Trump vendos të ndihmojë Italinë dhe sanksionojë shtetet që s’pranojnë të dëbuarit

 

 

“Italia, një nga aleatet tona më të afërta dhe më të vjetra, po shkatërrohet nga pandemia e koronavirusit″, deklaroi Trump.

 

“Edhe pse përgjegjësia e parë dhe më e rëndësishmja e qeverisë amerikane është ndaj popullit të saj, ndihma për Italinë do të ndihmojë në zbutjen e ndikimit të krizës”, shtoi ai.

 

Trump urdhëroi që personeli ushtarak amerikan i vendosur në Itali të vihet në dispozicion për të ndihmuar në ngritjen e spitaleve fushore dhe në furnizime me karburant e ushqime.

 

Ai vuri në pah se italianët që kanë nevojë për kujdes mjekësor, përveç rasteve me COVID-19, të mund të trajtohen në institucionet mjekësore ushtarake amerikane në Itali.

 

Italia ka numrin më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi në botë, gjithsej 18 mijë e 849 deri mbrëmjen e10 prillit, sipas Mbrojtjes Civile të vendit.

 

Nga ana tjetër, lideri amerikan dekretoi një urdhër ekzekutiv që i hap rrugën sanksionimit të vizave për vendet që nuk pranojnë personat e kthyer pas dëbimit të tyre nga SHBA-ja.

 

Sipas një komunikate me shkrim të Shtëpisë së Bardhë, në një shkresë dërguar Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Sigurisë së Brendshme, Presidenti Trump theksoi se ka nënshkruar një dekret të ri në lidhje me pandeminë COVID-19.

 

Pasi nënvizoi se pandemia e koronavirusit të ri ka marrë përmasa serioze në të gjithë botën, Trumpi vijoi me këto fjalë: “Shtetet që refuzojnë ose vonojnë pranimin e qytetarëve të tyre apo personave të deportuar nga SHBA-ja gjatë kohës së pandemisë COVID-19, krijojnë një rrezik shëndetësor të papranueshëm për popullin amerikan. SHBA-ja duhet të jetë në gjendje të implementojë vendimin e saj për të dëbuar qytetarët e shteteve të huaja, të cilët shkelin ligjet e këtij vendi.”

 

Në kuadër të urdhrit ekzekutiv të sipërcituar, ku megjithatë nuk përmendet emri i ndonjë shteti, në rast se Departamenti i Sigurisë së Brendshme konstaton që një vend nuk i ka pranuar qytetarët e kthyer pas dëbimit të tyre nga SHBA-ja, Departamenti i Shtetit është i autorizuar të vendosë sanksionimin e vizave për këtë vend.