Shqipëria e sotme si ajo 75 viteve me parë!

Nga Jorida Tabaku

Më 12 nëntor 1944 rrugët e Tiranës dëgjuan krismat e armëve të vrasësve që kurrsesi nuk mund të jenë heronj. Nën urdhërat e Enver Hoxhës komandantët e çetave nisën eleminimin fizik të intelektualëve të kryeqytetit të cilët nuk kishin kryer asnjë veprim karshi shqiptarëve përpos kishin shprehur mendimin e tyre kundër komunizmit. Figura të nderuara që edhe në vitet e pushtimit fashist kishin mundur të shkruanin për demokracinë dhe kombin u vranë në mes të natës nga kriminelët që do të sundonin Shqipërinë për 5 dekada me radhë.

Intelektualë si Ismail Agë Petrela, Musine dhe Muntaz Kokalari, Nebil Çika, Reshat Stërmasi, Muharrem Lleshi, Rifat Tërshana, Lluka Xhumari, Ali Panariti e të tjerë do të ishin viktimat e para të atyre që nuk erdhën si çlirimtarë por si pushtues. Shtatë dekada e gjysëm pas kësaj dite duket se errësira e atyre ditëve ka kapluar edhe një herë vendin.

Glorifikuesit e kriminelëve që vrisnin në rrugica intelektualët po shtypin mundin dhe djersën e këtij populli duke kthyer në normë padrejtësinë.

Masakra e 12 nëntorit ishte preludi i një historie të gjatë dhe të dhimbshme ku të ashtuquajturit heronj do të vrisnin, skllavëronin dhe shkatërronin një shoqëri për ta shndërruar në vendin më të prapambetur dhe të izoluar. Sot, zonjat dhe zotërinjtë e vrarë nga ky terror janë në harresë. Ata që kanë ngritur në piedestal tagutët monistë janë duke shkatërruar edhe një herë liritë, pronën dhe jetën e shqiptarëve.

Skena si ato të sotmet që u panë në mëngjes në Tiranë, ku qeveria urdhëroi prishjen e shtëpive në emër të makutërisë për parà dhe ushtruan dhunë karshi atyre që kërkonin drejtësi dhe zbatim të ligjit. Pa respektuar asnjë normël ligjore por vetëm forcën e dhunës dhe etjes për parà dhe pushtet u sulmuan fëmijë, të moshuar, gra dhe qytetarë që nuk kishin asgjë më shumë se letrat e shtëpisë së tyre në dorë.

Opozita është sot në krahun e këtyre qytetarëve, pasi besojmë se një qeveri oligarkësh nuk mund të mendojë për qytetarët. Ne jemi në krahun e tyre, siç ishim në krahun e banorëve tek bregu lumit shtëpitë e të cilëve u shkatërruan 9 muaj më parë dhe siç jemi në krah të protestuesve tek Teatri Kombëtar. Natyrisht që ne sot u ofrojmë atyre qëndresën e përbashkët dhe jo armë, pasi besojmë se ata që pushtetin e morën me krimin e armë do të qeverisin menyre të tillë siç edhe kjo ditë e dëshmon.

Unë besoj që numrat e shqiptarëve janë më shumë se armët dhe dhuna e qeverisë. Prandaj, nuk na mbetet vetëm se të bashkohemi përballë kësaj të keqe të madhe përndryshe perdja e errët e totalitarizmit do të na rrethojë për të na izoluar sërish; armiq të jashtëm dhe të brendshëm, diktat dhe krime. Ata që qeverisën për 5 dekada diktaturë qenë disa oligarkë, pasi në thelb komunizmi është diktatura e të paktëve ndaj shumicës.