Thumanë – Kashar/ Gener 2 = 330 mln euro, Studimi = 169 mln euro, reagon Basha

Pas publikimit të “Raportit të monitorimit të strategjisë së zhvillimit të transportit për vitin 2016-2020” nga Ministria e Infrastrukturës, ku bëhet e ditur se studimi i fizibilitetit për Autostradën Thumanë – Kashar që u financua nga donatorët për Autostradën Adriatiko – Joniane ka përfunduar dhe rezulton me kosto 169 milionë euro, ndërkohë Qeveria kishte nisur në të njëjtën kohë procedurat e koncesionit PPP, të cilin e fitoi kompania Gener 2 me vlerë 330 milionë euro dhe i cili u anulua, reagon Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke se theksuar se në vend të ndërtimit të infrastukturës, të rrugëve, të porteve, të linjave të energjisë Edi Rama po vjedh paratë e shqiptarëve gjoja për të bërë rrugë.
“Në vendin më të varfër të Europës një kilometër rrugë kushton dhjetë herë më shtrenjtë se në vendet më të pasura të botës, më shtrenjtë se në Amerikë, Gjermani apo Zvicër,” thekson Lulzim Basha në reagimin e tij përmes rrjetit social Facebook duke e shoqëruar me video ndërsa përfundon:
“Sepse këto janë projekte për të vjedhur!”
Ndryshe, Autostrada Adriatiko-Joniane ishte projekti i vetëm i infrastrukturës rrugore shqiptare që ka marrë financime nga Bashkimi Europian nëpërmjet Nismës së Berlinit. Të gjitha segmentet e këtij aksi, nga kufiri në Malin e Zi në zonën e Shkodrës deri në kufijtë jugorë me Greqinë do të financoheshin nga Bashkimi Europian. Pavarësisht këtij fakti, qeveria e Shqipërisë, nisi të ndërtonte me PPP kundrejt kostove shumë më të larta për projektin e vetëm i cili mund të siguronte financime të huaja.