Shkarkimi Presidentit, argumentet e deputetëve të PS-së

Deputetëe e PS me urdhër te Ramës kanë paraqitur në Kuvend, kërkesën për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Kërkesa eshte paraqitur që në 19 qershor 2019. Kërkesa do të shqyrtohet sot nga Kuvendi në seancën parlamentare të orës 17:00.
Në arsyetimin e kërkesës së tyre, deputetët nënvizojnë se Presidenti me aktin e tij ka cenuar rëndë parimin e ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit (në kundërshtim me nenin 2, pika 1 të Kushtetutës); ka shkelur Kushtetutën e ka marrë njëkohësisht tagra të sovranit dhe Kuvendit; është sjellë arbitrarisht me pushtetin, përkundër natyrës së Republikës Parlamentare (në kundërshtim me nenin 1, pika 1, të Kushtetutës); ka anulluar arbitrarisht datën e zgjedhjeve (në kundërshtim me nenin 92, gërma “gj”, të Kushtetutës dhe nenin 8, 9 dhe 10 të Kodit Zgjedhor ); ka cenuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve (në kundërshtim me nenin 1, pika 3 dhe nenin 109 të Kushtetutës); ka cenuar parimin e ushtrimit të pushtetit në shtet nga një qeverisje e dalë nga zgjedhje të lira (në kundërshtim me nenin 1, pika 3, të Kushtetutës); ka cenuar parimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë (në kundërshtim me nenin 4 paragrafi i dytë i Kushtetutës dhe nenin 4 të K.Pr.Administrative); ka nxjerrë një akt në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjet; ka cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve si sovranë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur (në kundërshtim me nenin 45, pika 1, të Kushtetutës).