Ulsi Manja :Vetting për noterët, largohen të dënuarit dhe ata me kontakte të papërshtatshme

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka njoftuar vetting në sistemin e noterisë. Në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së qeverisë, Manja tha se ky proces do të kryhet nga Ministria e Drejtësisë.

Sipas Manjës, ku projektligj ka si synim forcimin e integritetit të noterëve por edhe rritjen e besueshmërisë së tyre te publiku. Ministri theksoi gjithashtu se kjo është një nga nismat më të rëndësishme dhe se ka për qëllim të largojë nga sistemi të dënuarit dhe ata me kontakte të papërshtatshme.

“Sapo kaluam projektligjin për disa shtesa në ligjin për noterinë. Është një nga nismat më të rëndësishme për noterin dhe lidhet me besueshmërinë tek publiku. Përcaktohen kritere të reja për futjen në këtë lloj profesioni dhe përjashtimin e atyre që kanë kontakte me persona të papërshtatshëm apo të dënuar.

Këtyre kritereve të reja do tu nënshtrohen edhe ata që janë aktualisht në profesion. Ligji për noterinë përcakton dhe mekanizmat e filtrimit të këtij shërbimi, është Ministria e Drejtësisë që e bën filtrin e këtij shërbimi

Ndryshimet që propozohen sot jo vetëm që përcaktojnë kriteret të reja por është një proces vettingu për noterët e sistemit që janë sot, që kanë të bëjnë me lidhje me krimin, apo që janë pjesë e listës së personave të shpallur në kuadrin e pastrimit të parave.

Ligji për noterinë ka përcaktuar edhe mekanizmat, është ministria e drejtësisë, që përmes inspektimeve do të bëjë filtrin e këtij sistemi. Përgjegjëse është Ministria e Drejtësisë,” deklaroi Manja.