“Të zgjedhim të ardhmen mbi të shkuarën “-Yuri Kim sinjale për Berishën në Ditën e Rinisë

 

Pak orë pas mesazhit në faqen zyrtare të ambasadës së SHBA-ve për ditën e Rinisë, ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka shpërndarë një postim të ngjashëm, por me mesazhin direkt për të zgjedhur të ardhmen dhe jo të shkuarën.

Pakkush do të besonte se ky nuk është një sinjal për situatën politike aktuale në vendin tonë, ku Kim bën thirrjen e disatë radhazi për t’u shkëputur nga e shkuara duke iu referuar Sali Berishës, i cili të shtunën ka thirrur Kuvendin Kombëtar të PD-së.

Kim thotë se është koha që shqiptarët të vijojnë të ecin përpara dhe të mos shohin prapa, ndërkohë që gjatë ditës së nesërme vendin tonë pritet që ta vizitojë dhe i dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Gabriel Escobar.

Ky i fundit do të ketë takime me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Basha, ndërkohë që prishmëria për mesazhet që ai do të japë për vendin tonë është e madhe.

Ai ka nisur një tur takimesh në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ku ka bëre thirrje për vijimin e procesit të integrimit dhe dhënies fund të fenomeneve të pandëshkueshmërisë.

Mesazhi i KIM: SHBA është ende me studentët e Shqipërisë në kërkesën tuaj për të qenë “si pjesa tjetër e Europës”. Ne jemi krenarë që jemi Aleati juaj i NATO-s dhe mbështetja në BE. Ne duam të jemi më të drejtë, më të fortë, më të pasur. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ecur përpara dhe jo prapa, të zgjedhim të ardhmen mbi të shkuarën.

Mesazhi në faqen e ambasadës: Sot, ne nderojmë studentët guximtarë të cilët 31 vjet më parë protestuan sypatrembur kundër një prej regjimeve më mizore të Europës, duke kërkuar fundin e komunizmit dhe fillimin e një epoke të re lirie, pluralizmi, ekonomie tregu, lirie fetare dhe lirie të fjalës. Ata kërkuan një Shqipëri “si gjithë Europa”. Ne jemi krenarë që kemi qëndruar në krah të popullit shqiptar atëherë dhe do të qëndrojmë krah tij ndërsa ata përqafojnë të ardhmen.