U gjend armiku i tërmeteve

Nga Ilir Levonja

Jam thellësisht i revoltuar, që një idiot apo disa syresh së bashku, përhapën një Fakenews kriminal për ardhjen e një tërmeti shkatërrues dhe kallën mbrëmë panikun në shpirtin e shumëkujt prej jush! Po njëkohësisht, jam thellësisht i keqardhur, që shumë prej jush, ranë pre e asaj ligësie të pashoqe, të prodhuar e shpërndarë me shpejtësi, nga marrëzia e kujt verbërisht kërkon sherr, rrëmujë, kaos mundësisht

Teksti i mësipërm është shkëputur nga fb i kryeministrit. Eshtë një tekst me fjalor ordiner që nuk e di se sa për shtat i qëndron sharmit të qeveritarit të parë. Por edhe pjesë e një kulture të shfrenuar bajate në këto 30 vjet demokraci ku propaganda ka fundosur përfundimisht funksionin e shtetit ligjor. Nga njëra anë një shtetar që bën publike se si i gërthehet një prefekti për mos hapjen e stadiumit apo ndezjen e dritave, në mënyrë që qytetarët të mblidheshin aty dhe të mos rrinin rrugica në errësirë etj., nga ana tjetër gjuha vulgare karshi një webi një lajmi a dy a tri gazetarëve që kanë përhapur panik duke parashikuar një tërmet. Nga njëra anë nuk reshtin së postuari foto duke servirur supë nëpër çadra dhe mensa emergjente, nga ana tjetër japin konferenca me kërcënim për burgosje përhapësve të panikut. Nëse qytetarët vigjilent të vendit tim vërtetë ia kanë besuar lajmeve të një apo dy mediumeve kanë bërë mirë, pavarësisht naivitetit mbi parashikimet. Nëse një medium e paska forcën t’ju nxjerri në rrugë, do të thotë që keni filluar të kujdesi për kokën tuaj. Megjithëse në paragrafin e dytë e keni zhgënjyer kryeministrin që keni humbur vigjilencën dhe keni dalë në rrugë. Madje deri diku, ky shenjtori i juaj ju tall e ofendon ashtu siç bën me burimin e lajmit të rremë. E parë më thjeshtë e gjitha kjo quhet kaos social, por që krahas dramës suaj shpirtërore i shkon për shtat zotërinjëve të tipit Edi Rama. Ju horoheni kur ai kërcënon me gisht dy gazetarë. Kur çon njerëz në mesnatë dhe ngre nga karrikat e redaksive punonjësit e lajmit. Ju i bashkoheni dhe kënaqeni kur ai quan idiotër. Madje qeshni dhe i jepni përkrahje. Kënaqeni dhe i shtoni urimet apo uratat siç keni qejf të thoni dhe besoni se ai po punon drejtë. Nga ana tjetër kurrë nuk e kuptuat se ata punonjës të lajmit nuk janë asgjë tjetër por krijesa të një informaliteti shtetëror që është po aq fallco sa vet shteti. Megjithatë nuk i vutë kurrë faj ndërtuesve fallco të një shteti fallco, por vazhdoni të gozhdoni me frymën e urrejtjes tullat e sakatosura të shtëpisë suaj. Vetëm një shifër e raportuar pak orë më parë, ku 2.4% e shqiptarëve i kanë të siguruara banesat e tyre, është informaliteti më i madhe apo fallciteti më i madh ekzistencial i një fallciteti jete që ka ngritur dhe po ngrejnë shtetarët tanë.
Ku pa asnjë diskutim edhe ky që është tani në krye nuk bën përjashtim, madje po e dopio vulos këtë fallcitet. Ju dha ca çadra, ndau ca supë erionësh, gjeti fajtorin e fajk njuzit, nxorri policët në mesnatë, iku vet dhe ju u kënaqët.
Ndaj sot 99% i ankohen njëri-tjetrit për shtetin ndërkohë kur duhet t’i kërkojnë llogari atij. Një kulturë kjo tashmë që po kalon brez pas brezi aq sa edhe sot e kësaj dite shoqëria shqiptare nuk di asgjë mbi të drejtat e saj. Por është e gjitha një e tillë viktimë e propagandës.
E zbuluat armikun e klasës dënojeni tashmë publikisht…, megjithatë nuk u indinjuat aspak kur pak ditë më parë ky gur ”i çmuar” nuk fliste fare kur një popull i tërë merrej dhe grindjen me çështjen Tahiri. Ishte produkt i tij, por edhe armiku i tij…, një lloj ripërtëritje e luftës për ekzistencë me armikun e kllasës dhe partisë. Tani që e gjetët armikun e klasës, kthejuni normalitetit, kafeneve se punë ka vetëm kryeministri. Puna për ju është shfaqe e huaj.