U vra nga kriminelët  me uniformën e shtetit”, Lulzim Basha nderon Azem Hajdarin

 

Pasi ka kryer homazhe pranë memorialit të Azem Hajdarit, në një deklaratë për mediat, kryedemokrati Basha tha se ai ishte lideri i lëvizjes për demokraci.

Basha tha se dëshira e Azem Hajdarit për ta parë Shqipërinë demokratike dhe europiane ende nuk është realizuar, dhe krimi në pushtet lë ende të hapur plagën e 12 shtatorit të vitit 1998.

“Sot shqiptarët anembanë nderojnë Azem Hajdarin, liderin e Lëvizjes së Dhjetorit, i cili u vra mizorisht nga kriminelët e veshur me uniformën e shtetit, bashkë me shoqëruesin e tij Besim Çerja.

Amaneti dhe sakrifica e Azem Hajdarit janë përjetë shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie demokratike, dhe europiane, të një Shqipërie ku politika është e ndarë nga krimi dhe fatet e vendit të merren me përgjegjësi të plotë nga ata që shqiptarët i gjykojnë me votë të lirë si më të mirët dhe më të aftët.

Sot është ende e hapur plaga e 12 shtatorit, shqiptarët vazhdojnë të vuajnë ekonomikisht, të jenë të papunë dhe të kërkojnë shpëtim rrugëve të botës, për shkak të një pushteti që buron nga krimi dhe i shërben vetëm atij”, u shpreh Basha para gazetarëve, ndërsa nuk pranoi që të bënte asnjë koment lidhur me situatën politike në vend.