Shqipëria shpall ‘non grata’ dy diplomatë rusë

 

 

Shqipëria dëbon dy diplomatë rusë. Lajmin e bën me dije Ministria e Jashtme, e cila ia komunikuar vendimin  Ambasadori rus në vendin tonë Aleksander Karpushin.

“Sot, në datë 26 mars 2018, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme u thirr Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën e Shqiperisë, SHTZ Aleksander Karpushin, të cilit i’u komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik” thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Në këtë mënyrë, Qeveria shqiptare u bashkohet aleatëve të NATO-s për të dëbuar disa diplomatë rusë nga vendi pas helmimit të ish-spiunit rus në Britaninë e Madhe.

Po sot Presidenti amerikan Donald Trump autorizoi dëbimin e 60 agjentëve të dyshuar rusë nga Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët e lartë të administratës thanë se 48 “oficerë të njohur të zbulimit” në konsullatën ruse në Seattle dhe 12 të tjerë në misionin rus në Kombet e Bashkuara kanë shtatë ditë afat për t’u larguar nga vendi.

“Shtetet e Bashkuara e ndërmarrin këtë veprim së bashku me aleatët dhe partnerët tanë në gjithë botën, si përgjigje ndaj përdorimit nga ana e Rusisë të armëve kimike për përdorim ushtarak në tokën Britanike”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders.

Polonia, Gjermania dhe Lituania njoftuan gjithashtu se edhe ato po dëbojnë diplomatë rusë lidhur me helmimin në Britani.