SKENARI I SIGURIMIT: “GRUPI” I HAJMELIT

Nga Xhafer Sadiku
(Marrë nga libri Genocidi mbi kulakët, i ripunuar dhe i pabotuar)
Në 1962 u arrestua në Hajmel një “grup armiqësor” i përbërë prej 4 personash, dy prej të cilëve ishin nga familja Vokrri, e cilësuar kulak. Ndrec Kol Vokrri dhe Zina Vokrri akuzoheshin se kishin kryer krimin e tradhtisë ndaj atdheut në formën e bashkëpunimit me diversantët. “Tradhti ndaj atdheut” se kishin takuar “diversantët”, vëllanë dhe bashëshortin! Ndreca akuzohej edhe për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, ndërsa Zef Pjetër Lazri dhe Ndrek Zef Jashaj për moskallëzim krimi kundër shtetit.
“Grupi” i Hajmelit ishte një sajesë e Sigurimit të shtetit për të mbajtur ndezur luftën e klasave në zonën e Shkodrës. Loja agjenturiale-operative e Sigurimit, e koduar me emrin “Shelgu”, vazhdoi 6 vjet dhe në të u përfshinë kuadrot e Sigurimit të shtetit të rrethit Shkodër, punëtorët operativë të terrenit, agjentura e birucave, si dhe një numër i madh agjentësh dhe informatorësh në terren.
Rrjeti agjenturor u stërvit nga punëtorët operativë, nëpërmjet vijave të sjelljes dhe implikoi 78 persona nga zona e Vaut të Dejës, qyteti i Shkodrës dhe zonat e tjera të rrethit.
Skenari në fjalë kishte filluar realizimin që në 7 shtator 1957, kur agjenti “Dragoj” informonte nga Zadrima kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme Shkodër, Ilmi Seitin, se kishte dëgjuar se në Zadrimë kishin ardhur nga Jugosllavi 4 diversantë. Sipas tij, ata kishin qëndruar më tepër në Hajmel, prandaj theksonte ai, duhej ruajtur shtëpia e kulakut Ded Gjon Tuku, në Stajkë.
Pas kombinacionesh agjenturiale-operative, për vite me radhë, më 18 dhe 19 mars 1963 u zhvillua në Shkodër gjyqi me dyer të hapura. Gjyqi u bë sipas planit të Sigurimit, edhe dëshmitarët ishin ata që kishte caktuar Sigurimi, midis te cilëve A. S. një katundar nga Mjeda.
Gjykata Ushtarake e Tiranës, e ardhur enkas në Shkodër, i dënoi: Ndrec Kol Vokrri me 17 vjet burg, Zina Gjok Vokrri me 15 vjet dhe dy të tjerët, Zef Pjetër Lazri dhe Ndrek Zef Jashaj me nga 7 vjet burg.
Ishte fundi i një farse që kishte zgjatur për vite me radhë dhe vazhdimit i kaluarit të mundimeve të njerzve të pafaajshëm.
_______________
) Përbërja e rrjetit agjenturor kundër “grupit” të Hajmelit : agjentët “Shtresa”, “Bekçiu i Lulishtes”, “Kreshta”, “Dielli”, “Trimëria e Malësorit”, “Maja e Shitës”, “Stilografi”, “Kadeja”, “Penicilina”, “Shata e Madhe”, “Bardha”, “Molla e Kuqe”, “Nafta e Bakusë”, “Hekuri i Rubikut”, “Thëllëza”, “Rasati”, “Celësi”, “Shigjeta”, “Jaka e Palltos”, “Nërtesa e Pojanit”, “Mali”. Informatorët: “Xhami”, “Zgalemi”, “Muratori”, “Sokoli”, “Koteci”, “Turtulli”.