SHBA: Zyrtari i lartë i shëndetësisë paralajmëron se gjendja po keqësohet

Zyrtari kryesor shëndetësor i qeverisë amerikane dha të hënën një mesazh të zymtë, duke paralajmëruar se gjendja e koronavirusit në vend po keqësohet.

Në komentet që bëri për televizionin NBC, Dr. Jerome Adams tha:

“Dua që Amerika të kuptojë se këtë javë gjendja do të keqësohet, duke paralajmëruar se një pjesë e njerëzve nuk po e zbatojnë si duhet distancimin social.”

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në SHBA sot kishte 35,530 të konfirmuar pozitivë me koronavirus. Numri i vdekjeve deri tani është 473.

“Shumë njerëz, tha Dr. Adams, mendojnë se kjo nuk mund t’u ndodhë atyre. “Duam që me çdo kusht secili të qëndrojë në shtëpi,” bëri thirrje zyrtari.

Shtetet e Bashkuara janë pothuajse në gjysmën e periudhës 15 ditore, në të cilën sipas planit duhet të zbutet ndjeshëm numri i rasteve me koronavirus, për të mos lejuar mbingarkesën e objekteve shëndetësore me persona të sëmurë rëndë.

Ndërkohë, qeveria dhe të dyja dhomat e Kongresit po nxitojnë për të siguruar miratimin e një plani financiar i cili të shmangte një sfidë të rëndë ekonomike dhe të ndihmonte me para dhe kredi amerikanët që humbasin punën dhe bizneset. Në senat po debatohet një paketë gjigante shpëtimi prej 1,8 trilion dollarësh, tani që koronavirusi ka detyruar miliona banorë të mos dalin nga shtëpia.

Në një koment në Twitter, Presidenti Trump shkruante se “Ne nuk mund të lejojmë që ilaçi të jetë më i rëndë se sa vetë problemi. Në mbarim të periudhës 15 ditore, – shkruante ai, – do të marrim një vendim se cilën rrugë do të zgjedhim.”

Duket se Presidenti po sugjeron që udhëzimet për distancimin social të zbuten në mbarim të periudhës 15-ditore, edhe pse deri tani janë të paktë ekspertët shëndetësorë që mendojnë se kjo periudhë mjafton për të ditur nëse masat e vetizolimit e kanë ulur fuqinë e përhapjes së koronavirusit.