Të jesh konservator..!

Nga Indrit Vokshi

Të jesh konservator, është vështirë!
Konservator dmth të mos emërosh halabakë në poste shtetërore. Sado “poste të dorës së dytë” të duken.
Konservator dmth të mos emërosh dhe paguash me taksat e njerëzve, militantët e partisë tënde.
Konservator dmth të mos emërosh njerëz mbi baza krahinore “e kam nga anët e mija”.
Konservator dmth të njohësh trashëgiminë e familjeve tradicionale të mos u vendosësh atyre si qeveritarë pinjollët e Sigurimit të Shtetit.
Konservator dmth të njohësh legalitetin e rendit ligjor e të mos lejosh “të bëjnë ligjin” persona privatë, vetëm pse të mbështesin ty.
Konservator dmth të konsiderosh paratë e buxhetit të shtetit, si pronë të njerëzve, jo pronë të shtetit. Pra të mos i vjedhësh e as të mos i përdorësh për hegjemoni politike tënden ose për ekspansion politik të tarafit tënd, duke paguar njerëz.
Konservator dmth të besosh tek pasurimi nga puna, profesioni, tregtia, jo duke vjedhur taksat e të tjerëve, vetëm pse ke shtetin në dorë.
Konservator dmth të kesh një fjalor politik zotnije apo zonje, jo të çthurësh gjuhën e të marrësh nëpër gojë e të akuzosh mbi baza personale e familjare.
Konservator dmth të udhëhiqesh nga maturia e racionaliteti e jo të komandohesh nga inate të vockla.
Prandaj para se të adoptohet brandi i ekipit, sa për hir të ekipit, duhet ditur edhe kuptimi i fjalës.