Tabaku takon ambasadoren gjermane: Shqipëria ka ngecur në përmbushjen e kushteve të integrimit

 

Nënkryetarja e PD dhe njëkohësisht kryetarja e Komisionit të Integrimit Europian, Jorida Tabaku, u takua pasditen e sotme me Ambasadoren Susanne Schutz që mban postin e Drejtoreshës së Drejtorisë për Europën Juglindore, Turqisë dhe shtetet EFTA-s në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme në Gjermani.

Ambasadorja Schutz ka një njohje të mirë të Shqipërisë duke qenë se ka qenë ambasadore e Gjermanisë në vendin tonë. Diskutimi me nënkryetaren Tabaku u fokusua në situatën politike në vend dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Zonja Tabaku e vlerësoi Gjermaninë dhe posaçërisht zonjën Schutz për kontributin në këtë pikë dhe njëkohësisht vuri në dukje problemet që qeveria shqiptare ka në lidhje me procesin e integrimit.

Ajo e vuri theksin në mungesën e një vullneti politik të qeverisë që për rrjedhojë ka prodhuar një stanjacion në procesin e përmbushjes së kushteve nga Shqipëria. Gjithsesi, kryetarja e Komisionit të Integrimit Tabaku u shpreh se PD është e bindur që Shqipëria duhet të vazhdojë me procesin e integrimit pasi vetëm kështu qeveria do të jetë më llogaridhënëse.

Gjatë takimit, deputetja Tabaku shprehu shqetësimin e saj në lidhje me procedurat me të cilat u përjashtua një kompani gjermane nga konkurrimi në portin e Durrësit. Ajo gjithashtu diskutoi me ambasadoren edhe në lidhje me Aeroportin e Vlorës i cili kundërshtohet nga 34 organizata mjedisore sepse rrezikon faunën.

Gjatë bisedës u prekën tema të një rëndësie të veçantë si ajo e krijimit të 3 agjencive të reja nga qeveria që centralizojnë pushtetin në dorën e një njeriu.