Thaçi kërkon mandatarin, Kurti thotë se do t’i drejtohet Kushtetueses

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për gazetarë, ka paralajmëruar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese për aktgjykim veprimin dhe vendimin e presidentit Hashim Thaçi, me të cilin synohet që mandati për formimin e qeverisë së re, t’i ofrohet asaj partie politike që dëshmon se ka shumicën në kuvend.

Duke anashkaluar partinë fituese të zgjedhjeve për formimin e qeverisë, në këtë rast Lëvizjen Vetëvendosje, kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti, i cili është edhe kryeministër në detyrë, tha se presidenti shkeli rendin kushtetues, kështu që lënda do të përfundojë në Gjykatë Kushtetuese.

“Vullnetin e shprehur me votë nga qytetarët po përpiqet që ta mbyll (v.j. presidenti Thaçi) me një dekret anti-kushtetues, ku do të përjashtojë partinë e parë fituese të zgjedhjeve. Nga roli unifikues dhe kompetencat që ja parashtron Kushtetuta, presidenti sot doli në ilegalitet. Andaj formalizmi i deklarimeve të sotme do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese pa dyshim”, tha Kurti.

Kurti tha se pas votimit në kuvend të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, më 25 mars, zgjedhjet janë opsioni i vetëm dhe jo formimi i qeverisë pa partinë fituese. Ai përsëriti se koha për organizimin e zgjedhjeve është pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit.

“Duke u munduar të na rrëzojë ne ai po e rrëzon vetveten”, tha Kurti, duke iu referuar veprimeve të presidentit Thaçi dhe synimeve të tij për formimin e qeverisë së re pas mocionit të mosbesimit.

Zotimet e tij për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese Kurti i bëri në ditën kur mori letër nga presidenti Thaçi, përmes së cilës ai i bëri me dije se nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për formimin e qeverisë së re. Nisur nga ky interpretim, Thaçi mblodhi në një takim partitë politike dhe kërkoi mendimin e tyre nëse janë për zgjedhje apo për qeveri të re.

Në bazë të deklarimeve të të gjitha partive të pranishme ne takim, vetëm Lëvizja Vetëvendosje ishte në favor të organizimit të zgjedhjeve pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit, kurse partitë tjera në favor të formimit të qeverisë së re.

Mbi bazën e këtyre deklarimeve, Thaçi tha se do t’ia japë mandatin për forimin e qeverisë partisë që garanton shumicën në kuvend.