Si ta kuptojmë dhe interpretojmë deklaratën e zotit Grenell për Kosovën?

Enver Bytyçi
Richard Grenell ka deklaruar se ideja e shkëmbimit të territoreve ishte e ish-këshilltarit për Siguri Kombëtare të Presdientit Trump, John Bolton. Sipas Grenell, ky fakt i është pohuar atij nga palët në bisedime, përkatësisht presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Përmes kësaj deklarate i ngarkuari për negociata midis Kosovës dhe Serbisë është përpjekur të bindë skeptikët se agjenda e ndryshimit të kufijve nuk është në tavolinën e tij të takimit të 27 qershorit. Por ai nuk na ka thënë saktësisht çfarë projekti do të ketë në atë tavolinë. Thuhet se temë bisedimesh janë marrëdhëniet ekonomike. Por çfarë konkretisht?
Nga ana tjetër, ende ka skepticizëm për deklaratën e zotit Grenell, ndonëse gjithkush do të donte që e vërteta të ishte e tillë: Pra që fajtor i iniciativave të ndarjes së Kosovës të ishte Bolton dhe që administrata e presidentit Trump të jetë kundër këtij projekti. Skepticizmi buron nga mos-transparenca e delegacioneve që do jenë të shtunën e fundit të muajit në Shtëpinë e Bardhë, ashtu edhe nga vetë mikpritësi, Richard Grenell.
Por unë dua ta besoj deklaratën e zotit Grenell. Kur ai realizoi marrëveshjen e linjës ajrore midis Prishtinës e Beogradit, kam shkruar se kjo është diplomaci efektive. Pra përmes bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve të shkohet te zgjidhja e konfliktit politik. Më pas kam qenë kritik, sepse zoti Grenell përkrahu pa kushte Hashim Thaçin, duke thelluar përçarjen e klasës politike në Kosovë dhe dihet që përçarja është dhe mbetet mjet i favorshëm për diversionin serb në këtë vend.
Grenell kritikoi zotin Bolton, dhe kritikës së tij nuk mund t’i hiqet asnjë presje, përveçse me një sqarim: Bolton ishte jo vetëm për ndarjen e Kosovës, por edhe kundër pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, sa kohë ai nuk ishte në detyrën e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, nuk qe aktiv. Kur erdhi në këtë post Bolton forcoi lidhjet me Beogradin. Me ndihmën e Beogradit u lidhën me të edhe Hashim Thaçi dhe Edi Rama. Janë të njohura deklarimet e vjeshtës 2018 e dimrit të vitit 2019 të presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë në mbrojtje të idesë së ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, duke pohuar se për këtë kanë mbështetjen e SHBA-ve, përkatësisht të zotit Bolton. Eshtë e njohur letra e presidentit Trump dhe spekulimet me këtë letër, të cilën Thaçi, Vuçiq dhe Rama e paraqitën dhe e shpallën si mbështetje të Shtëpisë së Bardhë për shkëmbimin e territoreve. Shqiptarët e dinë se si Edi Rama e shiti një telefonatë me John Bolton si mbështetje pa kushte të qeverisë së tij nga ana e administratës Trump, si shpërblim ndaj kryeministrit shqiptar për kontributin e tij në zbatimin e idesë serbe të ndarjes së Kosovës.
Fatkeqësisht zoti Grenell e vazhdoi lojën politike me këta interlekutorë. Madje ndihmoi të eliminohen të gjithë kundërshtarët e Thaçit në Prishtinë dhe punoi me LDK-në që ajo të vijë në linjën e zotit Thaçi. Ndaj arsyetoj se ambasadori Grenell e rriti mosbesimin. Deklarata e tij është e mirëpritur. Por ka një pasaktësi, kur thotë se Vuçiq e Thaçi i paskan thënë atij se “Bolton qenka autori i idesë së ndryshimit të kufijve”. Kjo nuk është e vërtetë. Ideja e tillë e ka burimin në Beograd dhe në Moskë. Më pas u rekrutua në këtë ide Edi Rama. Dhe më tej, përmes Ramës dhe Baton Haxhiut u rekrutua me presion dhe premtime vetë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Këta u vunë në kërkim të aleatëve pro ndarjes së Kosovës në SHBA e në BE. Në SHBA gjetën John Bolton. Në BE patën Frederica Mogherinin.
Prandaj duhet sqaruar edhe një dilemë: Nëse është e sinqertë deklarata e zotit Grenell, atëherë duhet pranuar se administrata Trump ka heq dorë nga projekti serb i shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Arsyeja kryesore pse ka ndodh kjo lidhet me kundërshtitë e vendeve kryesore të Europës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Francës. Por ka dhe arsye të tjera që lidhen me situatën e brendshme në SHBA. Kosova është projekt i dy partive kryesore në SHBA, republikanëve dhe demokratëve. Një aventurë e Trump për ndarjen e saj do shkaktonte pakënaqësi edhe te republikanët, përveçse te demokratët. Kjo do të shkaktonte erozion në fushatën elektorale të nëntorit. Jo pa ndikim kanë qenë kundërshtitë e aktorëve të ndryshëm politikë e medialë në Kosovë, Shqipëri e gjetkë. Ndaj besoj se deklarata e zotit Grenell nuk i lehtëson nga përgjegjësia as Hashim Thaçin, as Edi Ramën, as bashkëpunëtorët e tyre. Çdo gjë është e dokumentuar dhe e faktuar.
Por pavarësisht të gjithave, është lajm i mirë fakti që administrata Trump shprehet kundër ndryshimit të kufijve. Megjithatë një pikëpyetje tjetër sillet ende si fantazmë: Çfarë zgjidhje do të vijë? A mos ndoshta do të pranojnë Kosovën e pavarur në territorin në jug të lumit Ibër dhe veriu i Kosovës do të vihet sërishmi nën administrimin ndërkombëtar të OKB-së?!