Të zbatohen rekomandimet, Leskaj: Problem largimi i zyrtarëve të konstatuar me shkelje

Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka bërë apel Kuvendit që të ndjekë me kujdes rekomandimet e bëra për institucionet dhe sidomos ato që lidhen me largimin e zyrtarëve të korruptuar. Kreu i KLSH Bujar Leskaj duke folur gjatë prezantimit të strategjisë 2018-2020 kërkoi miratimin sa më parë të nënkomisionuit që do të ndjekë zbatimin e rekomandimeve. Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi premtoi se do ta miratojë sa më parë ngritjen e nënkomisionit parlamentar për çështjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Rekomandimet e bëra nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në lidhje me abuzimet e konstatuara nga auditimet nuk zbatohen nga institucionet dhe sidomos kur flitet për largimin e zyrtarëve të konstatuar me shkelje. Ky shqetësim u ngrit gjatë aktivitetit ku u prezantua strategjia për zhvillimin e KLSH-së 2018-2020.

Leskaj: Kusht të ulët kemi vetëm zbatimin e rekomandimeve për largimin e zyrtarëve të lartë nga detyra kur konfirmohet nga auditet e KLSH që ata kanë kryer shkelje në punën e tyre.

Kreu i Kontrollit të lartë të Shtetit i kërkoi kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi që Kuvendi të rrisë rolin e tij kontrollues për zbatimin e rekomandimeve .

Leskaj: Kuvendi i Shqipërisë, ndjekja e zbatimeve të rekomandimeve të KLSH për të cilën ne kemi rënë dakord, kemi gjetur mbështetjen e Kuvendit, por kuptohet që për rezultatet të gjithë duhet të bëjmë shumë. Angazhim juridik që kërkojmë ne nga qeveria e Shqipërisë, nxjerrja e një urdhëri nga kryeministri për zbatimin e rekomandimeve të KLSH

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi premtoi se gjetjet e auditimeve dhe rekomandimet e KLSH do të kalojnë nëpërmjet një procesi të gjerë shqyrtimi e llogaridhënieje. Gjithashtu Ruçi tha se shumë shpejt do të miratojë ngritjen e nënkomisionit parlamentar për çështjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Ruçi: Kjo do të mundësojë që gjetjet e auditimeve dhe rekomandimet tuaja të kalojnë nëpërmjet një procesi të gjerë shqyrtimi, sensibilizimi e llogaridhënieje. Në këtë mënyrë, rekomandimet apo propozimet për penalizime ndaj shkeljeve e shkelësve të ligjit nuk do ta kenë të lehtë të fshihen apo zvarriten pas teknikaliteteve e justifikimeve të burokratëve përgjegjës.

Prezantimi i Strategjisë për zhvillimin e KLSH-së, 2018-2022,u organizua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe SIGMA ndërsa tema e diskutimit . ishte “Zhvillimi i marrëdhënieve efikase të punës mes institucioneve të larta të auditit dhe parlamenteve”.