SHBA – Inteligjenca nis hetimet: Koronavirusi mund të ketë dalë nga një laborator kinez në Vuhan

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po hetojnë nëse koronavirusi i ri (COVID-19), shkaktar i një pandemie globale, mund të ketë dalë nga një laborator në Kinë.

SHBA – Inteligjenca nis hetimet: Koronavirusi mund të ketë dalë nga një laborator kinez në Vuhan
Kjo është një nga ato teoritë e shumta që po ndiqet nga hetuesit, pasi ata po përpiqen të përcaktojnë origjinën e koronavirusit që ka rezultuar një pandemi vrasëse e qindra-mijëra njerëzve anembanë botës.

Një zyrtar shërbimeve sekrete të SHBA-së, i cili ka dijeni të hollësishme mbi analizën e qeverisë, konfirmoi se zyrtarët e inteligjencës amerikane po hetojnë nëse origjina e këtij virusi është një laborator në Vuhan.

Burime të tjera u shprehën për televizionin “CNN” se institucionet e inteligjencës dhe sigurisë amerikane po përpiqen të zbulojnë nëse dikush ishte infektuar në laborator aksidentalisht apo për shkak të trajtimit të dobët të materialeve dhe më pas mund të ketë infektuar të tjerët. Me fjalë të tjera, zyrtarët amerikanë kanë dyshime mbi atë që origjina e virusit të jetë tregu i produkteve të detit në Vuhan vetëm sepse atje u shfaqën rastet e para të njerëzve të infektuar me COVID-19. Sipas tyre, “pacienti zero i Kinës” punonte pikërisht në laboratorin e Vuhanit dhe e ka përhapur virusin pasi ka dalë nga puna, por jo si armë biologjike.

Gazeta “The Washington Post” raportoi më 14 prill se më datë 27 mars 2018, rreth dy vjet para shpërthimit të pandemisë, diplomatë nga Ambasada e SHBA-së në Pekin vizituan disa herë Institutin e Virologjisë në Vuhan dhe ishin aq të shqetësuar sa i dërguan Departamentit të Shtetit dy mesazhe të koduara me shënimin “të ndjeshme”.

Ata paralajmëruan mbi kushtet e “papërshtatshme” të sigurisë në laborator, i cili po bënte “një studim të rrezikshëm për lakuriqët”.

Shefi i Përgjithshëm i Shtabit, Mark Milley, pohoi gjithashtu këtë javë se inteligjenca amerikane po heton nëse koronavirusi e kishte origjinën në një laborator.

Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se “SHBA-ja po bën një ekzaminim shumë të plotë të kësaj situate të tmerrshme që ndodhi”, por nuk pranoi të diskutojë atë që ai kishte thënë për gjetjet.

Sipas televizionit “CNN”, teoria e laboratorit është mohuar nga qeveria kineze dhe shumë ekspertë të jashtëm.