Shqipëri, tërmet i fortë, të paktën 6 viktima

 

Rëndohet bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi sot në orët e para të mengjesit Shqipërinë, me një magnitudë 6.4 me epiqendër pranë Durrësit. Deri më tani bëhet fjalë, sipas të dhënave zyrtare për të paktën 6 persona që kanë humbur jetën. Një person ka mbetur i vdekur në Kurbin, ndërsa në panik e sipër është hedhur nga ballkoni. Në Durrës, një grua është nxjerrë nga rrënojat e një pallati që është shembur. Po në Durrës janë gjetur në rrënojat e një hoteli 2 persona të tjerë. Ndërsa 2 gra të moshuara janë gjetur në rrënojat e tre pallateve të shembur në Thumanë.

Në ndërkohë vijojnë operacionet e shpëtimit, ku deri më tani është bërë e mundur të nxirren të gjallë disa persona, mes të cilëve dhe fëmijë. Në spitalet e Durrësit dhe Tiranës janë paraqitur mbi 320 persona, me plagë të ndryshme. Dëmet janë të shumta, ndërkohë që tensioni mbetet i lartë mes banorëve, edhe për shkak të lëkundjeve të tjera që kanë vijuar të ndjehen, ndonëse me intensitet pak më të ulët.

Në një postim në Facebook, kryeministri Edi Rama foli për momente dramatike. “Goditja e fuqishme e tërmetit ka krijuar pasoja të rënda dhe fatkeqësisht kemi jetë të humbura. Të gjitha strukturat e shtetit janë në këmbë qysh në momentet e para pas goditjes. Punohet intensivisht për të shpëtuar çdo jetë të mundshme në disa pika fatale në Durrës e Thumanë. Eshtë një moment dramatik ku sidoqoftë duhet të ruajmë me çdo kusht qetësinë,të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit e ta përballojmë këtë goditje së bashku. Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë dhe me miqtë e mëdhenj në krah do ta kalojmë edhe këtë situate”, shkruajti kryeministri në Facebook.

Nga ana e tij në një deklaratë mbi gjendjen e krijuar presidenti Ilir Meta shprehet se “e rëndësishme të punohet me përkushtim e profesionalizëm për të shpëtuar çdo jetë njerëzore që ndodhet nën rrënojat e ndërtesave dhe të ndihmohen të plagosurit. E rëndësishme të evidentohen banorët që s’mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe që kanë nevojë për strehim. Qeveria t’u kërkojë institucioneve ndërkombëtare ndihmë. Besoj se të gjithë qytetarët tanë do dinë ta përballojnë këtë fatkeqësi me solidaritet, kurajo dhe duke i’u gjendur pranë me çdo mënyrë vëllezërve dhe motrave tona më të dëmtuar”, thekson presidenti Meta

 

Kreu i PD Lulzim Basha shkoi ne Thumane ku gjendja parqitet me e rendë me heret ai  reagoi ne faen e tij zyrtare ne fb

Të dashur bashkëqytetarë!
Ky mëngjes na gjeti të tronditur thellë nga tërmeti i frikshëm që fatkeqësisht solli humbje jetësh njerëzore, lëndime, si dhe dëme të mëdha. Partia Demokratike, unë dhe familja ime u shprehim ngushëllimet më të thella familjeve që kanë humbur të afërmit e zemrës, dhe u urojmë shërim sa më të shpejtë të lënduarve.

Ne po bëjmë gjithçka që t’i gjendemi pranë çdo shqiptari në këtë fatkeqësi dhe tronditje të madhe të përbashkët.

ZERO interpretim politik nuk kam sot, përveçse një thirrje qeverisë që të shpallë menjëherë gjendjen e emergjencës, për të mjekuar të dëmtuarit, për të inventarizuar dëmtimet, për të mirëmenaxhuar panikun dhe pasojat e tërmetit.

Vëllezër dhe motra!
Të gjithë në këmbë, solidaritet të pakursyer dhe të pakushtëzuar! Si vëllezër dhe motra të një gjaku, të një kombi, në krah të njerëzve që kanë humbur të afërmit e shtrenjtë, në krah të qytetarëve të lënduar që janë ende të tronditur dhe të dëmtuar rëndë.

Respekt, mirënjohje dhe mbështetje totale mjekëve, infermierëve, punonjësve të policisë, ushtarakëve, personelit të strukturave të emergjencës, kompanive që po ndihmojnë me çfarë munden për të përballuar këtë situatë të rëndë.

Të gjithë bashkë si një familje e madhe, pa asnjë dallim, do t’ia dalim!