Skandali, publikohet një listë me emra dhe paga të 637.138 tatim-paguesve

Skandal i ri, këtë herë me publikimin e listë-pagesës së të gjithë të punësuarve në Shqipëri. Nëpër whatsapp po qarkullon orët e fundit një file në exel që dyshohet se ka rrjedhur nga serverat e tatimeve ose Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në të cilin janë të rregjistruar të gjitha të dhënat personale të pagamarrësve në Shqipëri për muajin janar 2021.

Dyshimet se të dhenat janë autentike janë të mëdha pasi, aty janëe të detajuar numrat personalë të gjithësecilit, numra që gjenden tek kartat e identitetit, niptet e subjekteve që japin rrogat, paga mujore e që përfitohet, si dhe pozicioni i cdo të punësuari në vendin e punës. Lista përmban 637 138 emra punonjës në sektorin shtetëror dhe atë privat.

Burime për News24 thanë se Prokuroria ka nisur verifikime për të hedhur dritë mbi këtë skandal të mundshëm, të ngjashëm me atë të publikimit të të dhënave të zgjedhësve, i ashtuquajtur skandali i patronazhistëve. Prokuroria po heton për autenticitetin e kësaj liste dhe burimin e saj, që dyshohet se janë sigurimet shoqërore ose drejtoria e Tatimeve.

Skandali merr përmasa të mëdha se përvec të dhënave personale, në listë pasqyrohet dhe vlera e pagës së siguruar të cdo të punësuari në Shqipëri. Nëse rezulton i vërtetë skandali, ngrihen shumë pikëpyetje mbi sigurinë që kanë serverat shtetërore në Shqipëri, dhe nivelin profesinal që kanë personat e autorizuar për të punuar në këto servera.