U mbyt para dy javësh në lumin Fan, gjendet trupi i 10-vjeçarit

Gjendet trupi i 10-vjeçarit qe u mbyt para dy javësh në lumin Fan të Mirditës. Lajmi u konfirmua për BalkanWeb nga gazetari Igli Çelmeta. Ngjarja e rëndë ndodhi në datën 5 prill, orës 17:10 në Njësinë Administrative Fan, fshati Shtrungaj.

Mësohet se vogëlushi ishte duke luajtur me vëllain dhe shokët, kur topi ra në lumë. Ndonëse 10-vjeçari hyri për të kapur topin, rrjedha e mori me vete.

Ai u gjet pranë digës së hidrocentralit në Reps, në thellësinë 7 metra. Kërkimet u zhvilluan në brigjet e lumit Fan, edhe në kushte të moti ekstrem.

Trupi i pajetë u gjet pas shumë kërkimesh nga polumbarët e FSHN-së, policia e Lezhës, si dhe banorët e zonës, që u angazhuan për lokalizimin e 10-vjeçarit. Trupi i pajetë iu dorëzua autoriteteve dhe familjarëve për procedurat e mëtejshme.