SHBA, protesta të reja kundër masave izoluese

 

Qindra vetë, ndër ta edhe anëtarë të legjislaturës shtetërore të Pensilvanisë u mblodhën para selisë së autoritetet lokal të hënën për të protestuar ndaj masave që kanë penguar aktivitetin e përdishëm për të ndalur përapjen e epidemisë së koronavirusit.

“Tubimi i Patriotëve”, siç u pagëzua demonstrata në kryeqytetin e Pensilvanisë, Harrisburg, është një ndër shumë protesta të zhvilluara në Miçigan, Kaliforni, Ohajo, e shtete të tjera. Presidenti Trump i ka përshëndetur protestuesit si patriotë që duan rihapjen e ekonomisë.

Protestuesit thonë se rregullat e vendosura nga qeveria për të ndalur përhapjen e COVID-19, një virus tepër ngjitës që ka vrarë deri tani mbi 40 mijë vetë në vend, kanë shkelur liritë e individit dhe kanë dëmtuar ekonominë.

Kamionë të mbuluar me parullat “duam punë, jo ndihmë nga shteti” dhe “izolimi në shtëpi nuk është liri” parakaluan nëpër Harrisburg, ndërkohë që anëtarë republikanë të legjislaturës shtetërore mobilizonin protestuesit nga shkallët e Kapitolit.

“Normaliteti i ri nuk nënkupton që do të sakrifikojmë liritë për hir të sigurisë,” tha kongresmeni Aaron Bernstine, në një fjalim të shoqëruar nga brohoritjet “USA”.

“Nuk konsiderohet normalitet kur qeveria na jep lëmoshë që të paguajmë faturat”.

Qeveria federale filloi kohët e fundit të ndante çeqe për individë dhe familje me vlerë deri në 1200 dollarë, përveç ndihmave që po ndahen për familjet me fëmijë, për të përballuar jetesën në një kohë kur shumë amerikanë kanë humbur punën.