Shkarkimi i Muçit, Meta shpall vakancën

 

Në Shqipëri presidenti i Republikës shpalli sot vakancën për vendin e mbetur bosh në Gjykatën Kushtetuese, pas shkarkimit një ditë më parë, nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, të anëtarit të kësaj Gjykata Besnik Muçi. Zëri i Amerikës mësoi nga burime zyrtare të Presidencës se vendimi është marrë nga Kreu i Shtetit, menjëherë pas takimit që ai pati sot me zotin Muçi.

Ky i fundit e kundërshtoi vendimin e KPA-së dhe deklaroi se do të vijonte në detyrën e anëtarit të Gjykatës, pasi sipas tij, procesi i rivlerësimit, i nisur për shkak të statusit si prokuror, do të duhej të ishte ndërprerë, duke qenë se nga momenti i kryerjes së betimit si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, statusi si prokuror kishte përfunduar.

Por gjatë takimit që pati me të, Kreu i shtetit, sipas njoftimit zyrtar nga zyra e tij e shtypit “i kërkoi zotit Muçi që të vlerësonte mundësinë që të rishikonte qëndrimin e tij më të fundit për të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të shprehej me vendim për të deklaruar përfundimin e mandatit të tij si gjyqtar kushtetues”.

Ndërsa pas mesditës, edhe Gjykata Kushtetuese e hoqi emrin e zotit Muçi nga lista e anëtarëve të saj.