Thaçi nis konsultimet me partitë politike

Pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka filluar konsultimet me partitë politike në lidhje me zhvillimet në vend. Sot ai ka nisur takimet me dy parti të komuniteteve jo shumicë që përfaqësojnë komunitetin turk dhe atë boshnjak në Parlamentin e Kosovës.
“Republika e Kosovës ka mbetur pa qeveri,” thuhet në komunikatën e lëshuar nga Presidenca duke sqaruart se në takimet e sotme janë ftuar përfaqësuesit e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, KDTP, dhe ata të subjektit VAKAT nga grupi parlamentar 6 plus.
Presidenti Thaçi është shprehur se tani shtrohet nevoja për hapa konkret – në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës – për të pasur sa më shpejtë një qeveri funksionale e efektive.
“Kjo qeveri duhet të reflektojë vullnetin e partive politike për një solucion të ri qeverisës apo atë të një procesi elektoral të ri dhe të bëjë të mundur që Kosova të bëhet sa më shpejtë me qeveri,” thekson Presidenca duke bërë të ditur se takimet me partitë tjera politike do të vazhdojnë në ditët e ardhshme, varësisht nga agjenda dhe zhvillimet brenda vet partive politike përkatëse.
Ndërkohë Ish-Kryeministri Ramush Haradinaj ka ftuar në një takim liderët e koalicionit por atij nuki është përgjigjur kryetari i PDK, Kadri Veseli derisa Fatmir Limaj i NISMA dhe Bexhet Pacolli i AKR.
Nesër, Presidenti Thaçi ka paralajmëruar një takim me Kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.
Ndryshe, më 19 korrik Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, pasi që ishte ftuar nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Veçanta në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.