Sulmi në PD nga mbështetësit e Berishës, ndërhyn policia me gaz lotsjellës

Ilirjan Agolli -VOA

Në Tiranë, disa mijëra përkrahës të ish kryeministrit Sali Berisha sulmuan sot dhe dëmtuan rëndë selinë e Partisë Demokratike.

Protesta e thirrur nga zoti Berisha kundër kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, u bë menjëherë e dhunshme, ndërsa policia ndërhyri për të rivendosur sigurinë.

Policia e shtetit ndërhyri për të ndërprerë protestën e dhunshme, që zhvilluan për mbi tre orë disa mijëra ndjekës të ish kryeministrit Sali Berisha kundër Partisë Demokratike të opozitës, duke shkatërruar selinë qendrore të saj.

Policia bëri të ditur se ndërhyrja e saj u kërkua nga deputetët e opozitës, që ndodheshin brenda ndërtesës, të cilët njoftuan se po u rrezikohej jeta nga goditjet dhe sulmet e vazhdueshme të protestuesve.​
Situata në selinë e Partisë Demokratike u qetësua pasi policia ndërhyri me kërkesë të deputetëve, që ndodheshin brenda saj, të cilët kishin deklaruar se ndjeheshin të kërcënuar nga sulmi i dhunshëm i mbështetësve të ish kryeministrit Sali Berisha.

Forcat e rendit publik ndërhynë me gaz lotsjellës, duke shpërndarë pjesëmarrësit, morën nën kontroll situatën jashtë dhe brenda selisë së Partisë Demokratike, ndërsa prokuroria e kryeqytetit e rrethoi zonën si një skenë krimi dhe po dokumenton aktet e dhunës, e ndërkohë kanë nisur edhe arrestimet e para të autorëve të dhunës.

Njësitë speciale morën kontrollin e godinës. Oborri dhe e gjithë zona përreth u boshatis, pas përdorimit të gazit lotsjellës.

Zoti Berisha nga ana e tij foli për “një ndërhyrje kriminale” nga ana e policisë, duke deklaruar më pas se kjo që ndodhi “është vetëm faqja e parë e një lëvizje të pandalshme”.

Ish kryeministri Sali Berisha thirri ndjekësit e tij për një protestë në mesditë kundër kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, por aktet e dhunës nisën shumë më herët se të mbërrinte ora 12.

Dera kryesore e selisë u hap me forcë, përpara orës 12.00 e cila është ora në të cilën ishte thirrur protesta.

Xhamat e saj janë thyer por protestuesit janë ndalur në pjesën e hollit, ku mesa duket janë gjendur përpara dyerve të tjera të përforcuara me veshje hekuri.

Selia e Partisë Demokratike u sulmua me forcë gjatë ditës së sotme nga mbështetës së ish kryeministrit Sali Berisha, të cilët i janë përgjigjur thirrjes së tij për marrjen nën kontroll të godinës ku po qëndron kryetari demokrat Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të partisë.

Qëllimi i deklaruar më herët ishte të largonin nga selia kryetarin e Partisë Demokratike, pas vendimeve që ai kishte marrë kundër ish kryetarit Sali Berisha, i shpallur non grata nga SHBA për korrupsion dhe cënim të demokracisë.

Protestuesit dhunuan deputetin e opozitës Roland Bejko dhe nuk e lejuan të hynte në selinë qendrore të partisë, ndërsa ai u largua nga sheshi mes goditjeve dhe sharjeve. Ky invident u dha zemër protestuesve të maskuar, që ishin të pajisuar me mjete të posacme për të shkatërruar dyert e Partisë Demokratike.

Ata thyen gjithë dyert e dritaret e katit të parë të ndërtesës dhe arritën të thyenin edhe një nga dyert e katit të dytë, duke depërtuar në zyrat kryesore të Partisë Demokratike.

Protestuesit kishin marrë me vete edhe shkallë metalike për të depërtuar në katin e dytë nga fasada kryesore, ku kanë qëlluar me gurë e sende të forta, ku të paktën njëri nga personat e hipur shkallëve u largua i plagosur në kokë.

Pas këtij momenti nuk ka patur asnjë cast qetësie. Mbështetësit e zotit Berisha kanë provuar të hyjnë nga drejtime të ndryshme.

Një tentativë e disa personave që me anë të shkallëve u ngjitën në katin e dytë, në një ballkon në krahun e majtë, u zpraps, nga disa persona nga brenda godinës. Një prej protestuesve mbeti i plagosur në kokë. Përpjekjet e tjera po ashtu janë sparpsur, ndërsa nga brenda selisë po përdoret gazlotsjellës.

Duke përdorur shkallët, mbështetësit e zotit Berisha kanë tentuar të hyjnë në katet e sipërme, duke përdorur dhe sende të forta e gurë që kanë thyer xhamat. Një derë e blinduar në krahun e djathtë të godinës u arrit të hapej.

Disa organizatorë me megafonë nxitën pjesëmarrësit e pozicionuar më larg, që të afroheshin përqark selisë së PD-së për të vazhduar protestën.

Mbërritja e ish kryetarit Berisha nxiti më tej grupet e të rinjve, që ishin më aktivë në aktet e dhunshme, ndërsa mesazhet e tij me megafonët e vegjël mbi lëvizjen paqësore dhe demokratike vinin në kundërshtim me ngjarjet e dhunshme përreth selisë qendrore të Partisë Demokratike, ku ai tani është përjashtuar nga çdo funksion.

Me anë të një deklarate, Partia Demokratike reagoi duke u shprehur se “Sali Berisha po rrezikon jetën e dhjetëra demokratëve me aktet e dhunës së sotme! Me një akt të paprecedentë, mercenarët nën urdhrat e tij, po sulmojne godinën e Partisë Demokratike, duke vënë në rrezik real jetën e drejtuesve më të lartë të Partisë Demokratike në qendër dhe në rrethe, si dhe të dhjetëra demokratëve të tjerë. Gjakderdhja duhet ndalur nga institucionet ligjzbatuese! I bëjmë thirrje institucioneve të ndërhyjnë për të shmangur viktimat e dhunës së Sali Berishës mes demokratëve!”.

Në Kuvendin e 18 dhjetorit Partia Demokratike vendosi të mos pranojë në funksionet drejtuese asnjë person që shpallet non grata nga SHBA.

Partia më e madhe opozitare ka deklaruar se asnjë person e asnje forcë nuk mund ta ndajë atë nga orientimi euro-atlantik dhe se PD nuk do të bëhet kurrë në një bunker ku Sali Berisha të mbrohet për problemet e tij personale.

Ndërhyrja energjike e forcave të rendit zgjati pak, dhe protestuesit e mbetur u larguan prej makinave të ujit dhe gazit lotsjellës.

Organizatorët e kësaj proteste, që më së shumti kishin mobilizuar të rinj dhe adoleshentë në veprimet e dhunshme, nuk shprehën ndonjë distancim nga dhuna e ushtruar ndaj selisë së PD-së, madje pohuan se do të protestojnë përsëri.

Ata u larguan duke lënë pa asnjë derë e dritare selinë qendrore të Partisë Demokratike, që ata e quajnë shtëpia e lirisë dhe e demokracisë, pasi e goditën me të gjithë sendet e forta, pajisje hekurthyese nga më të ndryshmet.

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka marër një “kërkesë nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i rrezikohej jeta nga protestuesit”.

Policia bëri të ditur se “është gati për të ndërhyrë në ndihmë të deputetëve që kanë kërkuar ndihmë dhe u bën thirrje protestuesve që të distancohen menjëherë nga aktet e shkatërrimit të pronës dhe aktet e dhunës. Policia e Shtetit u bën thirrje organizatorëve të protestës që të përmbajnë protestuesit dhe të shmangin çdo rast dhune, sepse do përballen me ligjin”.

Policia ndërhyri në një kohë të shkurtër duke përdorur gazin lotsjellës. Mbështetësit e zotit Berisha u shpërndanë. Njësitë e policisë duket se kanë marrë kontrollin e godinës së PD-së duke u rreshtuar e shumtë në numër në hyrje të saj.

Për situatën e krijuar pati reagime të shumta nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar. Në një postim në Twitter ambasadorja amerikane Yuri Kim shkroi se “Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për rritjen e tensioneve në ndërtesën e selisë së Partisë Demokratike dhe përdorimin e forcës nga protestuesit. U bëjmë thirrje organizatorëve të protestës që të refuzojnë dhunën dhe të veprojnë qetësisht. Ata që nxisin dhunën ose minojnë sundimin e ligjit do të mbahen përgjegjës”.

Delegacioni i Bashkimit Europian reagoi përmes një deklarate duke “dënuar aktet e dhunës që kanë ndodhur sot dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë të ushtrojnë qetësi dhe përmbajtje. Nuk duhet të ketë vend për dhunë në politikë. Të gjithë të përfshirët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që demonstratat të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe paqësore dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë njerëzve të pranishëm. Rruga e integrimit të Shqipërisë në BE ka nevojë për një opozitë solide që kontribuon në axhendën e reformave të vendit, duke iu përgjigjur aspiratës së popullit shqiptar, shumica dërrmuese e të cilit dëshiron ta shohë Shqipërinë në BE”.

Ndërsa prania e OSBE-së duke nxitur të gjithë aktorët e përfshirë të përmbahen nga çdo akt dhune, vlerësoi policinë për ruajtjen e rendit publik.

Por sipas kryeministrit Sali Berisha, mbështetësit e tij që “janë opozita e vërtetë, e cila u paraqit në protesë paqësore dhe u përball me mjetet më të egra të dhunës”

Ai e cilësoi kriminale ndërhyrjen e policisë, ndërsa paralajmëroi se çka ndodhi sot është vetëm fillimi: “Kjo është një lëvizje e pandalshme. Kjo është një betejë e cila nuk do të ketë të sosur dhe ju garantoj se kjo që patë sot është vetëm faqja e parë e saj”.

Në një tjetër deklarim për mediat ai përsëriti se dyert e selisë së Partisë Demokratike do të hapen.

Askush nuk di të thotë se si do rrjedhin ngjarjet në ditët në vijim, por një gjë është e sigurt se forca kryesore e opozitës mori sot një tjetër goditje të rëndë pasi prej shumë muajsh, lufta e brendshme vetëm sa e ka gërryer peshën e saj.