dhe nga udhëheqës me prirje autokratike në vendet e tjera të rajonit veçanërisht nga Edi Rama.
Rrëzimi i Vuçiç do të sjellë automatikisht dhe rrëzimin e Edi Ramës në Shqipëri, sepse është e qartë që të dy autokratët e Ballkanit kanë një aleancë të shenjtë që i mban të dy në pushtet.
Kjo nuk do do t’i japë fund vetëm binomit më të rrezikshëm në Ballkanin Perëndimor, por do ta shpëtojë atë nga destabiliteti që po e kërcënon prej vitesh duke shëruar kështu përfundimisht “plagët e hapura” të luftrave ,që e mbajnë këtë rajon si fuçi baruti që mund të hedhë në erë gjithçka nga çasti në çast.