Thyerja  e dyerve të Selisë.PD : Akti më i shëmtuar në 30 vite sulmi i dyerve me bosët e krimit

Partia Demokratike ka sulmuar ditën e sotme ish-kryeministrin Sali Berisha, pas ngjarjes të ditës së sotme në Selinë blu, ku një derë u shpërthye me forcë.

Partia Demokratike identifikoi personin që hapi derën me forcë si Fatjon Dauti, një eksponent i krimit të organizuar sipas tyre. Ai u padit nga PD menjëherë pas këtij incidenti brenda Selisë blu.

Edhe Lulzim Basha gjatë konferencës së tij, pak pasi Sali Berisha paralajmëroi gjatë një konferencë në Selinë e PD-së ditën e sotme se shkarkimi do t’i shkojë Lulzim Bashës me anë të një letre, sulmoi Dautajn, duke theksuar ndër të tjera se ai është një trafikant kokaine ne Angli.

Duket se Basha nuk është mjaftuar me kaq. Në një tjetër reagim zyrtar, PD thotë se akti më i shëmtuar në 31 vite është kjo që bëri Sali Berisha ditën e sotme, pra sjellja në PD e eksponentëve të krimit të organizuar me në krye Fatjon Dautajn.

Për më tepër, PD thekson se kjo tregon se Sali Berisha është i vendosur të shkelë mbi cdo demokrat që vë interesin e PD-së para interesit personal të Berishës, por shton se faktet tregojnë që shumica dërrmuese në Partinë Demokratike kanë zgjedhur të ecin para.

REAGIMI

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË

Sjellja nga Sali Berisha në selinë e Partisë Demokratike e bosëve të krimit të organizuar, me në krye Fatjon Dautin, është akti më i shëmtuar që ka ndodhur në këto 31 vite të ekzistencës së PD. Selia e demokratëve nuk mund të sulmohet me trafikantë droge. Kjo parti s’ka asnjë lidhje me trafikantët e drogës, as me bosët e krimit të organizuar. Përpjekjet për të zëvendësuar institucionet e partisë me aktet e dhunës së bosëve ndërkombëtarë të krimit të organizuar, janë akte tipike të një celule ilegale. Institucionet e partisë kanë marrë vendimet e tyre, duke vendosur përfundimisht të zgjedhin të ardhmen, interesin e demokratëve, Partisë Demokratike dhe Shqipërisë.

Fyerja e pashembullt nga Sali Berisha drejtuar 5004 anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PD, shumicës dërrmuese të këtij organi, duke i etiketuar si socialistë, ekstremistë të majtë, enveristë të thekur, është shprehja më e qartë që Sali Berisha ka zgjedhur të shkelë mbi çdo demokrat që i shërben interesit të demokratëve, interesit të PD dhe jo interesit personal të tij. Është fakt që shumica dërrmuese e Kryesisë së Partisë, e Këshillit Kombëtar dhe e Kuvendit Kombëtar, kanë zgjedhur të ardhmen dhe interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar bunkerizimin e PD për hallet personale të askujt.