SHKODRA SIPAS SIGURIMIT TË SHTETIT

 

Nga Msc. Selami Zalli*

Shkodra në vitet e vendosjes së diktaturës, 1945-1953, nga këndvështrimi i Historikut të Sigurimit të Shtetit/

 

Pa hyrë në rolin historik të Shkodrës si kryeqëndër politike, ekonomike e kulturore ndër shekuj do të përpiqem që nëpërmjet këtij studimi të qëndroj brënda temës që përcakton kjo konferencë shkencore: “Shkodra në vitet e vendosjes së diktaturës, 1945-1953, nga këndvështrimi i Historikut të Sigurimit të Shtetit”, duke u përqëndruar në disa probleme kryesore.

Me hyrjen në fuqi të ligjit 45/2015 dhe fillimin e aktivitetit nga AIDSSH-ja me marrjen në dorëzim të Arkivit ekzistues, i përbërë nga një fond i konsiderueshëm dokumentash. Dokument me rëndësi, për studimin e kësaj periudhe, pjesë përbërëse e këtij fondi është dhe “Historia e Sigurimit të Shtetit” dhe “Historiku i Degës së Punëve të Brendshme Shkodër”të zgjedhura si material kryesor referues për bërjen e një analize, mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të kësaj strukture, pa paragjykime dhe reminishenca në vështrimin ligjor, analitik e krahasues, duke vënë në dukje dhe zhveshur nga hiperbolizimet (megalomania), pa synuar injorimin dhe denigrimin e saj, por vetëm nëpërmjet vështrimit në optikën e kohës, në plan krahasues.

Shkodra para lufte në Historinë e Sigurimit të Shtetit

Studimi i parë zyrtar i historikut të shërbimit sekret, “Historiku i Sigurimit të Shtetit” (HSSH), i cili rezulton të jetë bërë në vitin 1974 e ripërpunuar në vijimësi, dhe “Historiku i Armës së Sigurimit të Shtetit të Degës së Punëve të Brendshme të Rrethit Shkodër” (1941-1975), dëshmojnë se historia e shërbimit informative, veprimtaria informative gjatë viteve (1941-1943), e konsideruar “syri dhe veshi i luftës”[1]. gjatë LANÇL ka kaluar në dy faza:

Mars 1943 – Maj 1944,
Maj 1944 – 29 Nëntor 1944.
Sipas këtij studimi zyrtar, veprimtaria informative gjatë viteve (1941-1943), u ngrit pa definuar nga kush dhe si, me qëllim zbulimin e planeve të armikut dhe sulmimin në befasi të tij, si domosdoshmëri, për të depërtuar nëpër vendet kyçe në administratë, kuesturë, burgje e kudo.

Në pjesën hyrëse, në përshkrimin e gjëndjes së brendëshme dhe “Intensifikimit të veprimtarisë së agjenturave të huaja”[2] kërkohen dhe identifikohen “agjentë” të fashizmit në Shkodër, duke identifikuar sit ë tillë Anton Harapin, Patër Gjergj Fishtën[3] etj, të cilët “… synonin asgjësimin e PKSH”.

Nga studimi i këtij dokumentacioni, në prezantimin e gjëndjes dhe situatës gjatë luftës, trajtohen ngjarje që meritojnë analizë dhe krahasim, të tilla si; panorama dhe trajtimi mbi situatën në vend, ekzistenca që në vitin 1937 e “Organizatës Demokristiane Shqiptare” e krijuar nga klerikët[4], progresi dhe transformimi i saj, demonstratën e gjimnazit të Shkodrës më 28 Nëntor 1939, me himnin e flamurit dhe parulla antifashiste, e shoqëruar me arrestimin e 4 studentëve ditën e nesërme, demonstratën e 30 Janarit 1940 për kundërshtimin e fashistëve për përjashtimin nga shkolla të 71 aktivistëve, demonstrata e vajzave të shkollës “Donika Kastrioti” 4 Shkurt 1943, zhvilluar me parulla politike e cila u shpërnda.

Aksioni i të burgosurve politikë të Shkodrës, më 24 Shkurt 1943, për të mos lejuar transferimin e tyre në Itali. Protestë që ka zgjatur 8 orë, ku të burgosurit goditën karabinierët me çdo mjet, duke marrën peng marshallin fashist. Kjo solli tërheqjen e fashistëve nga vendimi i tyre[5].

Nga përmbajtja e dokumentacionit nuk evidentohen masa represive të natyrës së vrasjeve, izolim apo ridënim të pjesëmarrësve në protestë nga rradhët e të burgosurve. Gjej me vend të bëj një kapërcim për të krahasuar me ndodhinë e pas afro 30 vitesh në burgun politik të Spaçit[6], ku ndonëse me kërkesa të ligjshme dhe thuajse paqësore, u pushkatuan 4 të burgosur, u ridënuan 8 me nga 25 vite burgim dhe 56 të burgosur u ridënuan me nga mbi 10 vite burgim.

Për të gjitha ngjarjet e renditura më sipër, nga dokumentacioni i sigurimit, nuk na rezulton të jenë marrë në analizë e trajtuar në detaje ngjarjet dhe masat represive që u ndërmorrën nga fashistët, ndoshta për arsye të vetë bilancit të tyre?!

Analizohet me kujdes dhe vëmendje të veçantë veprimtaria e spiunazheve të huaja në Shkodër, që sipas këtij dokumentacioni, e realizuar nëpërmjet konsullatave Austro-Hungareze, Serbe, Malit të Zi, Italiane, Angleze dhe Gjermane. Deri me vendosjen e monarkisë kishte dominuar spiunazhi austro-hungarez. Me Zogun dominonte spiunazhi jugosllav, i cili synonte dhe punonte të krijonte bindjen e “pamundësisë së ekzistencës së Shqipërisë si shtet” [7] pa ndihmën jugosllave.

Sipas këtij historiku, para luftës, kjo gjendje motivoi dhe u bë frymëzim për persona jugosllavë, të emigruar në Shkodër për arsye ekonomike, të cilët u bënë kontingjent i përshtatshëm në interes të zbulimit jugosllav, së bashku me parinë dhe krerët e klerit mysliman e ortodoks[8].

Ky konstatim, i konsultuar me “Historikun e Sigurimit të Shtetit”, nuk vijon të figurojë si i tillë, në mënyrë të veçantë pasqyrimi i elementit jugosllav, i minoritetit të tij dhe klerit ortodoks. Arsyetim dhe vijueshmëri të cilën, nuk konstatojmë të figurojë apo të jetë objekt i punës së sigurimit dhe i masave represive pas lufte?!, në vitet 1944-1949, kohë kur veproi Divizioni i Mbrojtjes në Shkodër, deri kur dhe ndodhi “prishja” me jugosllavët.

Nuk mund të mos bjerë në sy dhe të tërheqë vëmendjen fakti që, drejtuesit kryesorë dhe më të spikatur të lëvizjes komuniste, në qarkun e Shkodrës, janë ky minoritet, të cilët në pjesën hyrëse të këtij dokumentacioni, figurojnë si emigrantë ekonomik me origjinë jugosllave, kontigjente dhe me predispozicion për agjentë të zbulimit jugosllav.

Konkretisht, sipas këtij dokumentacioni ishte Vasil Shanto, që drejtonte dhe mbante lidhjet me pjesën më të madhe të informatorëve dhe qendrave të informacionit.

Bazuar në këto fakte dhe rrethana, mbetet për zgjidhje e dhënë përgjigje disa pyetjeve që dalin natyrshëm, mbi faktorin emigrant ekonomik me origjinë jugosllave në Shkodër:

Çfarë ndodhi me këtë faktor, i cili në kohën e Zogut konsiderohej kontingjent, tani jo?
Ky faktor u bashkua në luftën kundër fashizmit apo kundër politikave të tij, ndaj çështjes shqiptare në raport me Jugosllavinë?
Si shpjegohet që pranë këtij grupimi politik (PK) spikati dhe doli në krye duke patur monopolin e gjithçkaje, si drejtimin, informacionin etj, kontingjenti me këtë përkatësi?
Si shpjegohet që në këtë dokumentacion dhe periudhë nuk figuron e as gjendet ndonjë e dhënë mbi aktivitetin dhe rolin e klerit ortodoks në Shkodër?!, Kohë kur gjithë pjesa tjetër e klerit bashkëpunonte me fashistët, ndërkohë që pretendohet bashkëjetesa, marrëveshjet dhe toleranca fetare, prishet kjo trajektore?
Marrëdhëniet me jugosllavët[9] trajtohen si ndihmesë e ndërsjelltë. Njëherazi, bëhet prezent dhe vihet theksi në ekzistencën e mercenarve nga Kosova, në Shkodër? Nëpërmjet një raportimi nga qarkori i PK Shkodër, i prezencës së 700 trupave kosovare, në përbërje të regjimentit “Kosova”, ndërkohë që drejtimi, dhe kontrolli i sektorit të informimit, ishin si më sipër.

Në gjithë dokumentacionin dhe tekstet e “Historikut të Sigurimit të Shtetit”, kur bëhet fjalë për konsullatën dhe zbulimin italian, vihet theksi (paraqiten) si kontingjente shtresat e pasura, çifligarët, tregtarët dhe bajraktarët e veriut, mbi të gjitha me rol predominues drejtuesit e klerit katolik, duke dalluar e shënjestruar të parin Pader (At) Gjergj Fishtën, tashmë i njohur dhe gjithëpranuar si nacionalist dhe antijugosllav, predikuesin dhe një nga korifejtë më të mëdhenj të çështjes shqiptare. Vepra e tij u ndalua nën ndikimin dhe presionin jugosllav, dhe u shpall herezi, mbajtja e propagandimi i saj. Problematikat dhe çështjet që trajton, shqetësuan të gjitha palët, për vlerën e saj si “programi politik kombëtar”, “fjalori shpjegues”, për bërjen e autopsisë (identikitit) të mikut dhe armikut të kombit shqiptar.

Në këtë dokumentacion anatemohen edhe priftërinjtë: Frano Gjini, Pal Dedaj, Bernardin Palaj, etj[10], për të cilët thuhet se idetë profashiste i propaganduan nëpërmjet organeve të shtypit të klerit katolik. Në atë kohë kishte 10 të tillë[11], një pjesë e të cilit ka filluar të ribotohet, jo vetëm për vlerat e kohës, por tingëllojnë aktuale edhe sot. (Hylli i Dritës, Zonja e Shkodrës, Leka etj).

Në trajtesat e kësaj historie bie në sy, armiqësia dhe lufta ndaj shteteve të huaja kapitaliste që kishin synime të vjetra grabitqare ndaj vendit tonë, për ilustrimin e të cilave nuk përmendet vetëm Jugosllavia.

Në drejtësi, natyrisht edhe në shkencë, mund të përdoret dhe ka vend postulati “Nuk ka krim pa gjurmë dhe të pazbulueshëm, por ka kërkues të këqinj”. Në favor të këtij argumenti shkojnë eksperiencat dhe përvoja arkeologjike, e cila nëpërmjet fosileve dhe objekteve të ndryshme, ka arritur të ndërtojë e interpretojë, si ka funksionuar shoqëria njerëzore që në lashtësi duke përcaktuar formacionin ekonomiko-shoqëror, sistemin politik, nivelin e zhvillimit dhe të kulturës materiale e shpirtërore. Shembulli më domethënës mbetet djegia e Biblotekës së Aleksandrisë, një thesar, por historia e Egjiptit është shkruar, mungesa e dokumentacionit mbi holokaustin dhe trajtimin e hebrenjëve nga nazistët, por ama ata e kanë rikuperuar dhe shkruar historinë e tyre.

Veprimtaria e Sigurimit të Shtetit mbas lufte

Faza I (Dhjetor 1944 – Shtator 1946) e njohur për Operacionet e pastrimit me forcat ushtarake të Mbrojtjes Popullore, të cilat u shtrinë në gjithë vendin, sidomos në veri[12].

Etapa I (Dhjetor 44 – Shkurt 45) (Rezistenca: Kelmendi – Koplikut,)
Etapa II (Mars 45 – Shtator 46) Ndryshimi i taktikës nga forcat e ndjekjes.
krijimi i njësiteve të vogla në ndjekje (Jug),
depërtimi me informator në rradhët e bandave,
kalimi në ofensivë me njësi të mëdha ushtarake (Veri).
Faza II (Tetor 46 – Janar 47) Operacioni i Spastrimit në Veri. Në këtë periudhë Divizionit të Mbrojtjes, ju shtuan 4 batalione, u ngushtua dara dhe mbështetja nga aleati (pala jugosllave).

Kjo fazë karakterizohet nga operacione ndëshkuese për çarmatimin e popullatës shumë pak e hulumtuar. Në këtë proces, nga dëshmitë gojore të kohës, janë dëgjuar e përshkruar tmerre pafund. Njerëzit, nga format “demokratike” të përdorura, kanë marrë borxhe, kanë kaluar kufirin për të gjetur e dorëzuar armë, pasi oficerët e sigurimit, nëse nuk dorëzoje armën, produkt i imagjinatës së tyre, nuk e kishin për gjë të vrisnin, duke thyer arra mbi kokën e viktimës.

Histori e ngjarje të tilla, janë treguar pafund edhe para viteve 90’ me mburrje nga autorët e tyre, por fatkeqësisht, pak ose aspak janë dokumentuar dhe tashmë, dëshmitarët e gjallë janë pakësuar. Edhe hebrejtë, krimet ndaj tyre nuk i kanë me dokumente zyrtare, pasi nazistët u përpoqën të fshinin gjurmët, por provat e gjalla njerëzore nëpërmjet kujtimeve ndërtuan pazëllin.

Në këtë dokumentacion, revokohen vlerat, përshkruhet pamundësia e çdo pushtuesi për të çarmatosur këtë popull, megjithë torturat dhe masakrat që kishin përdorur. “Këta” ia dolën me “bindje”, çka përbën paradoks.

Një nga format më efektive në këtë periudhë mbeti shfrytëzimi i ritit të besës, e cila në asnjë rast nuk u mbajt nga kontraktuesit e saj në pushtet, po kështu përdorimit të amnistisë, pengjet familjare dhe nxitja e shfrytëzimi i grindjeve, etj.

Në dokumentet e Sigurimit, lëvizjet popullore antikomuniste emërtohen “banda”. Në asnjë fjalor, manual shpjegues, enciklopedi apo studiues serioz nuk mund të quhen e përkufizohen kështu. Kjo, për vetë territorin dhe shtrirjen që patën, pjesëmarrjen dhe mënyrën e organizimit, duke parë me objektivitet, në dritën e fakteve dhe të statistikave, veprimet dhe sjelljen e “çlirimtarëve”. Numri i anëtarëve të “bandave”, sipas këtij dokumentacioni, përbëhej nga 50-400 vetë dhe drejtoheshin nga ushtarakë karriere, të formuar në Perëndim.

Fakt interesant mbeten shifrat kontradiktore dhe të paqarta, kur bëhet fjalë për likujdim bandash, të vrarësh, të dorëzuar e të atyre që mbetën në male ose u arratisën[13], psh nëse shohim në fq. 206, Vol II. Në fund të operacionit të pastrimit në vitin 1947, u likujduan 1764 banditë nga të cilët: të asgjësur në vitet 1945 – 1947, gjithsejt 1194 vetë,

393 u vranë (pa gjyq)
601 u kapën (asgjë për fatin e tyre)
770 u dorëzuan (asgjë për fatin e tyre)
1764
1774 mbetën në male (bandat e vogla)
Gjithsej, 3538 vetë[14].

Cila historiografi apo studiues serioz mund t’i njohë këto shifra, të quajë e përkufizojë si bandë e banditë, këta individë në përbërje të një formacioni të tillë luftarak, në kushtet e ekzistencës së një popullsie prej 800 000 banorësh.

Në këtë periudhë, lufta zbuluese dhe suksesi i dedikohet, ndërtimit të rrjetit të informatorëve, denoncimeve nga populli, vëzhgimit dhe të dhënave që dilnin nga hetuesia?!

Faza III (Janar 47 – Janar 48), përkon me ndjekje masive me grupe të vogla sipas taktikës së bandave.

Faza IV (Shkurt 1948 – Gusht 1948) e quajtur faza e baticës e zbaticës, për shkak të K.Xoxit dhe OZNA-s, dhe veprimtarisë së tyre nën maskën e ndihmës.

Fakt interesant dhe me vlerë për të kuptuar më mirë organizimin, veprimtarinë dhe varësinë e Sigurimit të Shtetit nga jugosllavët (OZNA)[15], rolin diktues e paternalist të tyre në Sigurim, mbetet atashimi i zbuluesve shqiptarë jashtë vendit, nëpër përfaqësitë e tyre diplomatike dhe administrimin e marrjen në kontroll të të gjithë informacionit e shërbimit të jashtëm.

Nga studimi i këtij fenomeni dhe i individëve të trajnuar me shkollim e formim në Jugosllavi, praktikat e zbulimit dhe rekrutimet e tij, sidomos në sistemin e rekrutimit zinxhir, nëpërmjet analizës e deduksionit mund të arrijmë në përfundime të sakta, nëse arriti të shkëputet ndonjëherë Sigurimi i Shtetit nga tutorët e tij (jugosllav apo rus)? e parë kjo dhe nga goditjet e mëvonshme të grupeve antiparti në radhët e Sigurimit të Shtetit, ku edhe 90% e agjenturës në atë periudhë (1944-1949)[16] ishin anëtarë partie e njerëz të besuar të pushtetit.

Në materialet e sigurimit të shtetit, bëhet fjalë për ekzistencën e listave të zeza[17] të hartuara nga Sigurimi ku bënin pjesë edhe element nga rradhët e partisë. Imagjino si mund të kenë funksionuar këto lista ndaj qytetarëve të thjeshtë, sidomos në Shkodër. (tregtarët, të arsimuarit jashtë vendit, klerikët) etj, në kushtet kur ekzistonin 6000 dosje.

Sipas kësj historiografie në vitin 1948, në themel të veprimtarisë së Sigurimit u vu teoria e Zhakonovit[18]:“Shpifja u bë arma bazë për të siguruar kontrollin mbi partinë” edhe “…nëqoftëse dëshiron të zbulosh çerdhet e fshehta të armikut, shiko se do ti gjesh pranë shpifjeve…”.

– Në Shtator 1948 u mbajt Plenumi i XI të KQ të PKSH. – Në Dhjetor 1948 Byroja Politike e KQ, miratoi Platformën e I-rë Politike e Organizative të Sigurimit të Shtetit[19],

Ajo që bie në sy dhe përbën paradoksin më të madh është fakti i vendosjes së caqeve (kufijve) për organet e sigurimit të cilat, nuk mund të vendosnin në përpunim që nga anëtari i plenumit të KQ të partisë, anëtarët e plenumit në rrethe, drejtuesit e organizatave të masave, anëtarët e qeverisë deri tek zv/ministrat??!! dhe anëtarët e partisë vetëm kur e kërkonte nevoja.

Kjo nuk do të thotë që këta ishin të përjashtuar nga detyrimi për dhënie informacioni, por këta ndaloheshin ta jepnin tek operative i sigurimit, por të informonin në parti. (varianti “çekist”).

Pretendohet se komunistët nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të sigurimit, pasi e kishin të ndaluar me ligj, duke bërë dy gabime njëherazi, njëri dhe mashtrim. Platforma e Byrosë Politike e quajnë ligj, kur në fakt është maksimalisht një aneks i statutit të Partisë dhe mashtrimi se e paskan të ndaluar të jenë bashkëpunëtorë e informatorë.

Në fakt, e vërteta qëndron krejt ndryshe, pasi ishte e ndaluar vetëm të emërtoheshin agjent, por veprimtaria e tyre informative kamuflohej me termin vigjilencë, patriotizëm dhe partishmëri, por ama platforma parashikonte edhe rastet përjashtuese “… kur e kërkonte nevoja”.

Këto kategori nuk mund të arrestoheshin pa aprovimin e KQ të Partisë, duke i pajisur me një “imunitet të çuditshëm” çka tregon funksionimin, nivelin e “pavarësisë” të insitucioneve ligjzbatuese, prokurori, gjykata si instrumente të partisë që diktoheshin e dirigjoheshin nga Sigurimi i Shtetit, pavarësisht se emërimi, rekrutimi i tyre në detyrë realizohej nëpërmjet mekanizmit të “zgjedhjeve” nga populli dhe vendimet i jepnin në emër të tij.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit ekzistues, konstatohet fakti se Sigurimi i Shtetit deri në vitin 1948 vepronte vetëm me urdhëra dhe vendime të Shtabit të Përgjithshëm, ishte i organizuar sipas strukturës dhe përdorte format e OZNA-s[20] e transformuar në UDB, nga të cilat deklarohet se u hoq dorë prej përdorimit të tyre. Në mjaft studime dhe publikime të deritanishme rezulton se asgjë nuk ka ndryshuar. Me kohën, u pasuruan me formën dhe praktikën ende më të vrazhdë ruse, e përcjellë me zëvendësimin e këshilltarëve jugosllav, nga ata rus të KGB-së[21].

Në aktet dokumentare të kësaj periudhe është pretenduar se do të hiqej dorë nga metodat e praktikat Xoxiste[22] të vlerësimit të fajësisë për të dyshuarit në bazë të dyshimit formal, duke kaluar në veprimtarinë konkrete, heqjen dorë nga sugjestionimi, provokimet, torturat etj, por dokumentacioni dhe dëshmitë e gjalla tregojnë krejt të kundërtën veçanërisht në Shkodër, ku përsëri në vazhdim të kësaj periudhe, vdiqën në tortura dhe u vranë pa gjyq ajka e veriut, sidomos klerikët e famshëm në vijimësi edhe përtej periudhës objekt trajtese.

Nëse vërejmë përbërjen e organikës së sigurimit të shtetit në vitet 50’, vetëm 9% e tyre nuk kishin marrë pjesë në LNÇL[23], me elementë të pashkolluar ndonëse mund të ishin edhe analfabetë (77% me arsim të plotë ose të pjesshëm fillor dhe gjysmë analfabet me kurse kundër analfabetizmit)[24]. Në vitin 1951, u emëruan si kryetarë degash dhe shefa seksionesh 20 kuadrot e parë që kishin ndjekur kursin 1 vjeçar të sigurimit në BS, të cilët instaluan metodat dhe praktikat e punës Staliniste në këto organe[25].

Kjo mund të justifikoj faktin që format kryesore të punës në ketë periudhë ishin mjetet e forcës, dhuna fizike, psikologjike, ushtrimi i torturës në kuadër të hetimit intensiv, metodat e shtrëngimit nëpërmjet pengjeve familjare, premtimet për mos ndëshkim (amnisti) të pa mbajtura.

Në themel të punës u vu rekrutimi i agjenturës nga radhët e kontingjenteve “armike” e lidhjeve të tij, mbi bazën e materialit shtrëngues.

Kësaj periudhe i përket detyrimi për dokumentimin e veprimtarisë zbuluese e agjenturore me firmë dhe datën përkatëse, dhe rregullat e ruajtjes së tyre[26], por çuditërisht, ndonëse e detyrueshme me “ligjin” e tyre, aktualisht janë trashëguar dhe gjenden shumë pak dokumente të tilla. Kjo tregon se kohë pas kohe, autorët kanë fshirë gjurmët.

Diktatura komuniste shqiptaro – jugosllave.

Po e filloj këtë trajtesë me togfjalëshin “Diktatura komuniste shqiptaro – jugosllave” sepse për mendimin tim dhe siç dëshmojnë burimet historike, gjatë luftës edhe pas saj në periudhën 5 vjeçare 1945-1949, egërsia komuniste e ushqyer vazhdimisht nga prania e jugosllavisë titiste është shtrirë në të gjithë Shqipërinë por veçanërisht në veriun e saj, sidomos në Shkodër.

Pas tërheqjes së trupave gjermane nga Shkodra me hyrjen në qytet të partizanëve, hynë edhe partizanët jugosllavë. Kjo shënon herën e parë në histori, që sllavët, hyjnë në këtë qytet pa luftë.

Me këtë ngjarje lidhet tentativa për zhvendosjen e Shkodrës, bazuar në vlera, nga qendra në periferi dhe shënjestrimi i saj si “delja e zezë”. Në fillim, u goditën dhe shkatërruan vlerat e saj ekonomike, kulturore dhe mbi të gjitha ato njerëzore, nëpërmjet grabitjes së arkivave, bibliotekave, veprave të artit, si dhe çdo vlere tjetër të krijuar në shekuj, duke tentuar të zhdukë identitetin e kësaj treve.

Në studimet e linjës zyrtare deri më tani, nuk gjendeshin dokumente apo literaturë rreth këtyre ngjarjeve veç sa shkruhej në shtypin e kohës, informacion i deformuar nën peshën ideologjike, se për kurrikula shkollore, botime të Akademisë së Shkencave apo të Institutit të Historisë etj, as që bëhet fjalë.

Në dokumentacionin e shfrytëzuar, konstatohen problematika në terminologji dhe shifra të cilat nuk rezultojnë precize e të definuara saktë, por të relativizuara si: “disa, dhjetra, qindra, banda, kriminelë, të arratisur, asgjësim, spastrim”, deri “revoltë”, pa përcaktuar në asnjë rast palët dhe arsyet e saj, pa dhënë asnjë sqarim si dhe me ç’të drejtë ligjore apo morale mund të futet një popull apo krahinë në karantinë, regjim ushtarak e policor duke u dhunuar, hequr të drejtat fondamentale, si e drejta e jetës, pronës, fjalës së lirë dhe mundësisë për të vendosur vetë për fatin e tyre, nga një pushtet, që e quan veten popullor.

Nuk mund të mos bien në sy pasaktësitë, në përshkrim, emërtime dhe informacion, të cilat tregojnë jo vetëm nivelin e ulët e mosnjohjen, por edhe deformim të problematikës, ndërkohë që “pretendohej” dhe ende ka njerëz që besojnë se sigurimi ka ditur dhe kishte në kontroll gjithçka.

Gjatë gjithë trajtesave konstatohet paligjshmëria që shprehet nga ushtrimi i torturës, përdorimi i pengjeve, vrasjeve dhe “vetëvrasjeve” nëpër burgje, trajtimin e femrave, përdorimin e metodave antihumane në hetim, rekrutimet me mjete të dhunshme etj. Për ekzistencën dhe funksionimin e tyre nuk flitet fare, por mbeten në terma të përgjithshme, për t’u nënkuptuar e referuar në burime të tjera, por asnjëherë në dokumentacion zyrtar.

Që gjatë diskutimit në Asamblenë Kushtetuese dhe fazës së përgatitjes për zgjedhjet e para të zhvilluara, ndër zërat e parë opozitar do ishin ata shkodranë, njësoj si në vitin 1921. Këtë rradhë, egërsia, për shkak të pushtetit dhe bërja qejfit “miqve”, do sakrifikonte miletin. Nisur nga prezenca jugosllave në mbikqyrje edhe terren, përpjekja për ta anashkaluar e fshehur këtë, na shtyn të mendojmë e besojmë se mbrapa qëndronin jugosllavët, që lakmonin tokën dhe detin, të vetëdijshëm që nuk mund ta realizonin këtë synim, për sa kohë këtu të kishte shqiptar “për pa mbet shqypnia n’vasha”, ndaj e donin tokë të zbrazur.

Qartazi konstatojmë fobinë dhe tendencën e sajesës politike që po projektohej të vinte në pushtet, fatkeqësisht nën hundën e aleatëve perëndimor, për të cilët historia dhe dokumentet nuk kanë arritur ende në një përfundim të qartë dhe shkencor, nëse gabuan apo kështu deshën.

Dokumentacioni zyrtar mbi rezistencën antikomuniste në veri.

Sot, ne trashëgojmë dhe kemi studime historike në lidhje me shërbimin sekret shqiptar të Ali Pashë Tepelenës, të periudhës së Mbretit Zog, por një studim apo investigim zyrtar për këtë periudhë nuk kemi ndeshur deri më tani.

Në pasqyrimin e tablosë mbi vendosjen e diktaturës në Shkodër, jam mbështetur në materialet e Historisë së Sigurimit të Shtetit i ripërpunuar, dhe Historikun e Armës së Sigurimit të Shtetit të Degës së Punëve të Brendshme të Rrethit Shkodër për vitet 1941-1975, pa hyrë në thellësinë e dokumentacionit arkivor konkret të ngjarjeve të kohës.

Materiali i pare, Historia e Sigurimit të Shtetit e botuar në vitin 1974, duke e studiuar me kujdes, nxirren mjaft të dhëna rreth diktaturës si organizimi, ecuria, format e punës zbuluese, goditëse dhe trendit të saj.

Shembujt e egërsisë, dhe pasojat që sollën mbi shoqërinë shqiptare në përgjithësi, janë të panumërta, por unë do të përpiqem të prezantoj disa nga ato që kanë të bëjnë dhe përfshijnë qytetin e Shkodrës dhe zonën e veriut në terësi.

Persekucionin komunist në zonën e veriut në qëndër (dhe ballë) të së cilës gjëndet Shkodra, jam përpjekur ta shof në disa rrafshe;

Në rrafshin historik, Shkodra jo vetëm nuk ishte nënshtruar, por as kishte gabuar në historinë e ekzistencës së saj, e vendosur gjithnjë në kahun e duhur, duke marrë përgjegjësitë dhe rolin që i takon.

Në vështrimin gjeografik, armiqtë e jashtëm të prezantuar, sidomos ata sllavë, orakujt dhe administratorët faktik të elitës në fuqi. Në të gjithë perimetrin linear kufizoheshin me Shkodrën, kishin dhënë kontributin e tyre në shtypjet e të gjitha lëvizjeve e revoltave popullore, sidomos në Kelmend. Bashkërisht kishin përmbyllur Tivarin e të tjera “binjakëzime e partneritete të përbashkëta”, të njohura e të panjohura ende, dhe nuk përjashtohet mundësia të kenë qenë e të jenë kontrata apo marrëveshje afatgjata në vijimësi.

Në aspektin religjoz, sipas dokumentacionit të sigurimit të shtetit, prezantohen si rrezik dhe armiq, italianët dhe turqit për të justifikuar goditjen e klerit në tërësi, siç edhe ndodhi.

Në aspektin klasor dhe shtresëzimit shoqëror, përcaktohen si target tregtarët, të arsimuarit jashtë vendit ish pjestar të administratave, të pasurit, përkrahësit e fashizmit të gjithë anti sllav, etj.

Në vitin 1951 u bë evidentimi i përgjithshëm në të gjithë vendin, i elementit kundërshtar dhe kontingjentëve të zbulimeve armike[27], process që në Shkodër kishte filluar më herët.

Operacione pastrimi u zhvilluan në gjithë vendin, por më i ashpër dhe me forca të shumta ishte në Veri[28], në qytetin e Shkodrës. Shënjestra kryesore e sigurimit ishin të arratisurit, familjarët, të afërmit e tyre dhe të të dënuarve, të prekurit nga reformat, ish nëpunësit, tregtarët etj.

Nga ky dokumentacion bie në sy tendenca për kompromentim e kryengritësve, duke proklamuar shpresat e tyre tek aleatët (reaksioni i jashtëm), duke shmangur nga trajtimi i barabartë me aleatët e tyre (vëllezërit sllav), të pranishëm masivisht në territorin tonë shtetëror me trupa ushtarake, në disa operacione ndëshkimore, si në shtypjen e revoltës së Kelmendit për eleminimin e Prek Calit, të cilit nuk mund t’i falnin, çështjen e vendosjes së kufirit verior.

Kjo është koha dhe momenti, kur shigjetohet edhe kleri, veçanërisht ai katolik për ndërprerjen e lidhjeve të tij me Vatikanin[29]. Dhuna dhe presekucioni ndaj klerit në këtë periudhë përkon me ndryshimet e dhunshme në statutet e komuniteteve fetare.

Në këtë periudhë, megjithëse formalisht ishte shpallur dhe propagandohej ekzistenca e insitucioneve dhe ligjeve vepruese. Në terren veprohej ndryshe, pushkatoheshin njerëz pa gjyq, digjeshin shtëpi, grabitej ushqimi e bagëtia, merreshin e mbaheshin peng popullata e lirë, burgoseshin e internoheshin në mënyrë masive, duke e bërë gjendjen më të rëndë se çdo luftë.

Mbi operacionet e spastrimit në periudhën 14 Janar deri me 16 Shkurt 1945

Thuhet se goditja e Kelmendit u realizua nga 5 drejtime, duke arritur asgjësimin e reaksionit, çarmatimin, mobilizimin e detyrueshëm ushtarak (kjo situatë e njëjtë si dhe OZNA në Kosovë e veçanërisht në Drenicë, pas vrasjes së Shaban Polluzhës dhe mobilizimin me dhunë të popullatës për t’i nisur drejt Sremit e Tivarit). Kësaj faze i përkasin vrasjet pa gjyq në Vukël[30], internimet në Kamëz, Berat, Porto Palermo për të përfunduar në Gulagun Shqiptar, në Tepelenë.

Gjatë kësaj periudhe forcat e sigurimit të shtetit dhe të Mbrojtjes Popullore filluan goditjen e përqëndruar të zonës veriore, me objektiv të posaçëm Kelmendin.

Në dokumentacionin zyrtar të të dy historikëve të sigurimit, të atij qëndror dhe lokal, ndeshen kontradikta mbi formën e realizimit të goditjes dhe forcat e përdorura.

Ndërsa bëhet fjalë për sulm në 5 drejtime, nga vështrim i vëmendshëm dhe analizë konkrete na rezultojnë vetëm 3 drejtime, dy me emra konkret drejtuesi, duke qenë se mungojnë 2 drejtime të njohura, nga të cilat u goditën pas shpine forcat e Kelmendit në Vermosh[31].

Moment që dua të ndalem e ta theksoj posaçërisht, nga zbardhja e të cilit hidhet dritë mbi shumë të vërteta, të thëna e të hidhura, por të padokumentuara, nga sulmi mbi Kelmend (Vermosh).

Ajo që tërheq vëmendjen në mënyrë të veçantë, janë kontraditat në dokumentacionin HSSH dhe HDPB Shkodër, mbi numrin e drejtimeve të sulmit mbi Vermosh dhe forcat pjesëmarrëse në këtë sulm, rolin e oficerëve jugosllavë në përbërje të SEMP-it, ndihma me trupa nga ana e kufirit (pas shpine) apo me lejim kalimi (përdorim territori), nga ana e trupave partizane. Moment i paqartë dhe i diskutueshëm janë arsyet e mbulimit të këtij fakti, të cilat duhet të jenë thellësisht kompromentuese. Ajo që më intrigon në këtë drejtim është këmbëngulja dhe insistimi për ta fshehur këtë moment, për të cilin vazhdimisht kanë folur studiuesit, pjesëmarrësit dhe dëshmitarët okular në ngjarje.

Sipas HSSH, sulmi do jepej në pesë drejtime, të përcaktuara tre drejtime, ndërkohë që prezantohen vetëm dy emra komandantësh.

Sipas HDPBSH, sulmi në tre drejtime[32], prezantohet lejimi i përdorimin të territorit shtetëror jugosllav nëpërmjet Tuzit, për t’u dalë pas shpine kryengritësve, që në fakt edhe kjo gjysmë e vërtetë, pasi forcat që kanë arritur të dëmtojnë e shkatërrojnë kryengritësit sipas kohanikëve, kanë hyrë nga ana e Plavës dhe nëpërmjet fshatit Martinaj e Gusi për të dalë në Vermosh.

Në këtë dokumentacion të ashtuquajtur historik, me përdorim të posaçëm, të kufizuar vetëm për të besuarit dhe sekret, për të cilin hartuesit nuk e kanë menduar kurrë që do të gëzojë ndonjëherë këtë status, që mund të bjerë në dorë të publikut dhe “armikut”, nuk janë në gjendje të jenë konkret në shifra, emra dhe ngjarje reale, duke përdorur si argument frymën dhe ideologjinë.

Bëhet fjalë për gjykimin e dhjetra kriminelëve në datat 14-19 Maj, bashkëpunëtorë të Jup Kazazit e Llesh Marashit, ku gjithçka e amullt dhe e paqartë, pa datë, emra e kronologji.

Flitet për kriminelë (ballistë) nga Jugu, pa asnjë sqarim apo analizë se si dhe çfarë ndodhi, duke kompromentuar dhe krijuar përshtypjen e trukimit mbi këtë dokumentacion.

Bëhet fjalë për pushkatime të dhjetra personave (spiunë e kriminelë), sikur bëhet fjalë për dëmtime në të mbjella ose në blegtori, nga prania e ndonjë force madhore. Vrasjet dhe asgjësimet nuk prezantohen me emra individual, as me numra, por me palë, dhjetra e qindra, ç’ka duhen verifikuar dhe dokumentuar.

Kontradiksioni dhe konfuzioni në këto dokumente nuk kanë fund, ndërkohë që pretendohet spastrimi, pranohet fakti i ekzistencës së reaksionit në disa zona të veriut, ku ende janë 1850 persona si kryengritës me armë[33].

Pjesa dërrmuese e fakteve dhe rrethanave të paraqitura, në këtë dokumentacion zyrtar, i cili hedh dritë mbi mënyrën e veprimtarisë dhe “sukseset” e armës së sigurimit të përforcojnë bindjen dhe nevojën si domosdoshmëri, për hapjen e procesit për rishikimin e historisë.

E gjej të domosdoshme të ndalem në faktin si e ka trajtuar historiografia komuniste dhe pikërisht, struktura mbajtëse e monopolit të sekreteve në dokumentacionin e saj, ngjarjen e njohur si “Masakra e Tivarit”. Nëse nuk do kishte ndodhur ajo çfarë ndodhi në Tivar, dhe këto pengje do lejoheshin të ktheheshin në shtëpi, kjo ngjarje nuk do mbetej pa emër, por do quhej “Masakra e Urës së Tamarës” (500 të vrarë) ose masakra e çdo zone, ngjarje e vrasje të ndodhur në territorin shtetëror shqiptar, i cili u finalizua në mënyrën më mizore në Tivar, emrin e të cilit mori.

Rreth kësaj ngjarje, ky historik tregon mjaftueshëm si pretendohet “padijenia” dhe deformohet informacioni dhe e vërteta nëpërmjet një fraze; “…titistët e Beogradit, me qëllim provokimi kalonin në…(Janar 45) 7000 kosovarë përmes qarkut e qytetit të Shkodrës…reparte biellogardiste[34] …” trajtesë e përshkrim që flet sa mijëra fjalë, me qëllim për të “vendosur brirë”, pasi është fakt i njohur botërisht marrëdhënia ndërmjet PKSH dhe PKJ, në atë kohë “në muaj mjalti”, aq sa nëpër mitingje e zyra dominonin thirrjet dhe portretet e binomit Enver-Tito.

Nëpërmjet këtij dokumacioni historik, miratur nga një këshill i posaçëm shkencor dhe ministri i kohës, vendosur në ruajtje dhe përdorim mbi bazën e rregullave të posaçme që për herë të parë materialet e tij, mund të shfrytëzohen për studim, e njohje. Shtoi këtij arsyetimi mënyrën e funksionimit, varësinë e detyrimet për raportim e dhënie llogarie të vetë armës së sigurimit. Edhe i vetëm, ky tekst historie, i jep përgjigje çdo aludimi, duke i hequr mundësinë kujtdo që të pretendojë padijeninë e Partisë, të udhëheqësit dhe udhëheqësve kryesor, pjesë të Sekretariatit dhe Byrosë Politike të KQ të Partisë, për çfarë do të ndodhte dhe ka ndodhur në Tivar, parë në frymën si është trajtuar e prezantohet kjo ngjarje në dokumentacionin e kohës.

Kalimi i kosovarëve nëpër Shkodër dhe sjelljet e vrazhda të shoqëruesve, përgjatë kalimit nëpër qytet, duke moslejuar qytetarët shkodranë t’u japin bukë ose ujë dhe nëse dikush reagonte ndëshkohej, na shtyjnë të mendojmë e studiojmë, që nuk ka ndodhur rastësisht ngjarja në Urën e Tamarës. Fshehja dhe deformimi i saj nga pushteti i kohës, nuk i lejon të dalin duar jashtë dhe na shtynë të mendojmë se planet ogurzeza, mund të kenë qenë më të rënda e pse jo ta kthejnë Shkodrën në “arenë gladiatorësh” ku padronët, të argëtoheshin me “skllevërit”, të mundurit e tyre, si për të treguar që tani e tutje do të mbretërojmë qetësisht, dhe se, në themelet e pushtetit (pushtimit) të tyre, po hidhnin gjak të pastër shqiptar, deri tani i derdhur në luftërat për liri.

Organizimi i organeve të mbrojtjes së popullit SEMP-it në Shkodër, detyrat e tyre.

Me qarkoren nr.20, më datë 24 Shtator 1944 dhe 16 Nëntor 1944 të Shtabit të Përgjithshëm, në Dhjetor 1944 u krijuan Seksionet e Mbrojtjes së Popullit (SEMP), që vareshin nga Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit. SEMP-i për Shkodrën është krijuar në Mars 1945.

Nga SEMP vareshin Komandat e Vendit, të vendosura në qytet dhe në qendrat e lokaliteteve.

Në qytetin e Shkodrës këto komanda u ngritën në Kiras, Rus, Manxhar, Ballabane, Pazar i vjetër, Perash dhe tek Dugajt e reja. Për mënyrën si ishin organizuar dhe nëse kishin në burgje secila, nuk kemi asnjë të dhënë të dokumentuar deri në këtë moment. Shpresojmë në të ardhmen!

Në fshatra u ngritën nëpër qendrat e lokaliteteve si në Mjedë, Gur i Zi, Bushat, Velipojë, Oblikë, Vrakë, Mes, Shllak, Dajç, Shirokë dhe Zogaj.

Sipas kësaj strukture, Seksionet e Mbrojtjes së Popullit (SEMP) u ngritën në gjithë qarkun e Shkodrës, brenda të cilit përfshiheshin rrethet Koplik, Pukë, Dukagjin, Lezhë e Mirditë.

Drejtues i Seksionet e Mbrojtjes së Popullit (SEMP) për Shkodrën ishte major Zoi Themeli, Zëvendës, kapiteni Nesti Kopali. (i arratisur më vonë?! ) dhe Fadil Kapisyzi.

Puna agjenturore drejtohej nga oficerët: Rasim Dedja, Zoi Shkurti, Bashkim Kacaruho, Dul Rrjolli, Mit’hat Bushati, Fahri Kraja, Hysni Ndoja, Neki Ahmati etj.

Vetëm për qytetin ishin oficerët Brahim Shpori, Kasem Troshani, Niko Pistulli, Ferit Mandia, Vehbi Fishta etj. Në sekretarinë e SEMP-it vepronin shoqet Niqi Kosta, Vasfie Tepelena (Kraja).

Nëpër rrethe drejtonin të besuarit. Xhemal Selimi – Koplik,Bilo Bregu – Lezhë, Idriz Coba – Pukë, Xhevat Gavoçi – Dukagjin, Mat Deda – Shpal të Mirditës, Ndrek Nallbani – rrethin qendër.

SEMP-i kishte detyrë spastrimin e territorit nga kriminelët e luftës të fshehur në qytete dhe malësitë e veriut.

Për këtë qëllim, më 28.12.1944 në Shkodër u ngrit “Komisioni për përcaktimin e kriminelëve të luftës dhe për shqyrtimin e fitimeve të luftës nga tregtarët”[35]. Njëherazi, eleminoheshin kundërshtarët dhe grabitnin pasurinë, proces nën drejtimin e Shefqet Peçit.

Sipas dokumentacionit (tekstit HDPB Shkodër), humbja që pësoi batalioni i parë i Brigadës së I-rë sulmuese, më 15 Janar 1945, tek Ura e Tamarës (37 partizanë), justifikohet jo me qëndresën e kryengritjes, por me pamundësinë për futjen e agjenturës së duhur brenda rradhëve të armikut.

Në datat 18-19 Janar u dërguan dy batalione, të cilat më datë 20, u detyruan të tërhiqen. Jehona e kësaj ngjarjeje (kryengritjeje) u shtri në gjithë veriun.
Për t’i bërë ballë kësaj situate në krye të operacioneve të spastrimit në Shkodër, Kukës e Dibër, u vendos Mehmet Shehu, i njohur për egërsinë e tij dhe i sprovuar si gjakatar.

Ndonëse kryengritja zhvillohej në Vermosh, operacioni vendoset të fillojë në Shkodër, qytet i cili emërtohet koka e reaksionit[36], gjë për të cilën më 28 Janar u shpall shtetrrethimi në qytet.

Pavarësisht se shtetrrethimi u shpall më 28 Janar, operacioni kishte filluar që në datat 26 dhe 27 Janar 1945, nga ana e forcave ushtarake dhe të MP, duke kontrolluar çdo shtëpi, arrestuar çdo të dyshuar dhe pjesëtar të listës së përpiluar mbi elementin armik, duke arrestuar 120 persona nga 240, që përmbante lista, pa përcaktuar se kush dhe çfarë përfaqësonin këta të arrestuar.

Kryengritja e Koplikut dështoi për shkak të mosrakordimit e inkoherencës midis kryengritësve në veri dhe jug të Shkodrës. Kjo pasoi dhe me lëvizjen e grupit të deputetëve në Tiranë për kufizimin e opozitës nëpërmjet “Bashkimit Demokratik” dhe “Organizatës tekniko-intelektuale” dhe dy organizatat e Shkodrës “Organizata Demokristiane” dhe “Bashkimi Shqiptar”, siç dëshmojnë dokumentet e sigurimit.

Gjatë kryengritjes së Postribës u vranë 33 kryengritës, u gjykuan dhe pushkatuan 8 vetë, 200 vetë u arrestuan dhe ju dhanë gjyqit. Nga forcat ushtarake u vra një dhe u plagosën dy oficerë.

Me këtë periudhë, përkon dhe spastrimi në kuadër të forcimit të ushtrisë[37], përpilimi i listave për të gjithë personat e dyshimtë që nga 7 Prill 1939 – Janar 1945 (diferencimi). U ngritën sistemet e vëzhgimit, nëpermjet depërtimit në rradhët e të dyshuarve, ku si shembull sillet V.Daragjati, i cili akuzohet për lidhje me klerikët, bandat, misionet anglo amerikane etj.

Siç është traditë në regjime ideologjike, me kalimin e kohës e të viteve, gabimet dhe dështimet gjenden tek të ikurit, të mundurit dhe të vdekurit. Për Kelmendin, Koplikun dhe Postribën fajtorë u shpallën Tuk Jakova, Zoi Themeli dhe Koci Xoxe.

Më pas, vazhdon lufta për zbulimin dhe shpartallimin e organizatave klandestine “Bashkimi Shqiptar” dhe “Organizata Demokristiane”.

“Organizata Demokristiane” u krijua më 18 Nëntor 1944 në kuvendin françeskan, Organizata “Bashkimi Shqiptar” u krijua më 17 Shkurt 1945, nga kleri katolik me urdhër të Vatikanit, nga elementët armiq të pushtetit popullor pa dallime ideologjike dhe fetare, me qendër seminarin jezuit. Në rast mosbindje dhe dështimi të anëtarëve, thuhet se do të ndëshkoheshin nga “dora e zezë”? dhe do të mallkoheshin nga Papa. Numri i anëtarëve ishte i madh dhe u shtri ne Tiranë, Durrës dhe Krujë me objektiv tërë Shqipërinë. Më datë 27 Nëntor 1945, u arrestuan të gjithë krerët e kësaj organizate.

Ajo çfarë bën përshtypje dhe kam mendimin se është krijesë dhe fantashkencë konspirative, mbetet, sajimi dhe bërja prezente e organizatës terroriste “dora e zezë”, produkt i fantazizë dhe asistencës së specialistëve jugosllav, nga e ka origjinën dhe ka ushtruar aktivitetin kjo organizatë, e cila ka dëmtuar pafundësisht shqiparët, sidomos gjatë ushtrimit të veprimtarisë në Kosovë.

Detyra dhe preventive për të ardhmen.

Pikëpyetje të mëdha, me rëndësi për t’u studiuar e dhënë fund njëherë e mirë përbaltjes, përbën zbardhja e së vërtetës mbi shumë figura me kontribute të mëdha në historinë e Shqipërisë, të paraqitur si “tradhtarë – armiq”, ndonëse kanë luftuar e janë vrarë me serbët dhe komunistët?!

Nevojitet punë e madhe dhe e pandërprerë, për të hedhur dritë me dokumente mbi këtë periudhë dhe ngjarjet e dendura që i përkasin kryengritjet (Kelmend, Koplik, Postribë), Gjimnazin e Shkodrës, Spiunët e sjellë nga rrethet si konviktorë dhe keqpërdorimi i tyre, Roli dhe aktiviteti i individëve me origjinë sllave dhe dominimi i tyre politik e ushtarak në qytet, Organizatat, Grupet e Individët rebel.

Ashpërsimi dhe thellësia e goditjes së katoliçizmit, i cili në parimet e tij ka dhe ritualin e “paqes kristiane”, por jo deri në ato përmasa sa të harrojë martirët e vet, për më tepër duke rënë në prehërin dhe pozita bashkëpunimi më dhunuesit dhe presekutorët, të cilët ende nuk kanë kërkuar as formalisht ndjesë. Kjo rrethanë do të legjitimonte dhunën e ushtruar dhe përsëritja do të ishte e justifikuar, njësoj si gënjeshtra për herën e dytë, duke marrë nga eksperienca suedeze modele pozitive dhe jo “sindromin e njohur”.

Duhet të kontribuojmë në funksion të zbardhjes së të vërtetave dhe hedhjes dritë mbi këtë pjesë të historisë, në funksion të njohjes, kujtesës dhe krijimit të kushteve e premisave, që këto dukuri të mos përsëriten në të ardhmen. Nëpërmjet një dokumentimi të drejtë dhe faktik, identifikimit të ndershëm e shkencor, të dalë qartë se kush janë arsyet e krijimit të kësaj situate, strukturat, autorët, organizatorët, ekzekutorët, ndihmësat dhe viktimat e saj.

Brenda këtij procesi të evidentohen e të dalin në pah,

Shtypja,
Qëndresa dhe qëndrestarët,
Solidariteti,
Autorët e krimeve dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Mbetet detyrim dhe domosdoshmëri që ky dokumentacion të konsultohet, shqyrtohet përpara çdo promovimi e dekorimi, sidomos për ata që nuk pësuan në diktaturë, mbajtën poste dhe bënë jetë të rehatshme, qofshin këta persona publik, shkrimtarë, artistë, profesorë etj.

Për secilën nga këto dukuri ka parashikime të posaçme në ligjin 45/2015, i cili me gjithë mangësitë, ka vend e mundësi për përmirësime, por dhe në këtë gjendje duhen përpjekje për të shfrytëzuar çdo hapësirë dhe oportunitet, nisur nga qëllimi dhe vullneti i mirë.

Tema dhe objekti është mjaft i gjerë, pavarësisht dëshirës dhe mundësisë për të vazhduar këtë komunikim pa fund. Me besimin se në të ardhmen do të kemi pasurim dhe risi në këtë trajtesë, për “Engjëllin Mbrojtës” të tokës e Çështjes Shqiptare.

* KUMTESË E DERGUAR PER PUBLIKIM NE GAZETEN “DIELLI”

[1] Historisë së Degën e Punëve të Brëndëshme Shkodër (fq.10)

[2] (fq.9) Vol.1

[3] (fq.11) Vol.1

[4] Historisë së Degën e Punëve të Brëndëshme Shkodër (fq.8)

[5] HASShDPBRrSh(fq. 15-16)

[6] Dosja ORV, Rep.303, Spaç, Nr.123, dt. 21.05.1979

[7] HASShDPBRrSh (fq.4)

[8] HASShDPBRrSh (fq.4)

[9] HASShDPBRrSh (fq.25)

[10] HASShDPBRrSh (fq.5)

[11] HASShDPBRrSh (fq.6)

[12] (fq.195, vol.2)

[13] (fq.195, fq.210, vol.2)

[14] (fq.206)

[15] (fq.230)

[16] (fq.231)

[17] Fq.234

[18] Fq.235

[19] Fq.254

[20] (fq.258), 266, vol.3

[21] Fq.270, Vol.3

[22]. Fq. 281, 282 Vol.3

[23] Fq.268, Vol.3

[24] Fq.269, Vol.3

[25] Fq.270, Vol.3

[26] Fq.275, Vol.3

[27] Fq.422

[28] Fq.45, Vol.2

[29] Fq.427

[30] Fq.56

[31] (fq. 67)

[32] HASShDPBRrSh (fq.13)

[33] Fq.70

[34] Fq.62

[35] HASShDPBRrSh (fq.7, kap.2)

[36] HASShDPBRrSh (fq.11, kap.2)

[37] Fq.86