Sfida e dialogut për Abdullah Hotin

 

Enver Bytyçi

Sot kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, shpalosi platformën e qeverisë së tij për dialogun me Serbinë. Duke iu referuar çeshtjeve që ai i trajtoi mund të thuhet se zoti Hoti ka reflektuar thellë rreth këtij dialogu dhe sidomos rreth produktit të tij. Ajo që e bën këtë platformë serioze dhe të besueshme nuk lidhet vetëm me përmbajtjen e tij, por edhe me simbolikën që u përdor. Kreu i ekzekutivit këtë platformë e paraqiti në Akademinë e Shkencave të Republikës së Kosovës menjëherë pasi kjo akademi kishte shpallur gjithashtu objeksionet e saj për këtë proces. Paraqitja para akademikëve të vendit është një garanci formale më shumë për suksesin e dialogut dhe shpreh gatishmërinë e qeverisë për të bashkëpunuar me institucionin shkencor akademik më të besueshëm te shqiptarët dhe qytetarët e tjerë të shtetit më të ri në Europë.

Zoti Hoti njoftoi disa pika kyçe të skemës së dialogut Kosovë-Serbi.

Së pari dhe kryesore është se ai rikonfirmoi që në proces të respektojë kushtetutën e Republikës së Kosovës me theks të veçantë ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror të vendit. Ky parim nuk është respektuar nga paraardhësi i kryeministrit aktual nga ana e presidentit të vendit. Dëshmitë që vijnë për implikimin e zotit Thaçi në tregtinë e kufijve dhe të territorit me Serbinë janë tronditëse. Ndaj angazhimi i zotit Hoti për mos vënien në tavolinën e bisedimeve të çeshtjeve të territorit merr vlera të dyfishta.

Së dyti, kryeministri i Kosovës ishte i qartë kur theksoi se produkt i marrëveshjes do të jetë njohja reciproke, duke garantuar ulëse në OKB të vendit të tij, si dhe njohja nga ana e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Kjo kërkesë e platformës së shpallur është më shumë kujtesë dhe paralajmërim për ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, me qëllim që të mos ketë dilema në këtë drejtim. Megjithatë, ekipi negociator dhe ekspertët e tij do të duhet të bëjnë kujdes, që në projekt-marrëveshje të mos thuhet asgjë me dy kuptime dhe në të të precizohet qartë jo vetëm ajo që do të bëjnë vendet, por edhe klauzolat e garancisë për këtë.

Së treti, zoti Hoti deklaroi se në dialog do të trajtohen dhe problematikat e tjera të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, duke filluar nga të pagjeturit dhe dëmet e luftës e deri te njohja e së drejtës së pensioneve për qytetarët, duke kërkuar kthimin e depozitave që tashmë mbahen peng në Beograd. Në këtë aspekt qëndron një mur shumë i madh midis të dy vendeve dhe është vështirë që të gjitha çeshtjet të adresohen gjatë këtij procesi negociatash. Por me rëndësi është ruajtja e shtetësisë si shtet unik dhe e tërësisë territoriale të Kosovës, afirmimi i këtij objektivi dhe disa prej çeshtjeve të mbetura mund të adresohen pas kësaj.

Së katërti, pjesë e rëndësishme e platformës është udhëheqja e dialogut nga ana e kryeministrit, i cili u zotua për transparencë të plotë ndaj qytetarëve. Nëse zoti Hoti do të garantojë transparencë të plotë, pa surpriza të çastit si rezultat i presioneve të ndryshme, kjo do të jetë garanci për angazhimin e tij për të respektuar parimet dhe kriteret e tjera të kësaj platforme. Unë jam i prirur të besoj se sipas kësaj platforme Hashim Thaçi do të ketë thjesht rol këshillues dhe honorifik, të cilin ia jep kushtetura e Republikës Parlamentare. Por ka mundësi që ai të fusë “spec në qull”, me qëllim që ta çojë procesin në dështimin e tij. Kam ndjesinë se zoti Thaçi, nëse nuk i udhëheq vetë këto bisedime ose nëse nuk dikton vendimmarrjen në to, do të luajë rolin e Kalit të Trojës, duke e sabotuar dialogun në forma të ndryshme, për t’i thënë Kosovës dhe ndërkombëtarëve se “vetëm ai është garant i stabilitetit dhe frymës së bashkëpunimit në rajon”. Në të gjitha iniciativat e tij anti-Kosovë, presidenti i vendit është nisë nga kjo premisë dhe jo nga interesat e vendit të tij. Prandaj ai duhet mbajtur larg, shumë larg dialogut dhe procesit të tij. Roli i tij duhet të jetë thjesht institucional dhe nuk duhet t’i ngjajë vizitës së orës një të natës të deputeti i Nismës për të kërkuar votën për kryeministrin e tij të preferuar.

Së pesti, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shansin të bashkojë forcat e saj në këto momente dhe të homogjenizohet. Ajo, nëse seriozisht e përjashton rolin e Thaçit si kryenegociator, ka shumë mundësi të përballet me një hakmarrje të presidentit dhe kurthet e tij të radhës për ta rrëzuar edhe qeverinë Hoti. Në këtë kuptim LDK ka nevojë shumë më tepër për Vjosa Osmanin dhe përkrahjen e saj, sesa për servilët e Hashim Thaçit. Kësisoj garantohet suksesi i bisedimeve, rezultati pozitiv i tyre, si dhe suksesi i qeverisë aktuale.