Ti nuk je si Agron Tufa, profesor!

Nga Enver Bytiçi

Ti nuk je si Agron Tufa profesor i opinioneve! Ti ke ndërruar pampersa të buta, ndërsa Agron Tufa ka lind dhe është bërë burrë pa pampersa, madje pa brekë, me një këmishë të bardhë si fustan. Se edhe hallatet andej nga është Agron Tufa nuk duan të ndryhen! Ti ke zgjedh jo vetëm degën e studimit, por edhe shkollën ku do të shkoje! Agron Tufa as ëndërr nuk e ka parë zgjedhjen! U rrit në shkrepa, por i lirë. Ndërsa ti lirinë tënde e kufizoje diku te 100 metër përtej rrethit të ngushtë të bllokut! Agron Tufa nuk u rrit me biblioteka e libra të shumtë në dhomën e gjumit si ti. Por atë libër që i binte në dorë e përpinte!

Ti nuk je si Agron Tufa profesor i anglishtes! I thua Agron Tufës se ke bërë plagjiaturë. Se ti nuk e di se Agron Tufa trembet nga plagjiatura, se skuqet, se ka turp t’ia thotë dikush këtë akuzë. Ndërsa ti, që je bërë doktor e profesor me shkrime gazetash e pa asnjë studim serioz, ti që je bërë doktor e profesor se je djali i një profesori të përkëdhelur të diktaturës, ty nuk të besohet se djali që erdhi me opinga nga malet e Dibrës mund të bëhej doktor e profesor. Ke xhelozi profesor i oborrit, se profesorët e malit janë si eter në ajr! Ata nuk shihen, nuk bëjnë zhurmë, nuk shfaqen. Veç kur t’i shohësh në auditore! Dhe atëherë ti habitesh e thua “Nga na erdh ky malok”! Ata vijnë ashtu pa u dukur në jetën njerëzore dhe ti nuk bën tjetër vetëm befasohesh e nuk ke si ta besosh. Kësisoj më shumë artikulon gënjeshtrën sesa të vërtetën. Prandaj nxjerr helm dhe sulmon ma u matë! Me ç’të vijë për mbarë! Akuzon si prokuror!

Por këtë e bën edhe për një arsye tjetër profesor! Se ti nuk ngopesh me prenë tënde! Nuk ngopesh me mishin e gjakun e kësaj preje, e ke në gen t’ia thërmosh edhe kockat! Eshtë ves geni ky profesor! Nuk ka të bëjë me gradat, as me titujt, është çeshtje karakteri! Prandaj nuk ngopesh me akuza dhe etiketime për prenë tënde të fundit, me emrin Agron Tufa! Humanja është thjesht një operacion yti për tituj e grada, por jo një ndjenjë që ta qetëson shpirtin!

Ti nuk je si Agron Tufa profesor, se ti nuk e di çfarë është vuajtja, aq më pak çfarë është emigrimi, arratisja prej dheut tënd! Ti nuk e di, se beson që askujt nuk i dhimbset toka që e lindi. Ti ikjen e tjetrit e trajton siç do të pëlqente ty, si nevojë jetike të familjes. Dhe e di ti se çfarë është arratisja prej vendlindjes, prej vendit e atdheut tënd, profesor?! Eshtë dhimbje në shpirt, është lot, më shumë se lot, më shumë se dhimbje, është tragjedi, është përmbysje e planetit për të, është diçka e panjohur, e për pasojë pasiguri, ankth, zhgënjim, tragjedi dhe dramë e pafund! Kot që t’i them këto profesor!

Ti nuk ke përjetuar ndonjëherë të tilla drama! Prandaj e gjykon Agron Tufën me veladonin e zi të prokurorit. Por perëndia sheh, profesor! Perëndia ndjen, profesor e bërë avokat i djallit!