Thirrje per te pushkatuarin pa varr Mit’hat Hajrulla Vorpsi

Nga Marsida T. Najdeni

Kërkoj ndihmë për të pushkatuarin ende pa varr z. Mit’hat Hajrulla Vorpsi. Lexoje me vëmendje deri në fund. Do t’habiteni!

Familja Vorpsi është një familje fort e dashur për të gjithë ne komunitetin tironas, edhe kurrsesi nuk mund ta lejmë Mit’hatin ta zejë pluni harresës, mirë që komunistët i morën jetën dhe e lanë pa varr. Nëse keni foto, info, ngjarje ndajini me koment. Është detyrim moral t’i ndajmë për të ndihmuar Mit’hatin.

MIT’HAT HAJRULLA VORPSI .
Lindi në vitin 1906 në gjirin e ngrohtë të familjes Vorpsi, të cilët për zanat kishin argjentarinë. Ashtu si gjithë djemt tironas dhe Mit’hati nuk iu nda babës, edhe prej tij trashëgoi zanatin e familjes. Meqë tregtia nuk ishte e pakët dhe bashkarisht blejnë një tokë bujqsore në fshatin Brukë në Valias. Këtu bie dhe posht tallja 50 vjeçare se ferma shqiptare mori zhvillim në komunizëm. Kurrësesi, ishin djem si Mit’hati, të cilët me parat e tyre, me dijen dhe djersën e tyre ngritën ferma të kohës me makineri evropiane. Pronën prej 112 hektarësh e kthen në një shembull suksesi: 3 traktorë, 4 makina shirëse gruri dhe misri, 2 makina korrëse bari, 1 makinë korrëse – lidhëse kashte, 1 makinë mbjellëse gruri dhe misri, 2 mullinj drithi, 4 kuaj pune, 18 lopë dhe viça, 400 dele, si dhe një sasi të konsiderueshme plugjesh, disqe për diskimin e tokës dhe shumë mjete të tjera ndihmëse për makineritë bujqësore.

Çdo gjë po ecte për bukuri deri me ardhjen e pushtuesve të kuq. Viti 1948, viti i mbrapsht i konfiskimeve të jashtzakonshme me dhunë. Kur humbi pronën padrejtësisht, humbi gjithë veglat industriale, e çdo gjë tjetër. Gjithësesi si një tironas karakteristik iu kthye punës, prap tregtisë, u rikthye tek zanati i vjetër. Ama kuçedrat e kuqe, të cilët jo vetëm babzia nuk iu shterrua kurrë, por as edhe urrejtia nuk ju lodh në korrik të 1951 e arrestojnë. Nga dita që e morën nga shtëpia me dhunë kërkush nuk e pa më. Fëmitë u rritën pa babë dhe brenga e madhe i shoqëron sot nipër e mbesa. Jo vetëm për fatin e tij su mor vesh asgjë, por s’ka një varr ku të kujtohet. Makabritete absurde…

Këtu tani mua më mbeti mendja. Mbase dhe gaboj që e tregoj. Një nga vilat e familjes Tufina është përballë farmacis 5. Një vilë e madhe, e bukur, me mermer e me vaska ka qenë etj. Siç e kërkonte koha e Tiranës së atyre viteve, as kjo vilë nuk mbeti mbrapa. Ia konfiskuan familjes me dhunë dhe gjyshi im, Bahri Tufina, ka bërë gati 1 vit hetuesi me tortura çnjerëzore. Vilën e familjes Tufina mbasi e vodhën komunistët, apo më mirë mbasi e grabitën, e kthyhen në burg hetuesie për një farë periudhe, që përket dhe me vitin 1951 kur u zhduk zotni Mit’hat Vorpsi. Ngjarjen në vazhdim ma ka treguar ime më, Mirvjen Tufina. Nondaja ime, Qerime Struga Tufina, mbasi i nxorrën nga shtëpia u kthyhen të jetojnë në një shtëpi të vjetër mbrapa vilës që e përdornin si për magazinime dikur. Im gjysh, Bahri Tufina, për këtë paguante qira, edhe pse ishte në pronën e tij. Nga baçja e kësaj magazine të kthyher në shtëpi dukeshin dritaret mbrapa të vilës së konfiskuar kthyher në burg. Nondaja ime duke nderë plaçkat në bahçe dhe kur ngre sytë shikon një burrë që ia bënte me dorë dhe i bënë shenjë për ujë. Ai burrë ishte i raskapitur nga torturat e tmerrshme. Komshijtë tregonin sesi gjithë natën nga vila e kthyher në burg dëgjoheshin ulërimat e të mjerve të pafajshëm. Nondaja shokohet sepse u trondit nga pamja, vrapon në shtëpi dhe kur del me ujë ai burrë s’qe më. Kur e pyeta mamin se a e njihte nondaja këtë burrë ajo më tha: “Po si s’e njifte ai ishte çun ke Vorpst, mik i shpisë.” Nuk e di tani nëse kjo histori ka të bëi me Mit’hatin, por sa herë e kujtoja me mamin na u rrënqethte mishi sepse nondaja e vuajti shumë dhe psikologjikisht këtë episod dhe shumë të tjera me vuajtiet e familjes së saj.

Kërkojmë drejtësi për njerëzit tanë. Kur do ta marrim nuk e di. Ju lutem shtoni informacionin për zotni Mit’hat Vorpsin me ç’të mundeni.