Sot ditëlindja : Mid’hat Frashëri një gjeni ende i panjohur

 

Nga Uran Butka

Mid’hat Frashëri, ky ndërtues dhe bashkudhëtar i Pavarësisë, ishte një nga të parët që e nisi këtë rrugëtim historik. “Jemi në fillim të udhës. Duhen përpjekje për t’u bërë komb i lirë, i bashkuar, i qytetëruar”, – shkruante ai në vitin 1897.
“A mund të quhemi vërtet një komb? – pyet ai dhe përgjigjet: “Një komb, për të thënë që rron, duhet të ketë bashkimin shpirtëror, duhet të ketë gjuhën, të jetë i qytetëruar, se ashtu si egërsirë dhe paqytetari e dituri, nuk rron dot për shumë kohë.”
Si filozof e përcakton kombin si një konstitucion gjaku, gjuhe, kulture dhe territori. Vullneti e përpjekjet e përbashkëta për liri e pavarësi vijnë pas ndërgjegjësimit, ndriçimit kulturor e formësimit moral të një populli, thotë ai. “Mos pandehni se me trimëri mund të bëjmë ndonjë punë të madhe. Trimëria e shqiptarëve nuk e shpëtoi dot as Nishin, as Vranjën, as Leskovecnë, që i rrëmbeu Serbia, as Tivarin e Ulqinin që i gllabëroi Mali i Zi, as Çamërinë që e mori Greqia. Shqiptarit aq sa i duhet buka, i duhet dituria e nacionalizma. Për të rrojtur si komb, duhet të luftojmë për t’u bërë e për t’u njohur si komb”.
Në fillimet e shekullit të njëzetë, Mid’hati, që i kuptoi ndryshimet e kohëve, u paraprin atyre. Ai bëhet formuluesi dhe misionari i frymës dhe i lëvizjes së shqiptarizmit që kish lindur si forcë shpirtërore dhe ideore qysh në kohën e Rilindjes dhe që u pervijua edhe gjatë Pavarësisë. Që kjo lëvizje të lëshonte rrënjë, të ngjizej e të bëhej dominante, duhej ende kohë, duheshin përpjekje të mëdha të të gjithë shqiptarëve. Mid’hati iu përvesh kësaj punë gjigante, sidomos kur u krijuan kushtet legale, menjëherë pas shpalljes së Konstitucionit të korrikut 1908.
Mid’hati zgjodhi udhën e emancipimit kombëtar e kulturor si një hap i parë drejt indipendencës morale dhe shtetërore.
“Dyfekët, thikat, jataganët – thyejini. Ato armë bëjini plore, bëjini çekanë se tani do rrojtur me djersë të ballit, si njerëz të lirë që na ka bërë Zoti”.
Themelin e diturisë dhe të qytetarisë e përbën gjuha shqipe, sipas M.Frashërit. Lufta për gjuhën; thotë ai është një formë tjetër e luftës për të rrojtur. “Gjuha jonë është shprehje e qënies sonë, e ekzistencës sonë”, shkruan ai. Për këtë arsye ekzistenciale, ai kryesoi Kongresin e Manastirit të vitit 1908 për një alfabet të përbashkët tërësisht latin, si edhe thirri Kongresin Arsimor të Elbasanit në vitin 1909, përcaktoi programin e këtij kongresi arsimor, që vendosi për mirëdrejtimin e shkollave shqipe, botimet për shkollat, mbështetjen financiare , si edhe çeljen e shkollës Normale.
Sipas M.Frashërit, shqiptarët pas një errësire të plotë dhe një shtypjeje mizore shekullore kishin nevojë për një frymëmarrje paqeje, se jeta e tyre kish shkuar vazhdimisht në luftë, kishin nevojë për një grimë qetësimi të brendshëm, ndriçimi e afirmimi si komb i kulturuar. Shqiptarëve, më tepër se kujtdo, u duhet paqja.Veprat e mëdha e të qëndueshme mbruhen në paqe. Babai i përparimit është paqja, – përfundon ai .
Ai shtron tezën se Shqipërisë – shpëtimi do t’i vijë nga vetë shqiptarët. “Shpëtimin tonë ta presim nga vetëheja jonë, si një pemë të përmirësimit dhe të naltësimit tonë, si një punë që të vjen vetiu, me djersën, me përpjekjet dhe dëshirat tona. Kjo është për ne politika më e drejtë, udha më e sigurtë, shpëtimi më i ndershëm. Kjo e bën edhe faktorin e jashtëm të të respektojë dhe ndihmojë”- thotë ai.
Mid’hati gjykonte se zgjidhja e vetme politike ishte, siç thoshte Mid’hat Frashëri – shpëtimi në indipendencë, për ta bërë fakt të kryer përpara Fuqive të Mëdha dhe shteteve ballkanike mëvehtësinë e Shqipërisë, ekzistencën e saj kombëtare dhe shtetërore. Mbështetja e Austrisë, ishte një inkurajimi madh. Nuk ishte e rastit pjesëmarrja e M.Frashërit në Kuvendin e Shkupit, 14 tetor 1912, që vendosi për mbledhjen e kuvendi të përgjithshëm mbarëshqiptar për shpalljen e Pavarësisë. Gjithashtu, nuk ishte i rastit pjesëmarrja e tij në Kuvendin e Vlorës si delegat i Pejës e Gjakovës, por edhe i Elbasanit, si edhe caktimi i tij minister në qeverinë e Ismail Qemalit.
Ishin pjekur kushtet e brenshme e të jashtme. Vetë akti i shpalljes së pavarësisë ishte, sipas tij, rezultat i rrethanave dhe i diplomacies, jo i luftës.
Ndërkohë, qeveria e Vlorës i kërkoi Esat Toptanit, komandant i redifëve në Shkodër, të luftonte për mbrojtjen e Shkodrës me flamurin shqiptar dhe në emër të Shqipërisë së pavarur. Telegrami që iu dërgua atij, kishte edhe nënshkrimin e Mid’hat Frashërit. Madje Mid’hati shkoi edhe në Shkodër për të ndihmuar në qëndresën shqiptare përkundër pushtuesve malazezë.
Por problemin më të madh, apo vetë problemin shqiptar, e shkaktoi Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e cila e mori në shqyrtim çështjen shqiptare më tepër si një pjesëz e Turqisë së mundur në luftë dhe në pajtim me orekset e fqinjëve apo të disa Fuqive të Mëdha për ta coptuar Shqipërinë, duke e katandisur atë në një provincë apo principatë dhe duke lënë padrejtësisht jashtë kufijve Kosovën e viset e tjera të Shqipërisë veri-lindore si edhe Çamërinë, madje duke vënë nëdiskutim Korçën e Gjirokastrën.
Mid’hat Frashëri ishte i mendimit që qeveria e Vlorës nuk duhet të njihte vendimet absurde të Konferencës së Ambasadorëve dhe të nxiste reagimin e popullit shqiptar. Ai ishte për një kundërshtim të përgjithshëm dhe të fortë nga ana e faktorit shqiptar. Po ky reagim ishte fare i dobët
Për këto arsye, por edhe për afrimin e qeverisë me Esat Toptanin, më 30 mars 1913 Mid’hat Frashëri dha dorëheqjen nga qeveria e Vlorës. Ai inaguroi institucionin e vetëdorëheqjes në shtetin shqiptar, qysh në fillimet e këtij shekulli.
Mid’hati ishte dhe mbeti idhtar e luftëtar i përmirësimit të vazhdueshëm të shtetit, shoqërisë, njeriut. Ai ishte kundër lëvizjeve rebeluese, luftës së brendshme destabilizuese, luftës politike konfliktuale për interesa pushteti, kariere apo përfitimesh personale, Ai dënon lëvizjet rebele kundër shtetit dhe pavarësisë së Shqipërisë, siç ishte ajo e Haxhi Qamilit, më pas ajo e Marka Gjonit, Elez Isufit, Halit Lleshit etj. Tipike ishte lëvizja e Haxhi Qamilit. Në krye të kësaj lëvizjeje ishin krerë antikombëtarë, të cilët donin ta kthenin Shqipërinë mbrapa. Në këtë lëvizje regresive, ku mplekseshin mendësitë otomane, injoranca, varfëria e skajshme e turmave dhe interesat e krerëve rebelë me interesat e intrigat e të huajve për destabilizimin e shtetit shqiptar, po shfaqej hapur loja e Esat Toptanit në shërbim të tyre.
Mid’hati luajti një rol te madh në njohjen dhe mbrojtjen e çështjes shqiptare si kryetar i delegacionit shqiptar ne Konferencën e Paqes ne Paris. Ai mendonte se Shqipëria e brishtë kishte nevojë për një ndihmë mirëdashëse dhe pa interes, me qëllim që të mbështetet në fillimin e jetës së saj politike. Por ai nuk e kërkon këtë ndihmë nga vendet që kanë interesa në Shqipëri apo nga fuqitë që fshihen pas tyre. Ai zbulon Amerikën, kur konkludon: “Kjo ndihmë duhet t’i jepet Shqipërisë nga një fuqi jo direkt e interesuar në Ballkan, për një periudhë disavjeçare (për shembull 5 vjet) dhe ne mendojmë se Republika e Madhe Amerikane do të kryente një shërbim të jashtëzakonshëm për njerëzimin, duke realizuar këtë mission. Ndaj ai i dërgon presidentit Uilson një promemorie për Shqipërinë, i rekomandon historianë seriozë të çështjes shqiptare dhe gjashtë hatra etnografike. Ndërhyrja e presidentit amerikan , pranë Konferencës së Paqes, më 10 shkurt dhe 26 shkurt 1920, ishte një mbrojtje e fuqishme e SHBA për Shqipërinë dhe një goditje për planet e mbrapshta të copëtimit të saj. Mid’hati e sheh qysh në atë kohë SHBA si të vetmen fuqi liberale e demokratike, që mund ta ndihmonte Shqipërinë dhe shtetin shqiptar. Si një mendimtar dhe demokrat i përmasave europiane, Mid’hati u drejtohet më 30 tetor 1919 atyre që mbanin në duart e tyre fatet e popujve të vegjël dhe që kanë zënë vend në Konferencën e Paqes, me mesazhin:
“Shqiptarët mund të bëhen një faktor rregulli dhe ekuilibri në pjesën juglindore të Evropës, falë inteligjencës dhe cilësive të tyre të punës dhe të durimit. Ata që mbajnë në duart e tyre fatet e popujve dhe që në këtë çast kanë zënë vend në Konferencën e Paqes në Paris, duhet të binden se kurrë paqja dhe qetësia nuk mund të vendoset në Ballkan, në rast se nuk do të pranohen kërkesat e shqiptarëve. Fuqitë e Mëdha, me mendje të kthjellët e frymë të re duhet ta ushqejnë këtë eveniment të kësaj periudhe të re, duke i ndihmuar popujt e Ballkanit në veprën e tyre të mirëkuptimit e të paqes, duke i shtyrë drejt përparimit dhe integrimit në Evropën e re”.
Por, kur faktori i jashtëm ishte shurdh ndaj kërkesave të drejta të shqiptarëve, apo më keq thurrte plane të reja për coptimin e Shqipërisë, Mid’hati mbështet me të gjitha forcat faktorin e brendshëm, që në rrezik mblidhet e vepron. Ai mendon se Kongresi i Lushnjës kishte vlerë dhe efekt të thellë, sepse vuri mbi bazën e shtetit – idenë e indipendencës absolute dhe të integritetit të plotë të vendit. Mund të thuhet se që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit Kongresi i Lushnjes ishte “manifestimi i parë me rëndësi krejt të veçantë për këtë popull, bërë me fuqinë që buronte vetëm prej trupit të tij. Dhe Mid’hati i bëri mbrojtjen më të mirë Shqipërisë dhe çështjes shqiptare si kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.
Themelimi i një parlamenti pluralist dhe demokratik ishte i një rëndësie të veçantë për fillimin e një jete politike demokratike dhe ndërtimin e institucioneve shtetërore. Mid’hati që e njihte jetën parlamentare të vendeve perëndimore, u këshillon qeveritarëve e parlamentarëve shqiptarë një politikë ekuilibriste të qendrës, e cila i shërben në çdo kohë Shqipërisë, pa ekstremizma të verbëra, që i kanë shkaktuar dëm në çdo kohë Shqipërisë.
Mid’hat Frashëri është për një regjim republikan, ku forma e shtetit të ishte republikë parlamentare e vendosur me votim të përgjithshëm, si edhe për një pushtet institucional demokratik të zgjedhur me vota të lira, ku të përfaqësohen gjithë shqiptarët, edhe ata të diasporës. Ai luftoi për një shtet kombëtar shqiptar, apo për një Shqipëri etnike dhe tregoi rrugët që të çonin te Shqipëria etnike. “Ne nuk jemi as për Shqipërinë e Madhe, as për Shqipërinë e Vogël, por për Shqipërinë etnike të banuar nga shqiptarët ose shumicë shqiptare, dhe të realizuar me vullnetin e lirë të popullit shqiptar, bazuar mbi parimin universal të vetvendosjes së kombeve”.
Zhvillimet në Shqipëri Mid’hat Frashëri i lidh me rendin demokratik, i cili të ketë “pamje shoqënore” – siç shprehet ai, ku drejtimi, mirëkuptimi dhe rregulli të vijnë nga zbatimi i ligjit, përkundër nihilizmit, anarkisë dhe arbitrarizmit.
Duke i paralajmëruar shqiptarët e viteve ’30 për rrezikun e bolshevizmës dhe duke i siguruar ata që ajo është një ideologji e papajtueshme me terrenin, psikologjinë dhe të ardhmen e shqiptarit, nisur dhe nga frutet e hidhura që kishte dhënë në Rusi, Mid’hat Frashëri shprehet për një rend e zhvillim kapitalist të natyrshëm e social në Shqipëri, me evolucion (reforma) dhe në mënyrë demokratike, me përmirësime e përsosje të vazhdueshme. Ai është kundër revolucionit, kundër përmbysjeve me dhunë, kundër rrëmbimit e shtetëzimit të pasurive, kundër centralizmit burokratik. Ringjalljen ekonomike, Mid’hat Frashëri e sheh te ekonomia e tregut, ndërsa ringjalljen politike e morale e gjen tek parimet e rendit demokratik. “Për mua ka vetëm një mënyrë që të normalizohet gjendja në Shqipëri: mbajtja e lidhjeve me Lëvizjen Demokratike Evropiane”. Ndërsa përparimin ai e sheh te puna, dituria dhe qytetaria.
Mid’hat Frashëri dha shembullin e vet të ndritur, duke e zhvilluar këtë mision nëpërmjet librit dhe diturisë. Kështu, u shndërrua në një institucion kulture. Ai ishte i ndërgjegjshëm se dituria, kultura dhe shkolla kombëtare do të ishin faktorët kryesorë të mbijetesës, të ripërtëritjes dhe të qytetarisë së munguar. Prandaj ai shkroi shumë vepra historike, kulturore dhe letrare, që përbejnë një pasuri të madhe kulturore për kombin.
Mid’hat Frashëri është një gjeni, një figurë e madhe me dimensione evropiane, por ende i pazbuluar, i pakuptuar dhe i pavlerësuar plotësisht. Zbulimin dhe botimin e plotë të veprës së tij madhore tashmë e ka ndërmarë Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”.

Uran Butka