Trump merr vendimin : Ndërpresim çdo fond ndaj OBSH-së, ka dështuar

 

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka bërë të ditur se vendi i tij po ndërpret fondet për Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në mes të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

“Sot po udhëzoj administratën time që të ndalojë fondet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë përderisa është bërë një rishqyrtim për vlerësimin e rolit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në keqmenaxhimin dhe mbulimin e përhapjes së koronavirusit”, tha Trump gjatë një mbledhje me taskforcën e koronavirusit të Shtëpisë së Bardhë.

Trump tha se taksa-paguesit amerikanë sigurojnë midis 400-500 milionë dollarë në vit për organizatën përderisa Kina jep vetëm 40 milionë dollarë. Sipas tij OBSH ka dështuar në detyrat e sa themelore, mes të cilave ishte dhe kundërshtimi për të ndaluar udhëtimet nga Kina.

“Si sponsor kryesor i organizatës, SHBA-të kanë për obligim të këmbëngulin në përgjegjshmëri të plotë. Një nga vendimet më të rrezikshme dhe të kushtueshme nga OBSH ishte vendimi katastrofik i saj për të kundërshtuar kufizimet e udhëtimit nga Kina dhe kombet tjera”, tha Trump.

Kjo nuk është hera e parë që Trump sulmon OBSH-në, pasi gjatë gjithë ditëve të fundit presidenti i SHBA-ve është përpjekur që të gjejë armiq të jashtëm për valën e jashtëzakonshme të përhapjes së virusit në shtetet amerikane.