Tjetër skandal, pas pagave del edhe databaza me targat e makinave

 

Tjetër skandal me të dhënat private të qytetarëve shqiptarë! Abcnews.al mëson se pas publikimit të listës së pagave dhe të dhënave të tjera të qytetarëve, së fundmi në rrjet po qarkullon një databazë me targat e makinave shqiptarëve.

Në databazë listohen targat bashkë me emrin e pronarit të makinës, si edhe numri i shasisë së automjetit.

Databaza që Abcnews.al ka parë është e ndarë në disa kolona ku listohen targat, modeli i automjetit, tipi, ngjyra e tij, numri i shasisë dhe emri i personit që e ka në pronësi.

 

Janë rreth 590 000 qytetarë, kompani dhe institucione të cilëve u janë publikuar të dhënat e automjetit të regjistruar në emrin e tyre.

Prej dy ditësh në rrjetet e komunikimit online kanë qarkulluar dy databaza të tjera. Njëra prej tyre përmban listën e pagave të shqiptarëve për muajin janar, ndërsa tjetra i përket muajit prill. Kjo e fundit krahas pagave, zbulon edhe numrat e celularëve të qytetarëve.

Prokuroria ka nisur hetimet duke zbarkuar në disa institucione që kanë akses në këto databaza. Prokuroria ka marrë në pyetje disa ekspertë të IT në Drejtorinë e Tatimeve dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Deri më tani janë pyetur 14 ekspertë IT, të cilët kanë pasur akses në serverin e pagave të qytetarëve. Në pyetje janë marrë edhe ekspertë në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ndërsa Prokuroria po kryen ekspertim edhe te kompjuterët e specialistëve të Tatimeve.

Pas këtij skandali kryeministri Edi Rama u kërkoi ndjesë qytetarëve që ishin pjesë e dokumentit me të dhëna personale. Ai i bëri thirrje prokurorisë të zhvillojë hetime të imtësishme, ndaj atyre që sipas tij me këtë akt synojnë të sjellin konfuzion dhe destabilitet. Rama theksoi se investimet në zhvillimin e këtij sektori do të jenë të pandalshme për të garantuar edhe më shumë siguri. Opozita fajësoi Partinë Socialiste duke e quajtur këtë një skandal pasues të atij të patronazhistëve. Basha deklaroi se Rama duhet të japë dorëheqjen për këtë shpërdorim politik të privatësisë së qytetarëve.