SPAK,dy të arrestuar për pastrim parash,në kërkim sipërmarrësi Taçi

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi sot se ka lëshuar urdhëra arresti për sipërmarrësin Rezart Taçi dhe dy bashkëpunëtore të tij, të dyshuar se janë përfshirë në një skemë pastrimi parash.

Sipërmarrësi Taçi është në kërkim, pasi rezulton të jetë jashtë vendit, ndërsa dy bashkëpunëtorët, kunati i tij Artur Balla dhe ish truproja e tij Bledar Lilo, janë vënë në pranga.

Sipas SPAK-ut, nga provat e grumbulluara në bashkëpunim me Prokurorinë e Palermos në Itali, janë krijuar dyshime të arsyeshme për organizimin dhe funksionimin e një operacioni kompleks financiar ndërkombëtar të kundërligjshëm, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme.

Skema e pastrimit të parave drejtohej nga disa italianë, ku spikat emri i sipërmarrësit Francesco Zummo, i dyshuar dhe më parë për lidhje me organizatën mafioze italiane Cosa Nostra. Ata kanë dërguar në një bankë në Shqipëri afro 19 milionë euro, transferimi i mëtejshëm i të cilave dyshohet se do të kryhej nga Taçi dhe bashkëpunëtorët e tij, përmes kompanive të tyre.

Mbi 18 milionë euro janë bllokuar dhe janë sekuestruar nga SPAK.

Zoti Taçi mohon çdo lidhje me këtë skemë pastrimi parash.

Sipërmarrësi Taci, është vënë nën akuzë dhe më parë nga autoritetet shqiptare për aktivitetet e tij, por asnjëherë nuk është dënuar nga drejtësia.

Emri i tij u bë i njohur në mesin e viteve 2000, kryesisht për shkak të akuzave publike të kryetarit të atëhershëm të opozitës së djathtë Sali Berisha, se ai ishte ndër kontrabandistët kryesorë të naftës. Akuza, të cilat nuk u përmendën pas vitit 2005, kur demokratët erdhën në pushtet. Përkundrazi zoti Taçi e zgjeroi aktivitetin dhe në 2008 ai do të privatizonte ARMO-n, ndërmarrjen shtetërore të rafinimit të naftës. Procesi u shoqërua me hije të forta dyshimi, duke qenë se fillimisht kompania që bleu ARMO-n u prezantua si një konsorcium zvicerano-amerikan. Privatizimi i ARMO-s rezultoi në një dështim.

Me të njejtën skemë si në rastin e ARMO-s, sipërmarrësi Taçi u shfaq më vonë dhe në privatizimin e Albpetrolit, duke ofruar 850 milionë euro. Ky proces po ashtu dështoi, pasi në këtë rast zoti Taçi nuk mundi të tregojë se i kishte burimet financiare. Ai nuk arriti të paguante një garanci prej 85 milionë eurosh, të cilat nuk u arkëtuan kurrë nga Shteti shqiptar.

Në vitin 2013 policia përgatiti një dosje, që e dërgoi në Prokurori, e sipas së cilës sipërmarrësi Taçi, si dhe disa familjarë e bashkëpunëtorë të tij, akuzoheshin për evazion fiskal, mashtrim dhe falsifikim dokumentash, për vlera disa miliona eurosh.