T’i themi ndal mërgimit, shuarjes së ndërgjegjes kombëtare!

Vilhelme Vranari Haxhiraj

Esse

Nëse i mungon truri dhe palca që e mban në këmb, kombi varfërohet materialisht dhe mendërisht. Pa trurin dhe palcën varfërohet dhe tjetërsohet ndërgjegja kombëtare!”Vivra

Shkak për këtë shkrim, u bë një mesazh që më erdhi më, 6.4.2019, nga z.Kastriot Berisha, Kryetar i LSHB, dhe Drejtor Ekzekutiv i Korp. “Kastriotët e Shqipërisë Inc”
Z.K.Berisha ka shpallur kandidaturën për deputet i pavarur në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës (Dardanisë), i cili ka paraqitur opsionet e veta. Nëse do të fitojë në zgjedhjet parlamentare, ka premtuar se do të dhurojë pagën e tij gjatë katër viteve si paralamentar.Këto të ardhura do të jenë ndihmë për njerëzit në nevojë, fëmijët jetimë,familjet e vobekta si dhe për gratë e përdhunuara nga serbët. Pasi e urova për kandidimin, e përgëzova për vendimin parazgjedhor, i shpreha dhe disa sugjerime që duhej t’i kishte parasysh.
Duke ndërmendësuar se të gjithë trojet shqiptare janë në fushatë elektorale për zgjedhjet vendore apo parlamentare, po shkruaj këtë ese, natyrisht sipas këndvështrimit tim mbi jetën që bën shumica e shqiptarëve. Eseja ime është gjithëpërfshirëse, pa e vënë gishtin tek “X” parti politike.
Si qytetare e Republikës së Shqipërisë, si bijë e këtij kombi,si nënë dhe si gjyshe i drejtohem gjithë politikës shqiptare dhe në veçanti gjithë atyre që do të paraqesin kandidaturën e tyre për të qenë në krye të shtetit apo institucioneve, sot dhe në të ardhmen.
Gjithëkush që ka sy të shohë, vesh të dëgjojë dhe pak mend për të gjykuar, e ka mëse të qartë se zgjedhjet paralamentare në një shtet pluralist janë vendimtare. Janë pikërisht ato, që i japin drejtim jetës ekonomike, politike, diplomatike dhe social-kulturore që do të ndjekë vendi. Por pas zgjedhjeve ndodh çudia. Për moszbatim të kushteve të premtuara, papunësisë, nivelit të ulët ekonomik dhe mosarritjeve në çdo fushë, lind mosbesimi i zgjedhësve te forca politike që është në qeverisjen e vendit.Duke mos gjetur asnjë mundësi dhe rrugë për realizimin e vetes në vendlindje, rinia po vazhdon të emigrojë, gjë që po e çon kombin drejt rrjedhjes së fuqisë së re punëtore. Për fat të keq ky komb vital po shkon drejt plakjes.
Një individ, apo qytetar/e, para se të vendosë për të paraqitur kandidaturën për legjislativin apo ekzekukitivin, sëx pari duhet të ketë kurajo morale e qytetare që të dalë para pasqyrës, të vështrojë shembëlltyrën e tij, t’i drejtohet vetvetes dhe duke e parë drejt e në sy, ta pyesë: “-A jam në gjendje ta kryej këtë mision madhor ndaj kombit tim? Cila është shkalla ime e njohjes së gjuhës shqipe, historisë sonë kombëtare të shkruar me gjak? A njoh sa dhe si duhet situatën politike, juridike, diplomatike, ekonomike, kulturore, marrëdhëniet sociale, shkallën e korrupsionit, problemin madhor të kufijve (çështja e moscënimit të trojeve kombëtare). Çfarë duhet të di lidhur me integrimin e gruas si bashkëndërtuese e familjes, e shoqërisë dhe e shtetit? I di cilat janë problemet e arsimit (lënia pas dore e gjuhës shqipe),apo të shëndetësisë dhe të pronave? Deri në ç’shkallë e njoh nivelin jetik të pensionistëve, pagat e ulëta të shumicës, kërkesat e rinisë studentore dhe shumë alternativa të tjera. A e kam të qartë se ç’nivel jetik kërkojnë bashkëkombësit e mi, të cilët do t’i përfaqësoj në organin më të lartë legjislativ, në Kuvend? I njoh rrugët që e çojnë vendin drejt progresit, drejt rritjes së mirëqenies kombëtare dhe integrimit të kombit?E kam të qartë vallë se ç’do të thotë për një ligjvënës apo ligjzbatues që edhe pse kanë kaluar 80 vjet nga pushtimi fashist e në vazhdim, Shqipëria e varfër, e drobitur, e telikosur, ende nuk ka gjetur rrugën e integrimit? Përse vallë? Nëse nuk e di burimin e fatkeqësive të pafundme të këtij populli, si do t’ia zgjidh problemet? E kam pyetur ndonjëherë veten pse shqiptari nuk është i sigurt në trojet e të parëve?” Për analogji po citoj këto vargje:
“Mbitoka e nëntoka
plot pasuri.
Përse o Zot…!
na dhurove kaq vuajtje e varfëri?!
Jam evropian…
po në Evropë vend nuk kam!
I kujt është faji vallë,
nëse s’jemi të barabartë?!” (Vivra, libri“Sa do të doja”f.14, Nacional, Tiranë 2017)
Unë mendoj se janë shumë, por do të veçoja katër(4) janë shkaqet kryesore të gjendjes së rënduar sociale, juridike që po çon në shterimin e kombit:
1- Vetizolimi ideologjik marksist-diktatorial gjysmëshekllor,që ka lënë pas shumë vargonjë nëpër këmbë, të cilët janë shndërruar në laklitar në qafat e shqiptarëve.
2-Tranzicioni i tejzgjatur që u bë si gangrenë për shqiptarët e gjorë, që nuk dinë se ç’sistem po ndërtohet dhe ngelën duke pyetur veten: Kur do të marrë fund për ne rruga e mundimeve?Dje kërkonim të ishim si Evropa, por a do të bëhemi vallë?
3-Mungesë e theksuar e racionalizmit në shfrytëzimin e të gjitha burimeve jetike natyrore apo të krijuara nga dora e njeriu, si dhe resurseve të rralla .
4-Zhdukja dhe mohimi i së shkuarës. Gjithçka e ndërtuar mbi këtë tokë është vlerë e pazëvendësueshme që shërben si dokument identiteti kombëtar.
Shqiptari lindi nën trysnin e pushtimit të huaj, të luftës së egër të klasave dhe tranzicionit, gjë që e mbrujti gjysmën e së tërës kombëtare me urrejtje dhe hakmarrje ndaj gjysmës tjetër të kombit. Për fat të keq kjo po vazhdon sepse dje ishin gjyshllarët dhe baballarët, sot janë bijtë dhe nipërit që bëjnë ligjin. Ata kanë në dorë legjislativin, ekzekutivin, drejtësinë, dipomacinë, median, biznes(ekonomi), arsimin dhe kulturën. Gjithmonë nën siglën e demokracisë po ndërtojnë të ashtuquajturin “shtet të së drejtës…” Janë po ata që deri dje betoheshin për partinë mëmë, kurse pas viteve ’90, ishin të parët që u sosën në vendin më demokratik, në ShBA, përqafuan ekonominë e tregut dhe sot e drejtojnë atë, duke u shndërruar në afarist të mëdhenj në kooperim me “kapitalizmin e egër”, nga i cili mbroheshin. Për ta mbajtur shqiptarin nën dhunën e frikës së sulmit imperialisto-kapitalistëve, u mohuan shqiptarëve të pastrehë 750 000 apartamente (1+1)sepse e bunkerizuan “Parajsën ku kanë folenë dhe prehen Perënditë!”(Vivra ,“Kush e vrau Kaftanazin” Toena,Tiranë,2002).
Pa pyetur ndërgjegjegjen dhe pa e vrarë mendjen, cilido që kërkon pozitë politike apo administartive mund të thotë se,“kur e kreu një mision të tillë “X” apo “Y”person që s’kishte asnjë gram mend, po unë pse të mos e bëj?”
Gjithsesi çdokush mund të mendojë se ka të drejtë. Sepse kur frymon një elektorat dritëshkurtër, që shprehet me cinizëm partiak, i cili duke tundur këmbët, këlthet e çirret: “Sikur edhe një shkop të jetë kandidati, unë atij do t’ia jap votën, sepse fiton partia ime.”-këtu qëndron e keqja e vendit tonë.
Kusht kryesor për politikën, institucionet, drejtësinë dhe jetën në tërësi, është Zhveshja nga ideologjizmi ose e thënë troç, Pastrimi i ndërgjegjes kombëtare, gjë që nis nga përzgjedhja e kandidaturave. Në të gjitha institucionet duhet të bëhet pastrimi ideologjiki metodave,pastrimi i teksteve shkollore, zhveshja nga termat ideologjike, pasurimi i historisë, gjeografisë, letërsisë me gjithë shkencat bashkëkohore të depolitizuara.
Por lind pyetja: -a janë mësuesët të prirur që të vetëpastrohen ndërgjegjësisht nga ideologjia komuniste?! E njëjta pyetje është edhe për administratën e çdo niveli, drejtësinë dhe median.
-Me fjalë po, kurse me shpirt dhe ndërgjegje, jo. Fatkeqësisht i janë dorëzuar shabllonizmit sipërfaqësor. Është e vështirë ta pranojnë. Po përse vallë nuk rinovohen dhe të ecin me hapin e kohës?! Jo vetëm në sipërfaqe, por me gjithë fuqinë e mendjes dhe të shpirtit, njeriu arrin ta mundi të keqen për të mirën e vetes dhe të kombit.E mira e të mirave është që çdo individ duhet të arrijë, njohjen e Nevetes. Në këtë mënyrë do të zbulojë anët e dukshme dhe anët e padukshme të qenies së tij.
Nëse ne shqiptarët nuk do të mendonim kaq cekët, se kushdo mund ta kryejë këtë mision madhor; nuk do të ishim në këtë gjendje. Ne jemi gjithmonë në kërkim të plotësimit të të njëjtave minikërkesa. Si duket na mjafton vetëm një çati sa të fusim kokën dhe një kothere bukë, për të qëndruar në këmbë, vetëm e vetëm të fitojë forca politike ku aderojmë. Dikur, para tri dekadash ishte dukuri brohoritja për të fituar numri(shumica) e detyruar për mungesë konkurenti, kurse sot diçka e tillë, është absurditet, madje është fenomen negativ që e ka thelluar diferencimin mes njerëzve me bindje politike të ndryshme. Këto ndarje mes njerëzve të një lloji, të një race e një gjaku, nuk sjellin asgjë të mirë për kombin dhe për komunitetin.
Kjo varfëri mendore, ky mjerim intelektual i politikanëve, i elektoratit apo individëve me vizion të ngushtë, ku mungon harmonia, mirëkuptimi, toleranca, çon në degradimin e kulturës, ku me kohë do të zëvendësohet me shuarjen e ndërgjegjes kombëtare. Ajo që vendos paqe dhe lumturi në një komb, është zbatimi i një politike rigoroze që i përshtatet kushteve sociale, ekonomike dhe kulturore.
Që të zhduken diferencimet sociale duhet të zbatohet një paanshmëri politike, si dhe një ekonomi e mirëmenaxhuar nga institucionet shtetërore. Kjo vlen edhe për sektorin privat dhe fermerin, të cilit i shkon prodhimi dëm për mungesë organizimi shtetëror. Domosdoshmëri është rritja e nivelit ekonomik, rritja e mirëqënies materiale si e individit dhe e të gjithë komunitetit në rang kombëtar.
Për shkak të nivelit mesatar kulturor të vendit, vetëdija e shqiptarit nuk shkon më tej se pragu i kasolles dhe i babanaces. Me këtë varfëri mendore, mjerë e ardhmja e vendit që troket në çdo çast! Ne mendojmë vetëm për kërkesa minimale, kur bota e dixhitalizuar mendon për shfrytëzimin e hapësirave të reja ndërplanetare për një jetë më të pastër pa intriga, pa dhunë, pa krime dhe pa korrupsion, ku komuniteti të jetojë në harmoni. Në vendin tonë si në gjithë vendet e tjera në zhvillim, vihet re një disnivel ekonomik, ku pakica ka paranë, pushtetin, drejtësinë, ekonominë, biznesin e madh, në vartësi të të cilëve është jeta elektorale, admninistrata shtetërore e të gjitha rangjeve. Madje dora e gjatë e padrejtësisë arrin deri te sanitarja e spitalit, që dhe ajo emërohet me partishmëri.
Nëse kriteret që kërkon një kandidaturë do të shiheshin me lente dhe do të punohej me përparësi për plotësimin e tyre gjatë çdo mandati, nuk do të ishim në këtë gjendje.Por kur ama? Vetëm kur si ligjvënës, ligjzbatues, si administratë e lartë, e mesme dhe e ulët shtetërore do të ishin profesionistë të aftë,të pakurruptuar,të painkriminuar. Në rast se politika dëshiron integrimin e kombit, mos t’i gjejë njeriut, punën, por punës t’i gjejë njeriun e duhur. Natyrisht vendi ynë ka shumë intelektualë të mirëfilltë, ka individualitete të përgatitur sipas parametrave bashkëkohor dhe që iu përgjigjen kërkesave të kohës, por edhe ata ose janë zhytur në llumin e padrejtësisë dhe korrupsionit, apo në të kundërt janë lënë në harresë si të padëshirueshëm. Sa vajza dhe djem të arsimuar, të aftë profesionalisht, të trainuar e me gjuhë të huaja, u plakën duke menduar se kurrë nuk do t’i japin vlerat e tyre.
E drejta e të jetuarit, e arsimimit, e punësimit, e zgjedhësit dhe e të zgjedhurit, e ballafaqimit për ta sfiduar kohën, i takon kujtdo.
Të gjithë e kemi të qartë se jeta është llogari qysh kur agon dhe deri sa perëndon. Pa të ardhura të tjera ndihmëse jashtë rrogës apo pensionit, jeta është e papërballueshme, krahas detyrimeve shtetërore dhe atyre shëndetësore. Njësia matëse e nivelit ekonomik të Shqipërisë nuk matet vetëm me Tiranën, por me qyetet e tjera dhe me zonat e thella rurale. Çdo forcë politike që ka qenë në fuqi, ka ecur me të njëjtat kritere. Mjafton të marrin pushtetin, duke i anashkaluar premtimet e fushatave zgjedhore, e shndërrojnë veten në njerëz të palyrë të premtimeve boshe. Për të fituar zgjedhjet elektorale, janë gati të bëhen kurban për elektoratin, por “pasi e kaluan lumin, nuk kanë nevojë më për kalin!”
Meqënse shkak i këtij shkrimi u bë z. Kastriot Berisha, po bëj krahasimin e kushteve mes elektoratit shqiptar të Kosovës me ne të Shqipërisë londineze.
Ndaj shqiptarëve të Kosovës u ndoq gjenocid barabar, i papërshkruar dhe tejet i dhembshëm nga ardhacakët e Ballkanit, serbët. Kurse tek ne u ndoq gjenocid antinatyral, antinjerëzor brenda llojit, ku vrau vëllai-vëllanë, u bë hasëm djali me babanë.
Në Kosovë nuk u prek prona private, kurse këtu u konfiskua dhe sot po humbet legjitimiteti i të drejtës së pronës. Duke iu dhënë pronarëve legjitimë një lëmoshë si gjoja kompesim, pronat e shqiptarëve po kalojnë në pak duar, në këtë mënyrë shtresa e mesme po zhduket dhe si origjinë.
Me zhdukjen e shtresës së mesme, çifligarëve, borgjezisë së vogël, tregtarëve dhe konfiskimit të pronës legjitime, u zhduk palca e kombit. Me burgosjen dhe vrasjen e inteligjencës së arsimuar në Perëndim, u zhduk truri i kombit. A qëndron kurmi në këmbë pa tru dhe pa palcë?!
Izolimi nga bota e zhvilluar:Ne premë çdo marrëdhënie me botën e zhvilluar, sepse u vetizoluam si kafshët në kopshtin zoologjik.Me ne bota eksperimentoi se sa mund të jetonim vetëm me ajër, ujë dhe dritë? Kurse shqiptarin e Dardanisë e pajisën me pasaportë evropiane dhe sot s’ka familje kosovare që të mos ketë një a më shumë anëtar të saj të integruar në emigracion. Veç problemit madhor që ka me Serbinë, Kosova do të integrohet më shpejt se vendi ynë. Shqipërisë londineze i duhet shumë punë për të bërë. Së pari duhet të luftojë mendësitë ideologjike të një sistemi të dështuar, pastaj të ulet shtruar për problemet që vazhdojnë të jenë plagë të pashërueshme në trupin e brishtë të kombit tim.
Ndoshta kam shumë për të thënë, lidhur me kandidaturat, të cilat kanë një rëndësitë veçantë në ecurinë e reformave që çojnë drejt zhvillimit tërësor të vendit, por fatkeqësisht nuk jam politikane. Jam një qytetare shqiptare, shkrimtare, publiciste, eseiste dhe studiuese,që e dua vendin tim të begatë, ku në çdo rrugë, të dëgjohen zërat gazmor të brezit të ri, i cili është e ardhmja e kombit. Ndaj këto fenomene negative që më sëmbojnë shpirtin, ndikojnë në rrjedhjen e kombit, në varfërinë mendore e morale të tij.
Ç’duhet të ketë parasysh çdo qytetar apo qytetare që vendos kandidaturën?
Cilido qytetar që me të drejtë kërkon votbesimin e elektoratit, pasi të bëjë skanerin e Vetëqenies, duhet të provojë aftësitë e veta:
Deri në tri breza, që nga shpallja e Pavarësisë, të mos ketë asnjë paraadhës, që ka bërë krime ndaj shqiptarëve. Personalisht të jetë figurë e pastër, të mos ketë qenë i implikuar me Sigurimin e Shtetit(Arma vetëvrasëse e kombit), apo shërbyes i pushtuesit.Çdo kandidat duhet të provojë formimin e tij individual duke dhënë provim në këto lëndë:
-Gjuhën shqipe; Historinë dhe Gjeografinë e Shqipërisë; Estetikën,; Etikën dhe Oratorinë. Veç dëshmisë, secili duhet të japë provim në anglisht përmes një Eseje, ku të analizojë : “Politika në rajonin e Ballkanit”. Apo një temë tjetër: “Si mund të dalë Shqipëria nga kolapsi i tranzicionit, që e ka kapur për gryke dhe po i merr frymën. Ka mjaft tema që kanë material të bollshëm e mund t’i zhvillojë edhenë frengjisht, por kryesisht në anglisht.Një temë tjetër e bukur do të ishte: “Ndikimi i ShBA për fatet e kombit tonë” që ka nisur me, “Çiftin Kenedi në Shqipëri(1908), “Presidenti Willson në shtypin shqiptar”, Xhorxh Fred Wiliams dhe Shqipëria (1914), ShBA pas Pavarësisë Kombëtare, si Kryqi i kuq amerikan. Në vazhdim shkolla teknike “Harry Fulltz”, që nxori ajkën e kombit të cilët përfunduan në gijotinën e diktaturës. SHBA ka qenë gjithmonë udhërrëfyese e zhvillimeve për kombet e pazhvilluara apo në zhvillim, si ne. Nuk mund të anashkalohen e të lihen në harresë presidentët, si: Xhorxh Washington (me gjysmëorigjinë shqiptare), Thomas Woodrow Wilson, (Xhorxh Bushi Ati dhe biri), Ronald Reagan, Çifti presidencial Klinton, dhjetëra senatorë mes të cilëve do të veçoja senatorin me origjinë shqiptare, Joseph DioGuardi avokat i Shqipërisë dhe çështjeve ballkanike, i cili i ka vizituar trojet shqiptare mbi 20 herë dhe vazhdon të punojë për çështjen shqipatre. Të gjithë në kohën që jetuan apo jetojnë kanë bërë dhe bëjnë shumë për Shqipërinë dhe çlirimin e Kosovës. Për fat të keq politika, me fjalorin vulgar në ekran dhe në foltoren e Kuvendit, ka dhënë dhe jep shembull negativ për brezat.
Jo më kot i vendosa këto personalitete botërore, sepse fjala e cilitdo prej tyre ishte balsam për shqiptarët shpirt lënduar, e prirur nga dashamirësia e një miku të mirë. Ata dhe shumë miq të tjerë të Shqipërisë kanë qenë udhërrëfyes për zhvilllimin e proçeseve demokratike në vend. Ndaj është mëkat për cilindo që nuk merr si shembull personalitete të tillë botërore që i kanë dhënë shtysë shoqërisë njerëzore.
Alfabeti i gjuhës sonë nis me shkronjën “A”. Për të kandiduar një figurë e pastër shumë pika nga këto duhet të sanksionohen me kushtetutë. Po e mbyll me një shembull të rëndomë. “Populli është si bagëtia. Nëse çobani është i zoti, kopeja ngelet e pacënuar nga egërsirat.” Kjo ndodh edhe me politikën. Nëse mbahen premtimet e dhëna elektoratit, ndiqet një paanshmëri politike, hapen vende pune dhe shqiptari nuk ka pse mërgon më. Kur shteti i krijon kushtet e favorshme të zhvillimit të bujqësisë dhe menaxhimin e prodhimeve bujqësore ebegtorale, fermerit t’i çelet rruga e tregut, asnjë nuk e lë tokën djerrë dhe shkon të punojë argat në vend të huaj. Nëse i jepet prioritet zhvillimit të artizanatit të të gjitha profesioneve asnjë nuk largohet nga atdheu. Nëse për bindje politike nuk e lë pa punë një intelektual të mirëformuar, por e vlerëson si vlerë dhe ai që është jashtë shtetit, do të kthehet.
I nderuar lexues, barometri i emigracinit është politika shtetërore e të gjitha niveleve. Po të hiqet ryshfeti si këmbim vlere profesionale apo juridike dhe secili të marrë shpërblimin sipas aftësisë, të gjithë do të ngelen të kënaqur. Paskëtaj do të zhduket diferencimi ideo-klasor dhe material. Mllefi, urrejtja dhe hakmarrja do të shkojnë drejt zhdukjes.
Vetëm Politika dhe Drejtësia kanë përgjegjësinë morale për boshatisjen e kombit nga rinia. Nuk duhet të lejojmë që nesër të thonë: “Na ishte një herë Shqipëria?!” Ndaj tek ne ka nevojë për “DREJTËSI, e cila është e barasvlertë me lirinë e shpirtit, të cilën e vendos vetëm i virtytshmi! ” (vo:Vivra , “Driëhijet e medaljes enigmë…”-Nacional, Tiranë 2010).
Vlorë,30 prill,2019