Telegram i hapur Drejtuar: Ilir Hoxhës

Nga Albert Avduli

Telegram i hapur
Drejtuar: Ilir Hoxhës
Adresa : Te rrënojat e shtëpisë së nënës tij.
Tiranë, më 30 qershor 2020.

Ilir, lexova letrën e hapur që i drejtoje kryeministrit të vendit, për prishjen e shtëpisë.
Si qytetar, ke të drejtë të kërkosh, të akuzosh apo mbrosh të drejtën ligjore. Me rënien “de jure” të komunizmit, kjo e drejtë, ju përket dhe juve si kujtdo qytetar të këtij vendi.
Nuk dua dhe nuk mund të merem me fatin e publicistikës tuaj rreth banesës, por po ju shkruaj këtë mesazh të shkurtër:
Ilir, për banesë po ju shkruaj dhe unë, por jo banesë si e juaja…
Janë mbi njëmijë vetë në Shqipëri që nuk u janë gjetur eshtrat. I ka pushkatuar apo groposur të gjallë pushteti gjakatar i tyt eti.
Banesa e fundit është e përjetëshme, por disa qindra ende nuk e kanë
Ajo po kërkohet prej tre dekadash për viktimat e regjimit komunist dhe heshtni të gjithë.
Ilir, nga ti nuk po kërkohet “mea culpa”, sikurse bëri biri i kryeministrit të asaj kohe.
Jo, ti nuk je përgjegjës për krimet e babait, por mund t’ju bëje një letër të hapur gjithë ish oficerëve, sigurimsave, pushkatarëve, hetuesve, xhelatëve të asaj kohe, që të rrëfejnë ku janë eshtrat e viktimave tuaja.
Justifikimi se nuk të dëgjojnë është i papranueshëm. Ata, ty të kanë idhullin e idhullit dhe janë ata të cilët ju vizitojnë më 11 prill, 16 tetor dhe 8 nëntor. Janë datat tuaja këto Ilir dhe veç ajo e prillit ju pikëllon, dy të tjerat janë ngazëlluese.
Ilir, gjuha shqipe, mallkimin më të rëndë ka “Mbetsh pa varr !”
Kjo nëmë, zakonisht lëshohet nga nënat tejet të dhimbura, nga nënat që ju shkulet zemra.
Kjo anatemë, si rregull, ju dërgohet xhelatëve, kriminelëve, të pashpirtëve.
Rasti ka krijuar ironitë e tij dhe pa varr kanë mbetur fisnikët, patriotët, klerikët dhe intelektualët.
Për kaq ju shkruajta …
Pa shtëpi nuk ke mbetur, por e drejta jote të kërkosh të disatën.
Mallkimin “e të pavarrit” mos e paç !