SHBA miraton shitjen e armëve në Tajvan

Departamenti amerikan i Shtetit miratoi shitjen e pajisjeve ushtarake në Tajvan, në vlerë prej 2.2 miliardë dollarësh, pavarësisht kundërshtimeve të fuqishme të Pekinit.
Departamenti autorizoi shitjen e mundshme të 108 tankeve Abrams, 250 raketave Stinger dhe të pajisjeve të tjera, si dhe njoftoi Kongresin.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Geng Shuang, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që të anulojnë shitjen, duke thënë se Pekini e kundërshton fuqishëm këtë veprim, raporton RFE.
Kina e konsideron Tajvanin si një provincë renegatë dhe kurrë nuk ka hequr dorë nga përdorimi i mundshëm i forcës për të rifituar kontrollin e ishullit.
Zyra e Presidentit të Tajvanit shprehu mirënjohje për Qeverinë e SHBA-së për shitjen e armëve.
“Tajvani do t’i përshpejtojë investimet në mbrojtje dhe do të vazhdojë të thellojë lidhjet e sigurisë me Shtetet e Bashkuara dhe vendet me ide të ngjashme”, tha zëdhënësi presidencial, Chang Tun-han.
Marrëdhëniet midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë të tensionuara në muajt e fundit për shkak të tregtisë dhe asaj që Washingtoni e konsideron si militarizim të Kinës në Detin e Kinës Jugore.